AKTUALITET, 23 Nëntor 2022, 10:23

Qeveria e quan punë të mbaruar votimin në Kuvend, prej një viti prenotohen apartamente dhe biznese në projektin e Portit të Durrësit

Qeveria e quan punë të mbaruar votimin në Kuvend, prej një

Qeveria shqiptare e ka quajtur fakt të kryer ndërtimin e 12646 apartamenteve luksoze në Portin e Durrësit, edhe pse projekti është denoncuar si korruptiv dhe pa asnjë përfitim për vendin, të cilit i grabitet porti më i rëndësishëm për të shitur real-estate. Kjo u duk edhe nga të dhënat financiare të projektit që mbështetet te paratë e dhëna nga blerësit e apartamenteve dhe të njësive të biznesit, për të kryer ndërtimin. Për këtë qëllim në portin e Durrësit, prej një viti është çelur një zyrë luksoze, e cila njeh të interesuarit me projektin dhe apartamentet që do të shiten. Hapja e zyrave për shitjen e apartamenteve në portin e Durrësit, nënkupton se votimi i projektit nga deputetët në seancë ka vlerë formale, se ai është i paracaktuar nga Kryeministri Edi Rama dhe se ligjvënësit socialistë thjesht do të ngrenë kartonin jeshil, pa e vënë në diskutim nëse ky projekt është apo jo në interes të publikut.

Sipas plan-biznesit të kompanisë guackë “Eagle Hills Real Estate Development sh.p.k” e cila do të zhvillojë të ashtuquajturin projektin e investimit strategjik “MARINA & JAHTET E DURRËSIT”, të ardhurat që kompania ka deklaruar se do të realizojë nga shitja e apartamenteve do të jetë 2,2 miliardë euro, dhe 1 miliardë euro shtesë nga aktivitetet e tjera për një total prej 3,2 miliardë euro.

“Eagle Hills Real Estate Development sh.p.k”, thotë se fitimi neto, pra paratë që do të fusë në xhep kompania pasi ka paguar taksat, është 854 milionë euro, ndërsa investimi llogaritet 2 miliardë euro. Raporti tregon një normë fitimi të majme prej 42,8 për qind. Porti i Durrësit do të kthehet në zonën më të populluar në planet, me 12646 apartamente në një sipërfaqe prej 81 hektarësh. Kompania thotë se në zonë do të ketë 902 dhoma hoteli me 4 dhe 5 yje, si dhe vetëm 317 dyqane pakice. Në vitin e parë çmimet e apartamenteve do të nisin me 1500 euro për metër katrorë në vitin e parë, ndërsa në vitin e 20 të arrijnë në 2185 euro për metër katrorë thotë kompania zhvilluese.

Ndërkohë që detajet e marrëveshjes sapo u diskutuan në komisionet parlamentare, kompania vazhdon e pashqetësuar aktivitetin e saj tregtar, duke e bërë fakt të kryer atë që mazhoranca pritet ta noterizojë nesër. Në të njëjtën seancë që pritet të jetë maratonë është caktuar që të miratohet edhe projektbuxheti i vitit 2023, mesa duket për të mbingarkuar opinionin publik. Akuzave të opozitës për hapjen e një zyre që shërben për marrjen e prenotimeve, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk e përgënjeshtroi, por tha se deri tani nuk kishte asnjë kontratë shitblerjeje, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së porosive nga klientë të ndryshëm që duanë të ketë “hapësirën” e tyre në portin e ri të Durrësit.

Opozita e ka akuzuar qeverinë për projektin e portit të Durrësit, duke e cilësuar si më të korruptuarin në Evropë. Sipas saj, ky port dhe hapësira e tij e konsiderueshme po u merret shqiptarëve dhe po i jepet një kompanie që burimin e saj e ka në një kompani “offshore”. Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës kanë hedhur dritë mbi projektin, duke zbuluar detaje të marrëveshjes dhe kontratës mes shtetit dhe kompanisë që do të zbatojë projektin e vlerësuar sipas qeverisë, 2.1 miliardë dollarë.

Për realizimin e këtij projekti nuk ka patur garë dhe për transparencë është caktuar investitori Arab Muhamed Alabbar të jetë zhvilluesi i këtij projekti. Sipas opozitës, qeveria ka përcaktuar fituesin dhe marzhat e tij të fitimit në disfavor të shtetit. Në marrëveshje mes dy palëve, sipas opozitës, i humbur është shteti, pasi nuk ka përcaktuar asnjë masë ndëshkimore nëse projekti nuk zbatohet apo kalon përtej afateve. Kompania do të marrë tokën, shfrytëzojë dhe marrë fitimin, ndërsa shteti do të marrë shumë më pak se i takon nga kjo marrëveshje.

Kreu i PD-së, Berisha, dhe ai i PL-së, Meta, u kanë kërkuar qytetarëve që të mos blejnë apartamente në projektin e Portit të Durrësit, pasi e konsiderojnë një skemë të pastër piramidale dhe u kanë bërë thirrje edhe organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerjeje.