AKTUALITET, 21 Tetor 2023, 19:56

Arrestimi i dhëndrit të Sali Berishës, Taulant Balla paditi Jamarbër Malltezin 3 vite më parë për ish-kompleksin "Partizani"

Arrestimi i dhëndrit të Sali Berishës, Taulant Balla paditi

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Sali Berishën.

Masa e sigurisë ndaj ish-kryeministrit vjen pas arrestimit të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, në lidhje me hetimet e kryera mbi privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim, pas kallëzimit të bërë nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që e ka në dorë Prokuroria e Posaçme dhe po e heton për pastrim parash.

Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, m’u në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa që është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek ish- Fusha e Aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, që në fund u pagua vetëm 14.000 euro.

Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.

Jamarbër Malltezi u ndalua sot në Rinas, pas një urdhëri të SPAK, ndërsa ai po kthehej nga jashtë për në Tiranë.

Sipas burimeve afër PD-së, ndalimi i Malltezit është bërë sepse ka zhvilluar në mënyrë ligjore pronën e tij të kthyer sipas ligjit, tek ish-kompleksi Partizani.

Muajt e fundit kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, por edhe personazhe të tjerë kyçë. Dosja është në duart e prokurores Enkeleda Millonai.

Para hetuesve janë paraqitur ish-ministrat e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli, ish gjenerali Vladimir Qirjazi, ish-shefi i Klubit Partizani Afrim Tole dhe ish-drejtori i Kompleksit Isa Tare.

Dosja e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani me numër 287/2020, është regjistruar nga SPAK për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Për pastrimin e produkteve të veprës penale parashikohet 5-10 vite burg, ndërsa kur vepra kryhet në bashkëpunim, siç është edhe rasti i tjetërsimit të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, parashikohet një dënim jo më pak se 15 vjet me burgim.

Në kallëzimin penal që deputeti Taulant Balla referoi në SPAK në vitin 2020, pretendohet se janë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim, të falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale si dhe vepra penale e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Një pjesë të këtyre veprave penale janë parashkruar për shkak të kohës së gjatë të kryerjes së dyshuar të tyre, pasi operacioni abuziv për tjetërsimin e ish-Klubit Sportiv Partizani është finalizuar në tetor të vitin 2009.

Megjithatë, nëse SPAK do të ngrejë akuzë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal, pasojat do të shtriheshin deri tek prona e privatizuar.

Sipas SPAK është shkelur ligji nr.8743 datë 22.2.2001 për pronat e paluajtshme të shtetit. Neni 3 i këtij ligji, pika 3, paragrafi i fundit parashikon që “Janë, gjithashtu, prona të paluajtshme publike, nëse i përkasin shtetit, edhe aktivet e ngurtësuara (ose të trupëzuara), që shërbejnë për kryerjen e shërbimeve publike si: -paragrafi i fundit (- parqet, lulishtet, sheshet publike në qytete e qendra të banuara, ndërtesat së bashku me oborret që përdoren për shërbime që ofrohen nga shteti për arsimin, shkencën, kulturën dhe sportet, për shërbimin shëndetësor e shoqëror, për institucionet qendrore dhe vendore, si dhe rezidencat qeveritare së bashku me trojet mbi të cilat ngrihen këto prona.)

Pika 4 e nenit 3 parashikon që pronat e paluajtshme publike tjetërsohen ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligje të veçanta. Ligji i veçantë në rastin konkret, ishte ligji për sportin nr. 9376, datë 21.4.2005.

Neni 3 i ligjit për sportin të vitit 2005, parashikon që objekt sportiv është send i paluajtshëm, i ndërtuar në përputhje me kushtet e nevojshme për zhvillimin e një apo disa sporteve, në bazë të rregullave teknike, të miratuara nga federata kombëtare e sportit përkatës. (I tillë ka qenë edhe ish kompleksi sportiv Partizani.)

Ndërsa neni 31 përcakton mënyrën e tjetërsimit të objektit sportiv dhe vendos kufizimin e detyrueshëm. Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni.