TEJ E KETEJ, 12 Shtator 2019, 19:34

Përçarje e madhe brenda opozitës së re, Rudina Hajdari: Jo veto! Ralf Gjoni: Po veto!

Përçarje e madhe brenda opozitës së re, Rudina Hajdari: Jo


Më në fund edhe ajo që nuk pritej ndodhi. Një përçarje shumë e papritur dhe tmerrësisht e madhe, ka plasur brenda opozitës së re.

Protagonistët e kësaj përçarje kaq të beftë janë, kryetarja e grupit demokratik të opozitës së re, Rudina Hajdari dhe individi me kredite të mëdha ndërkombëtare, Ralf Gjoni.

Përçarja mes këtyre dy personazheve, nga më të rëndësishmit e parlamentit shqiptar, ka ndodhur për shkak të reformës zgjedhore, e cila është shpallur si kauza e kësaj opozite.

Edhe pse këto dy figura të mëdha, kanë një vlerësim të veçantë, për rëndësinë që ka ndryshimi i sistemit aktual elektoral, ata kanë mendime dhe metodika të kundërta për realizimin e këtij objektivi të rëndësishëm.

Duke qenë se, vendimi i paradokohshëm, për pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, si dhe vota për amendimet në ligjin elektoral, u vendosën si kusht i panegociueshëm nga tre grupet parlamentare të opozitës së re, u duk se  kompaktësia dhe uniteti do të vazhdonin deri në fund, por nuk ndodhi kështu.

Pikërisht në nisje të sesionit të ri politik, dy muaj nga koha e përfundimit të komisionit të posaçëm, ndodhi përçarja e madhe.

Bashkëkryetarja e komisionit, Rudinë Hajdari, deklaroi se grupi i saj, nuk do të vendoste veton në parlament, për këtë problem.

Por, ndryshe nga deputetja Rudinë, është Ralf Gjoni, i prerë dhe i palëkundur, për të kushtëzuar votën për miratimin e reformës, me ndryshimin e sistemit elektoral. Ralf Gjoni është besimplotë se në këtë veto. ka me vete armën e tij më të fortë, komunitetin ndërkombëtar.

Kjo përçarje mes Rudina Hajdarit dhe Ralf Gjonit, është më e madhja dhe më e rënda, në  historinë 30 vjeçare të opozitës shqiptare, që nga dita e parë e pluralizmit, deri më sot. Ndoshta, vetëm ndërhyrja e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin, Mathew Palmer, mund ta zgjidhë dhe t'i japë fund kësaj përçarje të rrezikshme, në gjirin e opozitës së re edhe parlamentare edhe demokratike.

/TPZ.al/ Tej e këtej/