BOTA, 5 September 2026, 22:29

Tensione në Britani/ Të veshur me të zeza dhe të maskuar, protestuesit në Dover bllokojnë rrugën e Portit! Thirrje kundër emigracionit: Ndaloni anijet

Dhjetëra persona të veshur me të zeza dhe me maska kanë bllokuar të shtunën në mëngjes rrugët pranë portit të Doverit, në Kent, duke shkaktuar trafik dhe vonesa të konsiderueshme për udhëtarët.

Policia e Kentit ka deklaruar se ndodhej në zonë dhe po merrej me situatën, ndërsa Porti i Doverit e përshkroi protestën si një incident të rendit publik.

Gjatë protestës nuk pati arrestime. Bllokada preku rrugët hyrëse dhe dalëse të portit, përfshirë autostradën. Bllokimi i rrugës në të dyja drejtimet shkaktoi vonesa deri në 30 minuta, ndërsa radha e automjeteve arriti në rreth 6.5 kilometra.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një grup të madh personash të maskuar duke marshuar në rrugë. Protestuesit bllokuan qarkullimin dhe brohoritën slogane kundër emigracionit, ndërsa disa prej tyre bërtisnin: “Ndaloni anijet”.

Përgjegjësinë për protestën duket se e ka marrë grupi anti-imigracion Patriot Platform. Aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, emri i vërtetë Stephen Yaxley-Lennon, publikoi dhe shpërndau disa video nga protesta, duke u bërë thirrje mbështetësve të shkonin në Dover.

Numri i saktë i protestuesve nuk është bërë ende i ditur. Dëshmitarë në vendngjarje folën për qindra persona, ndërsa Policia e Kentit nuk ka dhënë një shifër zyrtare.

Protesta ndikoi edhe në aktivitetet lokale. Aktiviteti i vrapimit “Parkrun”, i organizuar në Dover Waterfront, u anulua për shkak të situatës, ndërsa disa punonjës të portit u përballën me vështirësi për të dalë nga zona.

Deputeti laburist për Dover dhe Deal, Mike Tapp, e dënoi protestën, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shkaktuar trazira në qytet.

Edhe qeveria britanike dënoi ndërprerjen e udhëtimit, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore është themelore, por se ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar ndërprerjen e transportit dhe shqetësimin e komunitetit.