SPORT, 15 Qershor 2024, 21:59

Itali-Shqipëri/ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 2-1

Itali-Shqipëri/ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 2-1

Ka përfunduar pjesa e parë mes Italisë dhe Shqipërisë, sfidë e vlefshme për Grupin B të Kampionatit Europian.

“Azurrët”, pas 45 minutave kryesojnë me rezultatin 2-1 teksa arritën të përmbysin golin e Nedim Bajramit me anë të Alessandro Bastoni-t dhe Barella-s.

Në “Signal Iduna Park”, kuqezinjve u kanë mjaftuar vetëm 24 sekonda për të gjetur rrugën e rrjetës kundër kampionëve në fuqi të Italisë, duke nisur fillimisht festën.

Një aksion i bukur i skuadrës së Sylvinhos është finalizuar më së miri nga “fantazisti” , Nedim Bajrami, i cili me një goditje nga një kënd i ngushtë mposht portierin Donnarumma.

Por vetëm 9 minuta pas golit të kuqezinjve “azurrët “kanë arritur të tundin rrjetën e Thomas Strakoshës me anë të Bastonit. Një krosim fantastik në zonë kapet bukur me kokë nga mbrojtësi Alessandro Bastoni, i cili me një goditje fantastike me kokë dërgon topin në rrjetë.

Italia arriti të përmbysi gjithçka, duke shkatërruar totalisht festën e  kuqezinjve, vetëm 5 minuta pas golit të barazimit.

Pasi merr një pasim të shkurtër nga jashtë zone,  Nicolo Barella ka lëshuar një predhë nga jashtë zone duke tundur rrjetën e Strakoshës, i cili nuk arriti të bënte asnjë lëvizje.

Ndërkohë në minutën e 34-të i shkuan fare pranë golit të tretë çka do të ishte fatal për shpresat e kuqezinjve për një rezultat pozitiv sonte.

Kombinim i Scamacca-s me Frattesin në të djathtën, dhe gjuajtja e këtij të fundit devijohet nga Strakosha dhe topi përplaset në shtyllë, duke shmangur golin e tretë.

Tashmë e gjitha çka mbetur për t’u luajtur është pjesa e dytë e kësaj sfide, ku djemtë tanë do të kërkojnë me kërshëri golin e barazimit historik, që mund të na jepte 1 pikë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin tonë evropian, megjithatë përballë katër herë kampionëve të botës, asgjë nuk do të jetë e lehtë.