AKTUALITET, 15 Qershor 2020, 10:25

“Unë po iki, nuk jam fare mirë”/ Fjalët e fundit të Moikom Zeqos me gazetaren

“Unë po iki, nuk jam fare mirë”/ Fjalët e fundit


Vdekja e akademikut Moikom Zeqo mëngjesin e sotëm ka qenë një ngjarje e trishtë e cila ka sjellë reagime dhe mesazhe të shumta ngushëllimi.

Gazetarja Ola Bruko ka dhënë detaje të bisedës së fundit me akademikun para pak ditësh. Ajo u shpreh se në momentin kur i telefonoi të ndjerit për ti bërë një ftesë për të qenë në emision ditët e fundit, mori si përgjigje nga ai pamundësinë fizike për të qenë prezent.

“Ah moj Ola, unë po iki.., nuk jam fare mirë, nuk mundem të vij” me tha ai..! Më trishtoi pa masë ajo përgjigje, dhe sot me trishtoi shumë ndarja nga kjo jetë e profesorit të nderuar Moikom Zeqo! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të dashurve te tij”, shkruan Ola Bruko!

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo nuk ia ka dalë dot ta përballojë sëmundjen e rëndë, prej së cilës vuante prej vitesh. Ai ka humbur jetën sot në moshën 71 vjeçare në banesën e tij në kryeqytet.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, ndërsa familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku bëri arsimin fillor. Zeqo prej disa vitesh vuante nga leuçemia akute, e cila është bërë shkak dhe për ndarjen e tij nga jeta.

Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-‘76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.

Më 31 janar – 10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeu Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Ai është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht. Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë.