AKTUALITET, 15 Dhjetor 2022, 13:48

Berisha: Në PS gëlon ryshfeti, kandidatët i përcakton krimi! Socialistët e ndershëm janë më afër me ne se me Rilindjen

Berisha: Në PS gëlon ryshfeti, kandidatët i përcakton krimi!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, mbajti këtë të enjte një takim me kandidatët e PD-së për zgjedhjet lokale, të dalë nga gara e brendshme përmes primareve.

Gjatë fjalës përpara të pranishmëve, Berisha vlerësoi maksimalisht primaret, si një tregues të demokracisë së brendshme që ka në PD.

Ish-kryeministri sulmoi Partinë Socialiste, ku tha se kandidatët për postet drejtuese në këtë forcë politike zgjidhen nga krimi dhe jo nga qytetarët.

Ai tha se të gjithë socialistët e ndershëm ndihen tashmë më afër me kandidatët e PD-së, se sa me kandidatët e përcaktuar në “shpellat e krimit dhe drogës në PS”.

“Secili prej jush ka kontributin e vet në këtë realitet të ri të krijuar në PD. Secili kandidat që doli i dyti apo i treti në garë ka meritën e madhe sepse nderoi garën dhe firmosi pluralitetin brenda PD-së. Një aspekt i rëndësishëm i garës tuaj qëndron në përmbysjen e përfaqësimit, nga përfaqësimit i kryetarit dhe kryesisë në përfaqësimin e anëtarëve dhe anëtarësisë. Ky është modeli më demokratik për një forcë politike dhe një vend.

Ky model nuk zbatohet në këtë formë në shumë parti politike qoftë të qendrës së djathtë, por ata që e përdorin kanë vendosur standardet më të larta në demokraci. Ndaj dhe ne jemi shumë krenarë për të gjithë ata që kompletuan këtë proces. Ne treguam përkushtim ndaj shqiptarëve për votën e lirë.

Nëse e hedhim sytë në krahun tjetër, aty gëlon ryshfeti, pengmarrja, aty përcaktojnë droga, krimi dhe bandat.

Anëtarësia e PS nuk ka më asnjë zë, tek qeveritarët e ardhshëm. Ata nuk përfaqësojnë mbështetësit por përfaqësojnë sektin e Rilindjes, një sekt antishqiptar që është një përzierje e sektit të drogës, krimit dhe korrupsionit. Sot çdo shqiptar pa parti dhe çdo socialist i ndershëm, që e konsideron dinjitetin dinjitet, përfaqësimin përfaqësim, është shumë herë më afër nesh se sa me kandidatët e bodrumit apo shpellës së Rilindjes”, tha Berisha.