BALLKAN, 10 August 2026, 18:09

Opozita e Kosovës kundër Zelenskyt/ Deputeti opozitar: Deklaratat, gabim diplomatik

Qëndrimi i Zelenskyt për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga Beogradi, i shfaqur krah për krah me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, gjithsesi nuk përfaqëson mendimin e të gjithë politikës në Ukrainë. Oleksiy Goncharenko, deputet i Parlamentit ukrainas nga partia opozitare Solidariteti Evropian dhe përfaqësues i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cilësoi këtë qëndrim si “gabim diplomatik”.

“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës.
Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e saj dhe, përfundimisht, Ukraina do ta njohë atë.”. Partia e Goncharenkos është e lidhur me ish-presidentin Petro Poroshenko, ndërsa vetë deputeti njihet për qëndrimet e tij për migracionin, refugjatët dhe personat e zhvendosur.

Deklarata e Zelenskyt është kundërshtuar nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, urdhëroi heqjen e banerit në sheshin kryesor, ku shkruhej “Free Ukraine”. Situata shfaqet e komplikuar edhe për shkak të lidhjes së ngushtë mes Serbisë dhe Rusisë. Moska, përveç mbështetjes që i ka dhënë Beogradit dhe qëndrimeve të saj lidhur me Kosovën, ka artikuluar jo pak herë edhe kërkesën për dënimin e krerëve të UÇK-së në Hagë.