AKTUALITET, 11 May 2019, 19:06

Protesta e opozitës/ Dhjetëra mijëra qytetarë kërkojnë largimin e Edi Ramës

Dhjetëra mijëra qytetarë, po marrin pjesë në protestën e opozitës, përballë Kryeministrisë. Kjo është protesta e katërt kombëtare e opozitës, e cila synon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Protestës së sotme, i janë bashkuar disa grupime të cilat protestojnë për kauza të ndryshme, siç janë banorët e Astirit, të cilët protestojnë prej muajsh, kundër projektit korruptiv për rindërtimin e Unazës së Re, projekt i cili do të shembë banesat e tyre. Në protestë janë bashkuar gjithashtu, edhe artistë të cilët kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar.

Policia i ka dhënë opozitës, vetëm dy orë leje, për zhvillimin e protestës, edhe pse partitë opozitare kanë kërkuar leje deri në mesnatë. Pas këtij refuzimi, Partia Demokratike, ka deklaruar se nuk e njeh Policinë e Tiranës.

Protesta ka qenë mjaft e tensionuar që prej fillimit të saj. Drejt godinës së kryeministrisë, janë hedhur bomba molotov, kapsolla dhe bojë. Kjo ka bërë që policia të hedhë gaz lotsjellës që prej fillimit të protestës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ndërprerë fjalimin e tij, në momentin kur policia ka hedhur gaz lotsjellës.

Më pas protesta është zhvendosur tek godina e Parlamentit, ku policia ka hedhur një sasi shumë të madhe gazi lotsjellës. Gjithashtu, policia ka dhunuar në mënyrë barbare, Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, duke e goditur me shkop gome dhe grushta, pa asnjë arsye. Dollapi është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë, ku mbërritën gjithashtu mbështetës të Partisë Demokratike dhe kryetari i partisë, Lulzim Basha. Policia ka hedhur gaz lotsjellës në sasi të mëdha, edhe tek Drejtoria e Policisë, gjë që ka bërë që banorët e zonës, të kenë probleme të shumta me frymëmarrjen edhe brenda shtëpive të tyre.

Ndryshe nga protestat e tjera, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe Tirana ka qenë efektivisht, në shtetrrethim.

/TPZ.al/ 

FOTO: