SPORT, 30 Maj 2019, 09:42

Rënia e një demokracie kur bëhen zgjedhje pa opozitën

Rënia e një demokracie kur bëhen zgjedhje pa opozitën


Nga Stephen Paduano

Receta nuk është e mirë: një biznesmen i pacipë, një palë zgjedhje të diskutueshme dhe të dhëna për kriminalitet. Këto përbërës shqetësues u bënë bashkë për të vluar këtë muaj në Benin, pasi një nga demokracitë më të forta në botë vendosi të mos lejojë partitë e opozitës të garojnë, protestuesit dolën në rrugë dhe pati një seri arrestimesh dhe vdekjesh. Teksa demonstratat u shtuan pas zgjedhjeve parlamentare të prillit, presidenti Patrice Talon bllokoi aksesin në internet dhe lëshoi policinë.

Kjo histori mund të duket rutinë në të tjera pjesë të botës në zhvillim, por është anomali në Benin, në vendin që ndezi një valë demokratizimi në Afrikë në vitet ’90 dhe që ka mbetur rezistent ndaj shkatërrimit dhe rrëshqitjes pas prej asaj kohe. Pas tre dekadash paqeje dhe progresi, kombi i Afrikës Perëndimore tashmë gjendet përballë ‘recesionit demokratik’, një term i shpikur nga studiuesi i shkencave politike, Larry Diamond, për të përshkruar një prirje të dukshme që po shfaqet në çdo kontinent. Nga fitoret populiste në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, te partitë e ekstremit të djathtë në pushtet në Brazil e Hungari dhe autoritarët e vendosur në Turqi e Filipine, erozioni në sasi dhe cilësi i demokracisë po kthehet në shqetësim. Tashmë edhe Benini i bashkohet listës.

Edhe pse zhvillimet janë shqetësuese, kushtet që kanë sjellë gjendjen e tanishme nuk janë të reja. Në Benin dhe më gjerë, është e rëndësishme të kuptohet kriza e demokracisë në shekullin e 21-të, jo më pak se si një krizë e pritshmërive nga shekulli i 20-të. Historia e Beninit reflekton shumë të tjera nëpër botë, por fundi i saj është- ose të paktën, duket shumë më i mirë.

I kolonizuar nga Franca në fund të shekullit të 19-të dhe i shkatërruar nga grushtet e shtetit në mesin e shekullit të 20-të, pavarësia e Beninit do të shkatërrohej nga një diktaturë marksisto-leniniste, e cila gati ia doli të hynte në shekullin e 21-të. Por kur komunizmit u shemb përfundimisht, lindi tranzicioni në një demokraci më të frytshme se shumica e vendeve të tjera. Shumë shpejt zgjedhjet e lira dhe të ndershme, institucionet funksionale dhe garancitë e lirive individuale u bënë shenjë dalluese e këtij vendi. Deri më tani, Benin vlerësohej lart nga vëzhguesit e demokracisë në botë, duke u renditur në krye të disa indekseve të mirënjohura për qeverisjen, lirinë e shtypit, pjesëmarrjen politike dhe shumë të tjera. Në masa të ndryshme, demokracia e këtij vendi i tejkalonte shumicën e vendeve të Afrikës, por në pjesën më të madhe edhe të Azisë dhe Amerikës Latine, sipas Reporterëve pa Kufij, pjesë të Europës sipas Njësisë së Inteligjencës Ekonomike dhe gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara, sipas Freedom House.

E gjitha po kërcënohet tashmë nga Talon, presidenti biznesmen, fitimet e dyshuara të të cilit, bashkë me falimentimin e kundërshtarëve politikë, por edhe dyshimet se ka përgatitur një komplot për të helmuar paraardhësin e tij, janë pjesë e shqetësimeve të forta se sa poshtë mund të bjerë demokracia e Beninit. Transformimi filloi gushtin e kaluar, kur komisioni zgjedhor i Beninit, i mbushur plot me mbështetës të Talon, bëri dy ndryshime për kostot e kandidimit dhe pragun e fitores.

Sipas ndryshimeve të reja, partitë në zgjedhjet parlamentare duhet të paguajnë 402 mijë dollarë për çdo kandidat në terren- një rritje prej 1500 për qind nga shuma e mëparshme. Përveç kësaj, partitë duhet të sigurojnë 10 për qind të votës së përgjithshme kombëtare për të hyrë në parlament, duke i detyruar partitë lokale të krijojnë një prezencë kombëtare. (Më përpara, partitë zgjidheshin përmes një përfaqësimi proporcional, duke bërë që dhjetëra partitë të hynin në parlament). Qëllimi ishte në dukje fisnik. “Kjo do u japë fund forcave politike që krijohen rreth një personaliteti, një qyteti apo në rajon”, tha për një revistë të njohur afrikani, deputeti Gildas Agonkan. Ose siç më tha Claire Adida, një studiuese në Benin dhe eksperte e Afrikës Perëndimore në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, qeveria argumentoi se ndryshimet do të reduktonin përhapjen e partive politike të regjistruara, që aktualisht janë më shumë se 200, në mënyrë që politikanët të bashkohen, të krijojnë koalicione më të gjera dhe të punojnë për linja etnike dhe rajonale. Por, shtoi ajo, “është e paqartë se si do arrihet kjo”.

Por kjo nuk ndodhi. Ajo që ndodhi ishte një pastrim i fushës. Dy muaj përpara zgjedhjeve të prillit, komisioni zgjedhor i Beninit njoftoi se asnjë parti opozitare- as edhe një bllok që përbën më shumë se një të tretën e parlamentit, nuk kualifikohej për të garuar në zgjedhjet legjislative. Vetëm presidenti Talon, ‘Mbreti i Pambukut’ në Benin, që ka ndërtuar një pasuri prej 400 milionë dollarësh në bujqësi, ishte në gjendje të kapërcente pengesat që kishte krijuar vetë, duke përdorur xhepat e thellë, familjaritetin me votuesit dhe kontrollin mbi gjykatat ndaj besnikëve të tij që kërkonin zgjedhje.

Teksa lajmi u shpërnda dhe ai sugjeronte se vendi po kthehej nën sundimin e një partie, protestuesit dhe policia dolën në rrugë. Në javët përpara zgjedhjeve, trazirat u shtuan dhe presidenti nuk lëshoi terren, duke refuzuar që të shtynte votimet ashtu siç kishin bërë paraardhësit e tij në mes të trazirave dhe situatave të ngjashme. (Ka patur probleme edhe në zgjedhjet e kaluara- por vendi e mori veten nga ky ngërç). Kur zgjedhjet pa opozitën mbërritën më në fund më 28 prill, situata u bë akoma më e rëndë pasi Talon bllokoi qasjen në Facebook, Twitter dhe WhatsApp, dhe në fund të gjithë internetin. Iliberalizmi i ri i vendit ishte i qartë. Pjesëmarrja në votime u raportua në 23 për qind, rreth një e treta e shumës së zakonshme. Pastaj përplasjet rezultuan fatale pasi policia rrëmbeu protestuesit, qëlloi mbi turmën dhe raportohet se vrau të paktën shtatë persona.

Tani rrugët janë pastruar dhe jeta, për disa, është kthyer në normalitet. Dhe meqë të gjitha 83 vendet e Asamblesë Kombëtare janë plotësuar nga deputetët e presidentit, rendi- për çfarë mund të ketë vlerë- është rivendosur gjithashtu. Megjithatë nuk ka demokraci. Kur Larry Diamond, shkencëtari politik në Universitetin e Stanfordit, paralajmëroi botën për ‘recesionin demokratik; në esenë e tij të famshme në vitin 2015, ai kishte në mendje rënie të tilla si kjo e Beninit. Ai foli për ‘erozion të ndershmërisë zgjedhore, pluralizmit politik dhe hapësirës qytetare për opozitën dhe disidencën’. Kjo është bërë së fundmi një panoramë familjare në Benin, me rezultatin zgjedhor të paracaktuar, me mungesën e opozitës dhe me frenimin e medias. Shkaku, shkruante Diamond, do ishte ‘qëllimet abuzive të drejtuesve ekzekutivë që synojnë përqendrimin e pushtetit në duart e tyre’.

Edhe pse impulsi për ta lidhur Benin me një recesion demokratik më të madh global, duket i drejtë, kjo nuk do të thotë që të mos pranojmë se demokracia ka vuajtur edhe në të shkuarën. Ky reagim nënkupton se demokracia është në thelb pa të meta deri në këtë shpërthim të pashpjeguar të dekadës së fundit. Kjo është larg problemit. Demokracia e Benit ishte pa dyshim një sukses si pak të tjera, por, si të gjitha demokracitë, suksesi i saj ishte i brishtë. Politikat e saj partiake kanë qenë prej kohësh të brishta dhe të frakturuara. Tre nga katër presidentë që kur demokracia erdhi në vitin 1991, ishin të pavarur, ndërsa në total janë 200 parti në një ekzistencë të turbullt. Korrupsioni dhe klientelizmi janë shumë të përhapur prej kohësh, ryshfeti është i zakonshëm dhe nepotizmi është i kudogjendur. Për më tepër, shumë procese zgjedhore kanë hasur vonesa, ndërprerje dhe akuza për parregullsi- më së shumti në vitet 2001, 2011 dhe 2016- megjithatë në një shkallë më të vogël se në vitin 2019. Edhe ofertat për të forcuat autoritetin presidencial dhe për të zgjeruar kohëzgjatjen e mandateve kanë ekzistuar.

Nëpër botë, ka një impuls për të folur me pasion për triumfin e demokracisë. Ky impuls duket më shumë emocional sesa empirik. Në të njëjtin numër të revistës ‘Demokracia’, ku Diamond njoftonte për ‘recesionin demokratik’, dy akademikë të tjerë, Stiven Levitsky dhe Lucan Way, bënin një shtysë. Sipas tyre, problemi është perceptimi. “Optimizmi dhe vullnetarizmi i tepruar, që përhapën analizat e tranzicionit të post Luftës së Ftohtë, krijuan pritshmëri joreale, që, kur nuk u realizuan, krijuan pesimizëm dhe zymtësi të ekzagjeruar”. Tashmë, në Benin dhe jo vetëm, ne vazhdojmë të bëjmë atë për të cilën ishim paralajmëruar: mbajeni mend të shkuarën me optimizëm, brengosuni për të tashmen me pesimizëm dhe injoroni realitetet e ndërmjetme.

The Atlantic