TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Afrim Imaj/ Ajo që ishte mollë e ndaluar, madje e dënueshme për qytetarët e thjeshtë, ishte e lejuar për byroistët dhe shpurën e atyre që u vetëquajtën “baballarë të kombit” për gjysmë shekulli.
Fakti i panjohur zbulohet për herë të parë nga shënimet në ditarin e Hysni Kapos.
I shpallur ligjërisht shfaqje e huaj, bixhozi ka qenë një nga lojërat më të preferuara për Enverin dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij.
Në një shënim të datës 9 dhjetor 1972, Kapo, duke iu referuar takimit me Hoxhën në vilat e udhëheqjes në Vlorë, pasi përshkruan bisedat për situatën ndërkombëtare me liderin kryesor, shton një episod të pazakontë.
“Si mbaruam bisedën për politikën, shënon ai, kaluam në argëtim.
Bëmë një dorë pesëkatëshe, ku vendin e parë e zuri si ngaherë mjeshtri Pilo Peristeri”. Është pikërisht periudha kur në ferrin e burgjeve të regjimit, regjistroheshin me qindra të dënuar për veprën penale të ushtrimit të kumarit, pjesa më e madhe të penalizuar për pesëkatëshit e famshëm (!).
Sidoqoftë, ky nuk ishte detaj i vetëm në kontrastin e thellë të statusit të nomenklaturës me atë të njerëzve të thjeshtë, madje as më i rëndësishmi, por ndër më të spikaturit për mënyrën si është konsumuar larg syrit të njerëzve.
Pjesa në vijim e ditarit të Kapos sjell në njëfarë mënyre kronikën e ngjarjeve më të rëndësishme të vitit ’72 dhe periudhës së parë të vitit ’73, ku veçohet ceremonia për inaugurimin e varrezave të reja të dëshmorëve në Tiranë, Kuvendi Kombëtar për studimet ilire, në të cilin “shkëlqeu me referatin e tij Aleks Buda”, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, “vepër e profesorëve të shquar Kostallari, Çabeji, Domi, Dedja”, krijimi i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së re etj.
Sakaq, njeriu i afërt i Enverit ka hedhur në ditar mbresat e tij nga vizita në Tiranë e profesorit francez Pol Miliez, i cili, veç si mjek personal i kreut të shtetit, ka edhe statusin e kryetarit të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri…
Pjesë nga ditari
22 prill 1972 Bëra konkluzionet e seminarit në Shkodër. Fola rreth tri orë e gjysmë.
Mbasi hëngra drekë, bashkë me Prokopin dhe Bilalin shkuam për të vizituar hidrocentralin e Vaut të Dejës. Prej andej, pasi u ndala në fermën e Lezhës, u ktheva në Tiranë.
Mbërrita në orën 20. U gëzova pa masë që Andin e vogël e gjeta më mirë dhe më priti me aq dashuri.
5 maj 1972
Mora pjesë në ceremoninë e vendosjes së eshtrave të dëshmorëve të kombit në vendin e ri. Mori pjesë gjithë udhëheqja, autoritetet diplomatike dhe familjet e dëshmorëve. Me këtë rast foli Manushi. U vendosën kurora. Shoku Enver dhe gjithë shokët kaluan në shenjë nderimi në gjithë varrezën. U kthyem në shtëpinë e Partisë. Pasdite gjithë udhëheqja shkoi për vizitë tek Adil Çarçani, për t’i uruar 50- vjetorin e lindjes.
8 maj 1972
Sot u çel Kongresi VII i Bashkimeve Profesionale. Merrnin pjesë 38 delegacione të huaja.
17 maj 1972
Shkëmbyem mendime me shokun Enver mbi disa probleme të ushtrisë dhe mbrojtjes, mbi konceptet e dëmshme që kanë disa oficerë që janë skllevër të klasicizmit dhe të ushtrisë së kazermës, mbi rrugën që duhet ndjekur për shkurtimin e periudhës së shërbimit ushtarak dhe të përgatitjes sa më të mirë të popullit për mbrojtje.
27 maj 1972
Me avion u nisa në Gjirokastër. Zgjati 30 minuta. Vizitova muzeun e armëve që është ngritur në kalanë e qytetit. Shumë bukur!
30 maj 1972
Shkuam qysh në mëngjes në Ksamil. Është bërë punë e mirë. Pastaj me kapterin e marinës shkova në Kakome. U takova me ushtarë e kuadro…
20 qershor 1972
Zhvilloi punimet Plenumi i KQ. Diskutuan gjithsej 26 vetë. Në fund foli shoku Enver…
10 korrik 1972
Festa e ushtrisë. Shkova për vizitë në familjen e komunistit dhe shokut të vjetër të luftës, Hito Ramo nga Tragjasi, i cili vdiq dje. Shok i mirë, i varfër, i vuajtur si ai, por i ndershëm, besnik i Partisë qysh në ditët e para, luftëtar i vendosur deri në vdekje.
Ai vdiq me nder, prandaj ne shokët që e njohëm e luftuam bashkë do ta kujtojmë gjithmonë. U gëzova që njoha fëmijët e tij të rritur e të edukuar, kuadro të vlefshëm të Partisë…
28 gusht 1972
Erdhi në shtëpi (në Vlorë) Tofik Deda, sekretar i KP-së së rrethit. Më informoi për muzeun dhe gjendjen e fshatit Tërbac.
Më transmetoi dëshirën e fshatarëve që më presin. U nisa. Në fshat u takova e bisedova me njerëz të shumtë. Dolëm në fotografi…
11 shtator 1972
Shoku Enver priti profesor Miliezin, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri. Morëm pjesë: Nexhmija, unë, Javeri e Mistua. Takimi shkoi shumë mirë. Mbasdite më bëri kontroll mjekësor.
15 shtator 1972
U çel Kuvendi Kombëtar për studimet ilire. Morën pjesë shumë delegacione, afro 80 vetë. Asiston shoku Enver dhe shokë të tjerë të udhëheqjes. Referati i mbajtur nga Aleks Buda ishte i shkëlqyer, me një përgatitje të lartë shkencore…
16 shtator 1972
Vazhdon Kuvendi Kombëtar për studimet ilire. Referoi Çabeji. Referati i tij më mahniti.
Është me të vërtetë kapacitet shkencor, që të nderon dhe të imponon respekt.
19 tetor 1972
Biseduam me shokun Enver për perspektivën e ndërtimit të hidrocentralit të Komanit dhe vështirësitë që mund të na nxjerrin “miqtë”. Biseduam mbi situatën në Jugosllavi dhe gjendjen e shqiptarëve të Kosovës.
20 nëntor 1972
Ngjarje me rëndësi historike për vendin tonë. Solet Kongresi i Drejtshkrimit. Janë mbledhur linguistët më të mirë të vendit, nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, pjesa shqiptare dhe delegacionet e huaja. Raporti i Kostallarit ishte në nivel të lartë shkencor.
Edhe pas dite, Çabeji, M. Domi, B. Dedja mbajtën raporte me vlerë të madhe. Punimet i ndoqi edhe shoku Enver..
19 dhjetor 1972
Në Vlorë më lajmërojnë se do të vijë shoku Enver. U gëzova shumë si e kanë lejuar mjekët të dalë. E pritëm bashke me Gafurin. U interesua për shëndetin tim. Biseduam për çështje politike dhe sidomos për situatën në Vietnam dhe qëndrimin amerikan ndaj bisedimeve Kisinger Le Duk Tho. Pastaj kaluam në argëtim. Meqë ishte edhe Pilua (P. Peristeri), bëmë një dorë pesëkatësh. Natyrisht, rezultati dihet, mjeshtri Pilo doli në vend të parë si ngaherë.
31 dhjetor 1972
Paradite punova në zyrë. Nesër është festa e Vitit të Ri.
1 janar 1973
Natën e Vitit të Ri u mblodhëm të gjithë shokët e Byrosë Politike me në krye shokun Enver dhe shoqet tona dhe mjaft anëtarë të KQ dhe e kaluam bashkë këtë natë.
Qëndruam deri në orën dy pas mesnate. Në orën 13:30, bashkë me Viton shkuam për vizitë tek shoku Enver. Qëndruam deri në orën 15:30.
4 janar 1973
Bëra mbledhjen me Komisionin e Kushtetutës që do të hartojmë së fundi. Fola për detyrat që i dalin komisionit në zbatim të direktivave të Kongresit VI për projektkushtetutën e Republikës.
