TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Klubi i Filmit “Mësojmë nga e kaluara” solli jetën dhe veprën e Viktor Stratobërdhës (1925–2000), kineastit të talentuar që në vetëm 13 muaj krijimtari la një gjurmë të veçantë në kinemanë shqiptare, përpara se regjimi t’ia ndërpriste rrugën artistike.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), zhvilloi takimin e radhës të Klubit të Filmit, në kuadër të platformës edukative “Mësojmë nga e kaluara 1944–1991”, këtë herë kushtuar regjisorit Viktor Stratobërdha.
Studiues, kineastë, gazetarë, arkivistë dhe familjarë vendosën në dialog filmin, dokumentin, historinë dhe kujtesën njerëzore, duke rindërtuar jo vetëm fatin e një artisti të ndëshkuar nga diktatura, por edhe pyetjen se çfarë humbi kinemaja shqiptare me ndërprerjen e një zëri alternativ, realist dhe kritik.

Filmi përballë arkivit dhe historisë
Në fjalën e hapjes, Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, e vendosi takimin në filozofinë mbi të cilën është ngritur Klubi i Filmit:
“Klubi i Filmit është një reflektim mbi kinemanë në diktaturë dhe një përpjekje për të ndriçuar të vërtetën e shtrembëruar nga propaganda komuniste. Është filmi përballë arkivës dhe historisë. Është produkti artistik përkundrejt regjimit totalitar, rezistenca, por edhe përdorimi i artit si propagandë.”
Ky ishte Klubi i tretë i Filmit në Tiranë dhe i katërti që prej nisjes së iniciativës. Klubi i parë u ndal te “Toka jonë”, ku shtresat e pasura paraqiteshin si armiq dhe reforma agrare idealizohej; më pas “Vitet e para” u vendos përballë dokumenteve dhe dëshmive mbi akuzat ndaj inxhinierëve të Kënetës së Maliqit dhe ekzekutimin e tyre.
Këtë herë, Klubi ndryshoi këndvështrim: në qendër nuk ishte vetëm një film, por një kineast dhe rruga që nuk iu lejua ta vazhdonte.
“Qëllimi i këtij klubi është përballja me të vërtetën dhe njohja e së shkuarës me qëllim që ajo të mos përsëritet më”, theksoi Vrioni.

Viktor Stratobërdha – vetëm 13 muaj për të lënë gjurmë
Viktor Stratobërdha u formua për regji filmi në Moskë dhe punoi si asistent regjisor në filmin “Skënderbeu”. Pas kthimit në Shqipëri realizoi dokumentarët “Pushime të gëzuara” dhe “Urime shokë studentë”. Në vitin 1955 nisi filmin e shkurtër “Qeshim se nuk qajmë dot”, i cili u censurua. Nga projekti mbijetuan tri episode të shkurtra, të ruajtura në AQSHF nën titullin “Pse kështu?”. Katalogu i AQSHF-së i regjistron “Pushime të gëzuara”, “Urime shokë studentë” dhe “Pse kështu?” në filmografinë e tij si regjisor.
Në vetëm 13 muaj krijimtari, rruga e tij si kineast u ndërpre. Por ajo që mbeti dëshmon një autor që kërkonte të largohej nga skematizmi dhe ta kthente kamerën drejt njeriut, përditshmërisë dhe problemeve konkrete të shoqërisë.
Eriona Kita Vyshka, studiuese dhe përgjegjëse e arkivit të filmit në AQSHF, solli përmes materialeve arkivore jetën profesionale dhe krijimtarinë e Stratobërdhës, duke e nxjerrë figurën e tij përtej historisë së përndjekjes.
Tre veprat e ruajtura u bënë pikënisje për të diskutuar jo vetëm atë që Viktor Stratobërdha realizoi, por edhe atë që mund të kishte krijuar nëse rruga e tij artistike nuk do të ishte prerë kaq herët.

“Qeshim se nuk qajmë dot” – humori që kritikonte realitetin
Në qendër të diskutimit ishte edhe fati i “Qeshim se nuk qajmë dot”. Filmi u censurua, ndërsa tri episodet që mbijetuan njihen sot si “Pse kështu?”. Aty kamera e Stratobërdhës nuk kërkonte heroin e idealizuar. Ajo shikonte përditshmërinë.
“Një dhi futet në apartament; një banesë mbushet me ujë; dru çahen brenda dhomës; një fëmijë ndez cigare; cigaret jepen edhe në vend të kusurit; njerëzit shtyhen për të hipur në autobus. Janë situata të vogla, të zakonshme, përmes të cilave regjisori evidentonte veset dhe vështirësitë e jetës me realizëm, ironi dhe humor të hollë. AQSHF e daton “Pse kështu?” në vitin 1955 dhe e lidh pikërisht me projektin e censuruar “Qeshim se nuk qajmë dot”.
Kritika e tij nuk synonte të zhvlerësonte njeriun. Përkundrazi, ishte një kritikë që e shihte shoqërinë pa zbukurime dhe pa klishe, duke përdorur humorin për të evidentuar atë që mund dhe duhej të përmirësohej.
Pikërisht këtu u përqendrua edhe reflektimi i regjisorit Gledis Bica: me ndërprerjen e Viktor Stratobërdhës nuk u ndërpre vetëm karriera e një kineasti. U ndërpre një alternativë artistike dhe një narrativë tjetër e mundshme në kinemanë shqiptare.
Prej kësaj lindi edhe një pyetje që e zhvendosi debatin nga e shkuara te e tashmja: a kemi sot guximin që kishte Viktori për të krijuar pa frikë, për të kritikuar dhe për të ndjekur deri në fund një gjuhë artistike ndryshe?

Rreth 600 fletë për “objektin Stratobërdha”
Nga filmi, Klubi kaloi te një tjetër arkiv: ai i ish-Sigurimit të Shtetit. Gazetarja Rovena Rrozhani, në referimin “Një kineast në objektivin e Sigurimit të Shtetit”, rindërtoi përmes dokumenteve mekanizmin e survejimit dhe përndjekjes. Rreth 600 fletë dokumente u prodhuan për njeriun që në gjuhën operative të Sigurimit trajtohej si “objekti Stratobërdha”.
Dokumentet sollën edhe një fakt domethënës për qëndrimin e tij: Viktor Stratobërdha refuzoi dy herë bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. Kineasti u konsiderua “element antiparti”; survejimi u pasua nga internimi dhe burgimi.
Në këtë mënyrë, dosja nuk tregoi vetëm mekanizmin e represionit, por edhe zgjedhjen personale të një individi përballë presionit të sistemit.
Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi, duke trajtuar Konferencën e Tiranës dhe përpjekjet e para për reformimin e lidershipit komunist, solli kontekstin politik të kohës në të cilën mendimi kritik dhe kërkimi i një hapësire lirie mund të ktheheshin në shkak ndëshkimi.

Deshmite rikthejnë kujtimet për Viktorin por edhe pasojat mbi familjen
Por një njeri nuk mund të rindërtohet vetëm nga dosja që është shkruar për të. Një nga dimensionet më njerëzore të Klubit erdhi përmes familjarëve të Viktor Stratobërdhës.
Përmes një interviste nga Kanadaja, Engjëllushe Stratobërdha, bashkëshortja e regjisorit, dhe vajza e tij, sollën përvojën e familjes gjatë viteve kur bashkëshorti dhe babai ishte në burg. Rrëfimi i tyre e zhvendosi vështrimin nga njeriu i ndëshkuar te familja që jetonte pasojat e të njëjtit dënim: mungesën, pritjen dhe peshën e një përndjekjeje që nuk përfundonte te dera e qelisë, por vazhdonte mbi gruan dhe fëmijët. Vajza, ende e vogël, do të përballej që në bankat e shkollës me stigmën e “armikut të klasës”, duke dëshmuar se ndëshkimi politik i një individi në diktaturë shtrihej edhe mbi brezin tjetër.
Elda Zavalani Stratobërdha, në emër të familjes, ngriti çështjen e përgjegjësisë së shoqërisë për përndjekjen e regjisorit dhe për pasojat e padrejta që dënimi i tij solli mbi të gjithë familjen, e cila për vite me radhë u përball me stigmën dhe përjashtimin shoqëror. Ajo shprehu mirënjohjen për kujtesën dhe nderimin që Klubi i Filmit i kushtoi Viktor Stratobërdhës dhe kërkoi që emri dhe vepra e tij të rivlerësohen edhe nga instancat më të larta të kulturës shqiptare, duke i dhënë vendin që meriton në historinë e kinemasë.
Për Elda Zavalani Stratobërdhën, rikthimi te historia e Viktorit nuk është vetëm një akt nderimi ndaj një artisti të talentuar dhe një familjeje të ndëshkuar padrejtësisht. Është edhe një mësim për shoqërinë, për mënyrën se si ajo përballet me padrejtësitë e së shkuarës dhe merr përgjegjësinë për kujtesën e tyre. Në fund, ajo shprehu dëshirën që histori të tilla të njihen e të kujtohen, që një kohë si ajo që përjetoi Viktor Stratobërdha dhe familja e tij të mos përsëritet më.
Tatjana Buda, mbesa e regjisorit dhe vajza e gjuhëtarit Aleks Buda, solli kujtime nga formimi dhe fillimet e tij artistike: studimet në Rusi, përvojën si asistent regjisor në “Skënderbeu” dhe talentin që kishte shfaqur si kineast. Por ajo solli edhe një Viktor intim, të familjes: lidhjen e tij me motrat, kujdesin e veçantë që tregonte për to dhe kujtime që koha nuk i kishte fshirë.
Sotiraq Stratobërdha, nipi i regjisorit, solli një Viktor plot humor dhe çaste me ngjyra, edhe kur bëhej fjalë për periudhat më të vështira të jetës së tij.
Një prej kujtimeve lidhej me kthimin e Viktorit pas daljes nga burgu, i cili me qwllim qw tw provokonte reagime ecete rrugeve te qytetetit me rrobat e burgut,
Njeriu që kishte kaluar survejimin, internimin dhe burgun e kthente formulën e “edukimit dhe riedukimit” në humor.
Edhe pas shtatë dekadash, situatat e “Pse kështu?” mbeten të kuptueshme. Ato nuk ndërtohen mbi heroin artificial apo klishetë ideologjike, por mbi njeriun e zakonshëm dhe sjelljen e tij.
Në këtë kuptim, rikthimi i Viktor Stratobërdhës nuk është vetëm korrigjimi simbolik i një padrejtësie ndaj një artisti. Është edhe një debat mbi vendin e kritikës në një shoqëri të lirë.
Sepse kritika mund të jetë mjet edukimi, vetëkorrigjimi dhe zhvillimi. Dhe pyetja që ngriti Klubi ishte pikërisht nëse, duke i ndërprerë Stratobërdhës mundësinë për të krijuar, nuk u ndërpre njëkohësisht edhe një mënyrë tjetër për ta parë e kritikuar shoqërinë shqiptare përmes kinemasë.

Testamenti i Viktor Stratobërdhës
Në fund, Klubi ia la fjalën vetë regjisorit. Rovena Rrozhani, e cila, përveç analizës së dosjes së përndjekjes, solli edhe kërkimet e saj në shtypin e kohës, prezantoi mes materialeve të gjurmuara edhe një nga intervistat e fundit të Viktor Stratobërdhës në median shqiptare, Bota Artit, 1996, i pyetur nëse duheshin transmetuar filmat e realizuar gjatë diktaturës, ai përgjigjej:
“Meqë ato, në përgjithësi, nuk e ndihmojnë spektatorin të krijojë një përfytyrim real të atyre viteve të zeza dhe nuk ndihmojnë në krijimin e frymës vëllazëruese që shoqëria jonë demokratike dhe e shtetit të së drejtës duhet të ndërtojë, mendoj që ato të shfaqen duke u seleksionuar me shumë kujdes.”
Një çerek shekulli më vonë, ky mendim tingëllon pothuajse si “testamenti” i tij për filmat e diktaturës dhe lidhet drejtpërdrejt me arsyen e ekzistencës së Klubit të Filmit: si duhet t’i shohim sot filmat e prodhuar nën një regjim totalitar?
Jo duke i shkëputur nga koha që i prodhoi. Jo duke i lexuar vetëm si vepra artistike apo vetëm si produkte propagandistike. Por duke i vendosur përballë dokumentit, historisë, kontekstit dhe dëshmisë njerëzore.
Kjo ishte edhe historia që ndërtoi Klubi i Filmit për Viktor Stratobërdhën: dosja tregoi si e shihte regjimi; filmat treguan kineastin dhe alternativën artistike që po lindte; familjarët rikthyen njeriun me kujtimet, dashurinë dhe humorin e tij.
Dhe nga një karrierë prej vetëm 13 muajsh mbeti një pyetje shumë më jetëgjatë: çfarë humbet një shoqëri kur ia pret rrugën artistit që guxon ta shohë realitetin pa klishe – dhe çfarë fiton kur i jep liri kritikës, humorit dhe mendimit ndryshe?
