BOTA, 21 September 2026, 17:23

Trump u ndalon aksesin në Shtëpinë e Bardhë, CNN, MSNBC dhe Politico e çojnë çështjen në gjykatë

Tri organizata të njohura mediatike amerikane, CNN, MSNBC dhe “Politico”, planifikojnë të padisin presidentin Donald Trump pas vendimit për t’u ndaluar aksesin në Shtëpinë e Bardhë, njoftuan sot mediet në një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratë, të tria organizatat argumentuan se, nëse vendimi nuk kundërshtohet, ndalimi “kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për gazetari të pavarur, të lirë nga ndërhyrjet e qeverisë”.

Ato bënë të ditur se qeveria ishte njoftuar se padia do të depozitohej sot.

Sipas organizatave mediatike, synimi i padisë është të “mbrojnë parimin se qeveria nuk vendos se çfarë raporton apo publikon shtypi”.

Përplasja mes administratës Trump dhe këtyre mediave u përshkallëzua të premten, kur presidenti deklaroi se të tre organizatat ishin përjashtuar menjëherë nga Shtëpia e Bardhë, duke i akuzuar për përhapje të lajmeve të rreme (fake news).

Kritikët e kanë cilësuar këtë veprim si një përpjekje për frikësim dhe si një sulm ndaj lirisë së shtypit. Megjithatë, mbeti e paqartë se çfarë e kishte nxitur saktësisht njoftimin e Trumpit.

Gazetarëve të të tria medieve iu mohua të shtunën hyrja në territorin e Shtëpisë së Bardhë, sipas deklarimeve të organizatave mediatike.

CNN është një nga kanalet më të njohura të lajmeve në botë, ndërsa “Politico” është pjesë e portofolit të grupit mediatik gjerman Axel Springer.

Gjatë mandatit të tij të dytë, presidenti Trump ka ndjekur një qasje gjithnjë e më të ashpër ndaj mediave që nuk i pëlqejnë. Ai shpesh ka kritikuar dhe fyer gazetarë kur nuk i pëlqejnë pyetjet e tyre, ndërsa mbulimi mediatik në favor të tij është vlerësuar publikisht nga presidenti.