AKTUALITET, 23 Nëntor 2022, 14:13

Berisha u lexon deputetëve letrën e kompanisë gjermane në Portin e Durrësit: EMS kërcënon me arbitrazh, rrezikohet një gjobë 200-300 milionë euro

Berisha u lexon deputetëve letrën e kompanisë gjermane në

Kryetari i PD, Sali Berisha ka zbuluar skenarin që opozita do të zbatojë të enjten e 24 nëntorit në Kuvend, ku do të diskutohet mbi marrëveshjen aq shumë të kontestuar për Portin e Durrësit. Berisha paralajmëroi se nuk do të njohin bllokim të fjalës në Kuvend dhe tha se beteja parlamentare do jetë shumë e ashpër.

“E ka vu cështje të parë në rend dite. Ne do qendrojmë me forcën më të madhe të fjalës, do përpiqen të na bllokojnë, nuk njohim bllokim më në Parlament se ai ka një urrejtje patologjike për fjalën, opozitën. Ndaj dhe parashikohet një betejë parlamentare shumë e fortë, shumë e fuqishme. Duhet të mbrojmë me vendosërinë më të madhe interesat e qytetarëve shqiptarë te buxheti, të qytetarëve të Durrësit te Porti i Durrësit”.

Kreu i PD-së Sali Berisha publikoi letrën e kompanisë gjermane EMS Shipping and Trading me të cilën i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Sipas Berishës kompania ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të Portit të Durrësit dhe se mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim.

“Sot, të nderuar deputetë, kompania gjermane EMS Shipping and Trading, e referuar si EMS, i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Kompania ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të portit të Durrësit.
Ka një detyrim investimi vetë prej mbi 15 milionë euro.
Kompania i drejtohet parlamentit: ne kemi shqyrtuar projektligjin dhe marrëveshjen kuadër së bashku me anekset të publikuar në faqen e Kuvendit. Ato bien ndesh me marrëveshjen e koncesionit të EMS. Kompania konstaton se qeveria apo binomi Rama-Balluku po mashtrojnë.
Sipas relacionit shpjegues, të projektligjit, aktiviteti i portit të Durrësit, as nuk do ndërpritet dhe as pengohet gjatë zhvillimit të projektit.
Kompania thotë se gjuha e relacionit, edhe pse e paqartë, nuk është në dijeni të një afati kohor brenda të cilit qeveria shqiptare është në gjendje të ndërtojë një port të ri.
Sipas kontratës, EMS thotë se ruan të drejtën që të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të kësaj kontrate, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim.
Shqiptarët do paguajnë haraçin, përveç 2 miliardë për portin e ri, do paguajnë edhe gjobat e tmerrshme”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se do jetë nesër i pranishëm në Kuvend për të dhënë sqarime për këtë marrëveshje.

“Nesër e kemi në ditë shumë të rëndësishme në Parlament duhet të përgatitemi me gjithë mundësitë tona të mbrojmë interesin publik se kurrë këto nuk janë imagjinuar se mund të ndodhin. Nuk është paraqitur asnjëherë një marrëveshje plackitëse”, përfundoi Berisha.