TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kritikon qeverinë për masat e marra në kohën e pandemisë së Covid-19 në arsim.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Boçi u shpreh se qeveria shqiptare po bën të kundërtën e vendeve të BE-së apo edhe të atyre të rajonit. Sipas ish-deputetit të PDsë, në një kohë që vendet e tjera po rikthehen gradualisht në arsimin fillor dhe pa-rauniversitar dhe do vazhdojë mësimin online për universitetet, Shqipëria bën të kundërtën. “Ndërkohë, Shqipëria bën të kundërtën.
E mbyll duke përjashtuar maturën në formë penalizuese. Për auditorët universitarë, asnjë vend nuk ka plan hapjeje, pasi efektiviteti i mësimit online aty tek ata është i prekshëm, sepse universitetet e tyre prej kohësh kanë platformat e dedikuara dhe organizimi universitar është plural e kërkon një shkallë hapje sociale afër normales”, tha Boçi. Ish-deputeti akuzon qeverinë se ndërmerr këtë veprim me qëllimin për të kapur universitetin. “Studentët do përdoren si aksesorë për të legjitimuar një proces zgjedhor ilegjitim.
Ai kërkon medoemos të bëjë zgjedhje, në një kohë që universitetet janë larg nga jeta fizike dhe larg realizimit të një procesi zgjedhor dinjitoz. Nuk ka mundësi fushate, paraqitje platformash, debati, mendimi.
Vota e tyre ka pak peshë 10%, por pa të procesi nuk do konsiderohej në opinion. Qëllimi i kthimit të tyre lidhet me nxitimin e Ramës për të grabitur zgjedhjet universitare para zgjedhjeve politike, që të grabisë dhe këto sipas parimit: njëra dorë lan tjetrën, të dyja fytyrën e pushtetit”, thotë Boçi. Ndërkohë, ish-deputeti i PD rekomandon ngritjen e një grupi IT për të gjetur një platformë adekuate për mësimin online.
Z. Boçi, opozita, ju konkretisht, e keni konsideruar më herët dështim mësimin online, ndërkohë tani pozicionoheni edhe kundër rikthimit në auditorë, përse?
Dështimi ishte i parashikuar për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë për të implementuar inovacionin e teknologjinë në mësimdhënie dhe ndodhi për shkak të mungesës së një strategjie reale e profesionale dhe kaotizmit, me të cilin u menaxhua ky proces. Mbyllja e sistemit parauniversitar dy javë para datës zyrtare është thjesht pranimi zyrtar i këtij dështimi. Sistemi parauniversitar është parashikuar të hapet në mënyrë graduale në shumë vende europiane dhe fqinje.
Ndërkohë, Shqipëria bën të kundërtën. E mbyll duke përjashtuar maturën në formë penalizuese. Për auditorët universitarë, asnjë vend nuk ka plan hapjeje, pasi efektiviteti i mësimit online aty tek ata është i prekshëm, sepse universitetet e tyre prej kohësh kanë platformat e dedikuara dhe organizimi universitar është plural dhe kërkon një shkallë hapje sociale afër normales.
Aq më tepër, megjithëse kanë shumë testime e nuk kanë vendim hapje. Edhe për auditorët, Shqipëria bën të kundërtën. Detyron studentët të rikthehen. I detyron pa bërë testime dhe pa pasur një panoramë reale të pandemisë.
I detyron kur godinat dhe konviktet nuk kanë kushtet minimale higjieno-sanitare. Këtu, akoma më keq, qëllimi nuk është procesi mësimor, por organizimi i zgjedhjeve fiktive për kapjen politike të universiteteve. Qeveria nuk ka argumente për vendimet në mungesë të testimeve masive.
Si duhet të vazhdojë në pjesën e mbetur të kohës mësimi në universitete, sipas jush?
