SPORT, 8 Nëntor 2021, 16:08

Egnatia ndal edhe Vllazninë, shkodranët i largohen kreut

Egnatia ndal edhe Vllazninë, shkodranët i largohen kreut

Egnatia dhe Vllaznia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e fundit të javës së tetë të "Abissnet Superiore", teksa ata që kaluan të parët në avantazh ishin rrogozhinasit me anë të një goditje spektakolare të Besir Isenit nga distanca në minutën e 15-të.

Megjithë përpjekjen e portierit Zogovic, sfera ishte e destinuar të përfundonte në rrjetë duke sjellë festën në stadium e Egnatias. Ndërkaq, goli zgjoi shkodranët të cilët me Jonuzin ishin pranë barazimit, por goditja nga mesfushori përfundoi në këndore.

Në anën tjetër, të besuarit e trajnerit Gugash Magani kishin një mundësi të artë për të dyfishuar me anë të sulmuesit Pedro Augusto, por në këtë rast Zogovic e bëri mirë detyrën.

Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin e vendasve, portieri Puja shkakton 11-metërsh pasi shkeli Liridon Latifin.

Në fakt, gjyqtari Bajramaj nuk e akordoi penalltinë, por më pas me ndërhyrjen e VAR ndryshoi mendim. Kështu, nga pika e bardhë, Latifi ekzekutoi saktësisht për të rivendosur baraspeshën në të 45'.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë, Imeri ishte i pafat me goditjen e tij që u përplas në traversë ndërsa nga ana tjetër, Kruja u ndal nga Puja. Në vazhdim, të dyja ekipet provuan ta fitonin ndeshjen, por rezultati nuk ndryshoi dhe kështu ekipet e mbyllën në barazim 1-1. Pas këtij takimi, Vllaznia mban vendin e pestë me 10 pikë, ndërsa Egnatia një pozicion më poshtë, po me 10 pikë.