AKTUALITET, 11 Qershor 2022, 09:52

‘Banda’ e bluzave të bardha italo-shqiptare/ 82 “pacientë” shkuan në Itali me dokumente false spitalore, si nisi hetimi i mjekëve

 ‘Banda’ e bluzave të bardha italo-shqiptare/ 82

Katër mjekë shqiptarë dhe dy biznesmenë janë në mesin e 82 personave të hetuar nga SPAK-u dhe Antimafia në Itali si pjesë e trafikut e korrupsionit te bluzat e bardha.

Grupi i vënë nën hetim dyshohet se ka shitur ilaçe për sëmundjen COVID-19 në Shqipëri pasi vidheshin në sistemin publik në Itali, ndërsa 82 pacientëve shqiptarë u ka ofruar shërbim shëndetësor në spitalet italiane me letra false! Kurimi në Itali në kohën e COVID-it, por dhe hyrja e medikamenteve në mënyrë të pavarur nga shteti përtej Adriatikut janë parë si mundësi pasurimi, apo të ardhurash për disa mjekë, infermierë dhe biznesmenë.

Sipas të dhënave që vijnë nga dosja hetimore bëhet me dije se përmes dokumenteve të falsifikuara 82 persona kanë marrë dokumentin në spitalet shqiptare për t’iu lejuar kurimi në Itali me argumentin se janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata kanë përfituar receta për 383 shërbime ambulatore dhe për 1554 vizita të specializuara në spitalet e Milanos dhe të qyteteve për rreth.

Sipas hetimeve mësohet se nga llogaritë bankare janë sekuestruar se paku 500 mijë euro ndërsa janë bllokuar dhe ilaçe me përmbajtje narkotike, vlera e të cilave shkonte deri në 20 mijë euro. Sipas materialeve zyrtare këto medikamente kanë shërbyer për trajtimin e të prekurve me virusin e rrezikshëm dhe janë marrë në mënyrë të paligjshme nga spitalet italiane duke u tregtuar në Shqipëri.

Por, edhe pagesa nuk kryhej vetëm në para. Në disa raste është zbuluar se mjekët kanë kërkuar dhe marrë edhe shërbime seksuale. Në deklaratën për mediat të dhënë nga SPAK dhe autoritetet italiane thuhet se rrjeti funksiononte në bashkëpunimin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet italiane.

Operacioni i kontrolleve dhe ndalimeve është kryer në të njëjtën kohë në të dy shtete, ku në Itali u kapën 6 të dyshuar ndërsa në vendin tonë në prani të oficerëve të policisë italiane u kontrolluan 11 banesa. Po ashtu policia zbarkoi edhe në zyrat e QSUT-së, por dhe të disa subjekteve tregtare, thotë SPAK-u, që nënkupton magazina medikamentesh mjekësore në vendin tonë.

Në skemën e mashtrimit që u zbulua nga Antimafia në Milano dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare, SPAK-u, në të cilën 82 pacientë shqiptarë kanë përfituar me dokumente të falsifikuara shërbime shëndetësore nga spitalet italiane kanë marrë pjesë emra të njohur në vendin tonë.

Bëhet me dije se 5 persona në Itali kanë përfunduar në burg, 3 në arrest shtëpie dhe një i akuzuar është lënë në detyrim paraqitjeje.

Masat janë ekzekutuar ditën e djeshme nga autoritetet italiane, ndërsa pjesa tjetër e të dyshuarve janë në hetim në gjendje të lirë dhe disa prej 82 të dyshuarve janë shpallur në kërkim. Në mesin e të hetuarve sipas të dhënave rezultojnë 4 mjekë shqiptarë mes tyre mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Vladimri Peto, Aurel Vula, Ilir Broqja dhe dy biznesmenët Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj.

Rezulton se Aurel Vula është mjek pediatër reumatolog, i cili punon pranë Shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme, ndërsa Ilir Broqaj, mjek anestezist, i cili punon pranë shërbimit Anestezi–Reanimacionit. Po ashtu, sipas të dhënave nën hetim është edhe mjeku i njohur Edvin Prifti, i cili sipas të dhënave të hetimit dyshohet se ura lidhëse mes palëve.

SPAK-u në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me praninë e Oficerëve të policisë italiane, në zbatim të vendimit të GJKKO-së kanë kryer 11 kontrolle në ambientet e banesave, zyrave shtetërore (QSUT) dhe të subjekteve tregtare.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dokumente mjekësore në gjuhën italiane, medikamente mjekësore dhe pajisje kompjuterike dhe prova të tjera me rëndësi për hetimin.

Grup kontrolli në zyrat dhe banesën e mjekut Edvin Prifti

Ajo që bie në sy në këtë operacion në mirorganizuar nga ana e italianëve të hetimit është fakti se ata kanë sjellë një skuadër të tyre në vendin tonë për të marrë pjesë në të gjithë operacionin. Dyshimet e italianëve kanë nisur herët sidomos kur shqiptarët kanë vendosur të marrin shërbime në zonën ku ishte edhe vatra më e madhe në botë e shpërthimit të virusit, Bergamo.

Që atëherë ata nisen përgjimet dhe gjurmimet për të ardhur tek operacioni i djeshëm. Kështu në kuadër të operacionit mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare për goditjen e një rrjeti trafiku barnash është bërë kontroll edhe në shtëpinë dhe zyrën e mjekut Edvin Prifti.

Ky i fundit është arrestuar më herët për korrupsion dhe ia janë sekuestruar para dhe llogari bankare, që dyshohen se i ka fituar në mënyrë jo ligjore. Kontrollet në banesën e Priftit janë bërë nga SPAK u, bashkë me kontrollin e disa banesave të tjera, pasi dyshohet se ai mund të kishte lidhje me këtë rrjet trafiku të barnave narkotike dhe atyre për COVID-19.

Grupi i organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme që do të lejojnë hyrjen e jashtëligjshme në Itali.

Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale. Anëtarët e grupit organizuar kriminal gjithashtu dyshohen se janë të përfshirë në trafikun e barnave me përmbajtje narkotike, që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe janë shitur në Shqipëri. SPAK-u bën me dije se disa nga këto barna me përmbajtje narkotike ishin përdorur për të trajtuar pacientët me COVID-19, të cilat ishin shumë të kërkuara gjatë pandemisë./Panorama/