AKTUALITET, 2 Tetor 2019, 13:37

617 kg kokainë në Brazil me stemën e klubit, flet presidenti i Elbasanit: Më vjen keq, ia kanë bërë dhe Ronaldos


Një ditë pas operacionit të zhvilluar në Brazil ku u sekuestruan 617 kilogramë kokainë, e paketuar me logon e klubit sportiv të Elbasanit, flet presidenti i klubit, Arben Laze.

I dënuar dhe akuzuar edhe më herët për trafik droge, në një intervistë për Report Tv, Laze mohon akuzat. Ai përjashton përfshirjen dhe thotë se do të bëjë një padi për prishje imazhi.

Arben Laze: Më vjen mirë që fama e klubit tonë ka shkuar deri në Brazil. Klubi ynë s’ka lidhje me këtë ngjarje.

Kanë keqpërdorur stemën dhe logon, e njëjta gjë është bërë edhe me Cristiano Ronaldon dhe Messin. S’kam asnjë koment për këtë çështje. Do të ngre një padi për prishje imazhi. Jam duke u konsultuar me ta për këtë çështje.

Ditën e djeshme, mediat braziliane dhanë lajmin se 617 kg kokainë janë gjetur dhe sekuestruar në Gefron të Brazilit më 2 shtator 2019. Dyshohet se droga kishte destinacion Europën, pasi pakot mbanin logon e “K.F. Elbasanit”.

Në sajë të operacionit policia ka arrestuar katër persona, mes tyre edhe një grua, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë linjë trafiku.

Ndërsa gazetari Artan Hoxha, tha mbrëmjen e djeshme se kjo sasi rekord kokaine ka patur si destinacion qytetin e Elbasanit, prandaj ishte “markuar” me stemën e klubit sportiv.