Së pari, deri tani, procesi është nul, pasi Ligji i AL e pengon diplomimin në distancë dhe teknologjia e përdorur le shumë për të dëshiruar. Mungojnë platformat e dedikuara dhe standardet për një mësim efektiv. Së dyti, degë të ndryshme kanë specifika të ndryshme dhe kjo zgjidhje duhet t’u lihet në dorë universiteteve, që çdo vendim e përputhin më pas me vendimet kombëtare të hapjes.
Duhet të jenë senatet ato që marrin vendimet dhe jo qeveria. Universitetet janë autonome. Gjithmonë duke respektuar protokollet e vendosura. Jo siç po ndodh. Qeveria jep tjetër plan hapje. Ministria e Arsimit paraqet e detyron një plan krejt tjetër, që bie ndesh më atë që është thënë e vendosur më parë. I vetmi vendim i drejtë i qeverisë do të ishte ndryshimi i ligjit, për t’i çliruar universitetet nga gjendja antiligjore ku janë dhe t’i krijohet atyre mundësia të bëjnë një investim serioz për të sotmen dhe të ardhmen e modernizimit të procesit mësimdhënës nëpërmjet alternativës dhe të online, siç e kanë të gjitha universitetet e Evropës e më gjerë.
Sipas jush, a duhet të vazhdojë më tej ky vit akademik apo
Duhet të përsëritet, pasi më herët kemi pasur ndërprerje edhe për shkak të tërmetit?
Viti akademik duhet të vazhdojë. Alternativa zgjidhjeje ka, nëse ka investime e vëmendje të duhur. Universitetet nuk mund të dështojnë si arsimi parauniversitar.
A ka Partia Demokratike propozime konkrete për një strategji të kthimit të normalitetit të mësimit? Mund të na rendisni disa sugjerime?
Kemi kërkuar me kohë ngritjen e një grupi me specialistë të IT dhe pedagogjisë për të paraqitur një strategji të saktë për mënyrën dhe standardet e procesit mësimor në online. Grup pune, specifikisht për maturën.
Ndërhyrjen në kurrikula dhe programe për një kohë provizore për të përputhur metodikën e transmetimit me temat themelore. Investime në shkolla që secila të ketë platformën e dedikuar me të dhënat e plota për çdo klasë e lënde. Dhënia e ndihmës financiare për 120 mijë familje në zgrip të varfërisë dhe atyre që dolën të papunë nga pandemia, që fëmijët e tyre të arrinin aksesin në internet dhe aparate smart. Vëmendje e shtuar për shpërblimin e punës së mësuesit dhe pajisjen e tyre me internet falas dhe pajisje moderne që mundësojnë komunikime online në grup. Testime masive te nxënësit e prindërit, me qëllim që hapja graduale të ishte e shëndetshme. Asgjë nuk u mor në konsideratë.
Si mund të realizohet kapja e universiteteve, duke urdhëruar rikthimin në auditorë?
Pyetja juaj nuk e shpreh aq saktë shqetësimin. Studentët po sillen me forcë në auditorë, jashtë protokolleve të sigurisë. Vijnë nga vende të ndryshme me shkallë pandemie të ndryshme. Do jetojnë në grup.
Do zhvillojnë kontakte mësimore në grup në ambiente aspak higjienike. Alarmi është i kuq aty dhe në Tiranë. Studentët do përdoren si aksesorë për të legjitimuar një proces zgjedhor ilegjitim. Ai kërkon medoemos të bëjë zgjedhje në një kohë që universitetet janë larg nga jeta fizike dhe larg realizimit të një procesi zgjedhor dinjitoz. Nuk ka mundësi fushate, paraqitje platformash, debati, mendimi. Vota e tyre ka pak peshë 10%, por pa të procesi nuk do konsiderohej në opinion.
Qëllimi i kthimit të tyre lidhet me nxitimin e Ramës për të grabitur zgjedhjet universitare para zgjedhjeve politike, që të grabisë dhe këto sipas parimit: njëra dorë lan tjetrën, të dyja fytyrën e pushtetit. Rama është gati të bëjë theror shëndetin e tyre për të përmirësuar shëndetin e vet politik e mendor.