TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-producenti i Hollywood-it Harvey Weinstein është dënuar me 15 vite burg në New Jork për sulmin seksual ndaj ish-asistentes së produksionit televiziv Miriam Haley, ngjarje që daton në vitin 2006. Para dhënies së dënimit, Haley iu drejtua gjykatës dhe foli për pasojat që, sipas saj, rasti ka pasur në jetën e saj gjatë viteve të fundit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh burg dhe pesë vite liri të mbikëqyrur, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar nëntë vite, duke përmendur edhe problemet e rënda shëndetësore të Weinstein. Gjatë seancës, Weinstein shprehu keqardhje dhe kërkoi falje për veprimet e tij.
Dënimi i ri vjen pas një historie të gjatë gjyqësore. Në vitin 2020, Weinstein u dënua me 23 vite burg në Nju Jork për sulm seksual ndaj Haley dhe përdhunimin e aktores aspirante Jessica Mann.
Në vitin 2024, dënimi u rrëzua nga gjykata më e lartë e shtetit të Nju Jorkut, e cila urdhëroi një rigjykim për shkak të mënyrës se si ishte administruar procesi fillestar. Në rigjykimin e zhvilluar më pas, Weinstein u shpall sërish fajtor për akuzën që lidhej me Haley.
Juria e shpalli të pafajshëm për një akuzë tjetër për sulm seksual, ndërsa nuk arriti një vendim për akuzën e përdhunimit ndaj Jessica Mann. Pas përpjekjeve për një proces të ri dhe pamundësisë për të arritur një vendim, kjo akuzë u hoq. Weinstein përballet gjithashtu me një dënim në Kaliforni për një çështje të veçantë të sulmit seksual.
Tashmë, ai pritet të vuajë dënime në dy shtete, ndërsa mënyra se si do të ekzekutohen ato do të përcaktohet nga autoritetet përkatëse.