BOTA, 5 September 2026, 12:57

SHBA rikthen përpjekjet për paqe në Ukrainë, Witkoff dhe Kushner nisen drejt Moskës e Kievit

Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë marrin një hov të ri, teksa të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të zhvillojnë takime në Rusi dhe Ukrainë.

Dy negociatorët amerikanë pritet të takohen sot në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa të dielën do të udhëtojnë drejt Kievit, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sipas Trump, Witkoff dhe Kushner kanë me vete një propozim të ri për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka hyrë në vitin e pestë.

“Ata kanë me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, deklaroi Trump, duke konfirmuar misionin diplomatik të dy të dërguarve të tij.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur së fundmi optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Megjithatë, mes Moskës dhe Kievit vijojnë të ekzistojnë dallime të thella, veçanërisht për çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.

Vizita në Ukrainë do të jetë e para për Witkoff dhe Kushner në kuadër të këtyre përpjekjeve diplomatike, ndërsa të dy kanë zhvilluar më herët disa kontakte në Rusi.

Në terren, ndërkohë, situata mbetet e tensionuar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se një dron rus goditi zyrën e kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, Oleksandr Poklad. Ky i fundit nuk raportohet të jetë plagosur.

Zelensky tha se i ka kërkuar drejtuesit të SBU-së t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme sulmit.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan edhe viktima nga sulmet ruse. Katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm ndaj qytetit Kamianske, në rajonin e Dnipropetrovskut.

Në këtë klimë të tensionuar, misioni i dy të dërguarve amerikanë shihet si një përpjekje për të afruar palët dhe për të gjetur një formulë që mund të çojë drejt përfundimit të konfliktit.