AKTUALITET, 31 Gusht 2019, 22:57

“Zgjedhje të lira”, mijëra rusë vijojnë protestat në Moskë

“Zgjedhje të lira”, mijëra rusë vijojnë

Me mijëra rusë kanë mbushur sheshin qendror të Moskës për të kërkuar zgjedhje të lira për bashkinë e kryeqytetit, duke sfiduar urdhrin e policisë që parashikon ndalimin e manifestimeve.

Demonstratat, që kanë vazhduar javë pas jave, kanë tejkaluar për nga kohëzgjatja edhe ato të viteve 2011 e 2013, kur me mijëra qytetarë dolën në shesh dhe akuzuan Kremlinin për vjedhje të votimeve.

Protestuesit kanë kërkuar që kandidatët e opozitës të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje. 30 prej tyre, që kryesisht kandidojnë si të pavarur, janë hequr nga lista nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me pretekstin se regjistrimi i tyre ishte kryer me firma të falsifikuara.

Bashkia e Moskës dhe këshilli bashkiak mbizotërohet nga mbështetësit e Putinit. Kremlini nuk ka reaguar, duke i konsideruar protestat si të vogla e të parëndësishme, edhe pse janë arrestuar me dhjetra aktivistë.