13 janar 1973
Në takimin që pata sot me shokun Enver folëm për çështje të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare dhe qëndrimin që mban Kina. 18 janar 1973 Thirra Nesti Nasen.
E dëgjova për punët që ka bërë. E qortova për disa lëshime e pakujdesi që ka treguar në zgjidhjen e njerëzve që përgatiten.
25 janar 1973
22 shkurt 1973
Një tjetër hap i gabuar i udhëheqjes kineze ndaj Amerikës: Kisingeri shkoi në Pekin. U mirëprit sikur të ishte mik, armiku i mbarë popujve dhe Kinës. Ku i çon kjo politikë proamerikane shokët kinezë? Kush fiton nga kjo?
Nexhmije Hoxha: Ministri i De Golit, mjeku i Enverit
Shumë është përfolur se ç’e lidhi Pol Miliezin- një katolik fanatik- me Enver Hoxhën- një komunist, po ashtu “fanatik”. Në këtë lidhje nuk ka asgjë për t’u çuditur.
Që të dy ishin figura të njohura si pjesëmarrës në Rezistencën Antifashiste të vendeve të tyre. Pol Miliez ishte mik i afërt i gjeneralit De Gol… Në vitet e para, pas fitores mbi nazifashizmin, më shumë se mjek njihet si njeri politik e shtetëror, ai qe sekretari i parë për shëndetësinë në qeverinë e De Golit… Prandaj, për Pol Miliezin Enveri kishte dëgjuar më parë se Fiqiret Shehu të trokiste në derën e tij si mjek.
Ajo këtë e bëri me iniciativën e saj dhe lidhur me probleme shëndetësore të bashkëshortit të vet.
Unë e njoha Pol Miliezin kur shkova ne Paris më 1967, mjaft e sëmurë, për analiza dhe konsultime lidhur me disa shqetësime që më mbetën pas operacionit të tëmthit.
Ai e mori në dorë drejtimin e gjithë analizave e konsultave dhe u tregua i mrekullueshëm si mjek e si njeri.
Pol Miliezi erdhi disa herë në Shqipëri, herë vetëm, më shumë me gruan. Por asnjëherë nuk erdhi i thirrur me urgjencë e me avion special, asnjëherë gjatë vizitave në Shqipëri nuk vuri stetoskopin në gjoksin e Enverit. Për këtë nuk ishte nevoja. Ai takohej me mjekët tanë, te të cilët kishte besim sepse kishte marrë pjesë vetë në specializimin e tyre dhe informohej prej tyre për gjendjen shëndetësore të Enverit.
Pol Miliez ftohej në Shqipëri për pushime, për festat tona kombëtare. Sa herë ka ardhur, është takuar me Enverin, të dy kanë biseduar gjatë për gjëra nga më të ndryshmet: për mjekësi, për politikë, për filozofi, histori, kulturë etj., kemi ngrënë dreka bashkë familjarisht etj.
Pavarësisht nga këto, pa diskutim, prof. Miliez ka qenë mjeku personal që ka ndjekur Enverin për 20 vjet, duke qenë i gatshëm të jepte përvojën e tij të madhe dhe të kolegëve që thërriste në konsulta me mjekët tanë, kur këta shkonin në Paris ose kur ai vinte për vizitë në Shqipëri.
Këtë ndihmesë ai e dha me një korrektesë e xhentilesë tipike franceze, tipike të një humanisti e të një mendimtari të lirë. Pol Miliez ka thënë shumë gjëra të bukura e dashamirëse për popullin tonë dhe për ato që realizoi nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, të cilit ai herë i drejtohej si President i Republikës, herë si Sekretar i Parë, shumë herë “miku im” dhe në ndonjë rast, edhe “shoku Enver”.
Mes Miliezit dhe Enverit ekziston një korrespondencë që flet shumë për vlerësimin e respektin reciprok. Para tyre tingëllojnë boshe dhe keqdashëse spekulimet që kanë bërë disa persona ose qarqe të caktuara lidhur me ndonjë fjalë që ka shkruar Miliez në librin e tij, ose që ka thënë në ndonjë intervistë në TV francez. Ne dimë se çfarë u tha njerëzve tanë pas asaj interviste, edhe për Mehmet Shehun, por unë ia lë të drejtën t’i publikojë personi vetë kur të botojë kujtimet e tij.
/Panorama