AKTUALITET, 5 Gusht 2024, 20:58

Berisha bën thirrje për protesta si në Bangladesh: Himara, thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën s’ka dhe s’mund të ketë kurrë zgjedhje të lira

Berisha bën thirrje për protesta si në Bangladesh: Himara,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal te manipulimet zgjedhore të ndodhura gjatë votimeve për kryetar të Bashkisë Himarë.

‘Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

"Miqtë e mi, mbrëmë vonë u mbyll farsa e shëmtuar zgjedhore në Himarë, në të cilën Edi Rama shpalosi të gjithë mekanizmat e ekzekutimit të votës pa votuar, pa rënë në kuti.

Duke falënderuar të gjithë ata votues, qytetarë që votuan për opozitën, unë i deklaroj sot popullit opozitar se Himara duhet të jetë prova jonë e fundit.

Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira.

Të dashur miq, nuk është sot as një meritë të deklarosh këtë gjë.

Nuk është meritë të deklarosh se Edi Rama vodhi mandatin.

Nuk është meritë të deklarosh se ai mohoi të drejtat kushtetuese të 6135 qytetarëve.

Nuk është meritë të deklarosh se ai shtoi në lista mbi 350-400 qytetarë që nuk kanë votuar kurrë në Himarë.

Nuk është meritë të deklarosh se ai përdori të gjithë shtetin kriminal elektoral për të grabitur mandatin e Himarës.

Sot thirrja e çdo shqiptari është për opozitën shqiptare të bashkohet në kryengritje të fuqishme paqësore për realizimin e qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës"-tha sonte kreu i PD-së.

Berisha ka paralajmëruar se ekzistenca si opozitë e vërtetë është në provë, për t’u vërtetuar shqiptarëve përmbushjen e misionit të saj për çlirimin e vendit nga diktatura. Nga tubimi qytetar pranë banesës së tij, Berisha tha nuk duhet të qëndrohohet më në opozitë, për të firmosur vjedhjen e radhës së mandateve nga Rama. Kushtrimi i liderit historik të së djathtës shqiptare, Sali Berisha për qytetarët ishte përballja siç tha ai, dhëmb për dhëmb me diktatorin Rama.

"Studentët e Bangladeshit përzunë sot kryeministren e tyre kriminele sepse i diskriminonte ata.

Sepse kishte krijuar edhe ajo si Edi Rama një elitë shushunjë, që i vidhte çdo sekondë, çdo minutë, çdo ditë qytetarët e varfër të Bangladeshit. Që u vidhte votën, që u merrte lirinë.

Miq, Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar.

Demokrate e demokratë, kemi bërë rrugë të vështirë, por provën e madhe tani e kemi.

Prova e vërtetë tani është para nesh.

Do qëndrojmë ne opozitë për të firmosur vjedhjen e radhës të mandateve.

Do të qëndrojmë ne opozitë për të firmosur mandatin e katërt mbi krimin elektoral të Edi Ramës, apo do përballemi dhëmb për dhëmb, fyt për fyt.

Apo do përballemi për liri dhe dinjitet?

A do i përgjigjemi ne instinktit tonë?

A do i përgjigjemi ne himnit tonë?

A do përmbushim ne misionin historik të përmbysjes së diktaturës të bazuar në aleancën me krimin, vjedhjen e qytetarëve, drogën.

Nuk ka mision më të shenjtë se ky për shqiptarët"-tha Berisha.