AKTUALITET, 3 Nëntor 2025, 11:05

Akuzohet se merrte para për eko-t/ U arrestua për ryshfet, mjeku imazherist nuk paraqitet në Gjykatën e Fierit! Shkak arsye shëndetësore

Akuzohet se merrte para për eko-t/ U arrestua për ryshfet, mjeku

Teksa pritej të mbahej masa e sigurisë në Gjykatën e Fierit, nuk është paraqitur në Gjykatën e Shkallës së parë të Rrethit mjeku imazherist i Spitalit Rajonal, Gëzim Taullaj.

Sipas burimeve, mësohet se për arsye shëndetësore, ai është përfaqësuar nga avokati i tij, Xhevair Morina. 66-vjeçari ra në prangat e policisë teksa është kapur në flagrancë duke i marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale.

Taullaj ra në prangat e bluve të Fierit, pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe u arrestua në përfundim të operacionit policor të koduar “Imazheria”.

Masa e sigurisë ishte caktuar të jepej nga gjyqtare Aurora Tusha dhe prokuror Leonard Suçi, teksa mbi mjekun rëndojnë veprat penale “shpërdorim i detyrës”, dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu ai akuzohet se shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, ku vizitonte pacientë në dy klinika private në Fier. Si provë materiale gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe sekuestruan si provë materiale, shuma e lekëve që i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin, 1.857. 000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë.