AKTUALITET, 18 Korrik 2021, 23:14

Protesta për zgjatjen e orarit të muzikës në Vlorë, përplasje mes operatorëve dhe Policisë, shoqërohet forcërisht një grua

Protesta për zgjatjen e orarit të muzikës në Vlorë,

Është regjistruar një përplasje këtë mbrëmje mes operatorëve të bizneseve në Lungomare të Vlorës dhe Policisë. Mësohet se, një grua u shoqërua forcërisht nga uniformat blu.

E gjitha nisi nga protesta e ndërmarrë nga operatorët turistikë përgjatë zonës së Lungomares në Vlorë. Këta të fundit, pas orës 22:00, që përkon dhe me orarin për ndalimin e muzikës, vendosën në sfond, kolonën zanore të Himnit Kombëtar.

Operatorët në këtë pjesë të qytetit, ditët e fundit kanë paralajmëruar protesta, pasi janë kundër orarit aktual të lejimit të muzikës. Ata kërkojnë zgjatje të saj, pasi sipas tyre, kjo masë ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e biznesit, në këtë periudhë të vitit, ku dhe qyteti frekuentohet nga qindra turistë vendas e të huaj.