BOTA, 12 September 2026, 10:53

Putin: Rezultati i AfD-së në Gjermani pasojë e gabimeve të Perëndimit

Presidenti rus Vladimir Putin e ka lidhur rezultatin e fortë të partisë së ekstremit të djathtë gjerman, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në zgjedhjet e fundit rajonale në landin e Saksonisë-Anhalt me, siç i cilësoi ai, “gabimet” e vendeve perëndimore.

“Çdo gjë që po ndodh tani në Evropë është rezultat i gabimeve sistematike nga shtetet perëndimore në politikë, siguri dhe ekonomi”, deklaroi Putin gjatë një bisede me gazetarët në Nju Delhi.

Presidenti rus akuzoi gjithashtu qeveritë evropiane se po provokojnë një konflikt të hapur me Rusinë dhe po shkaktojnë shqetësim te qytetarët e tyre. Sipas tij, kjo është reflektuar edhe në rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani.

AfD fitoi një rekord prej 43.8% të votave të dielën në Saksoni-Anhalt, duke mbetur shumë pranë sigurimit të shumicës absolute.

“Njerëzit në vendet evropiane e kuptojnë se çfarë po ndodh”, tha Putin, duke shtuar se beson se pikërisht kjo është një nga arsyet e rezultatit të zgjedhjeve në Gjermani.

Putini ndodhet në Indi për samitin e BRICS që zhvillohet këtë fundjavë.

Gjatë qëndrimit në Nju Delhi, presidenti rus tha gjithashtu se Rusia nuk kërcënon vendet evropiane dhe se nuk ka arsye për një përplasje mes tyre dhe Moskës. Sipas tij, këto çështje janë zgjidhur që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, siç thekson Agjencia Gjermane, Putin kishte deklaruar edhe para pushtimit rus të Ukrainës se Moska nuk po planifikonte një luftë.

Presidenti rus argumentoi se, përkundrazi, janë vendet evropiane ato që po e çojnë situatën drejt konfliktit.

“A duan të rishikojnë rezultatet e Luftës së Dytë Botërore? Ku po i shtyjnë popujt e vendeve të tyre? Drejt një lufte me Federatën Ruse?”, tha Putin.

“Ata tani po thonë se po mendojnë se si mund të dërgojnë trupa në territorin ukrainas. Kjo do të thotë luftë me Rusinë”, shtoi presidenti rus.