TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Incidenti i së shtunës në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të njohura ndërkombëtare.
Pamjet nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës janë publikuar nga disa prej mediave dhe agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, duke e bërë incidentin një nga momentet më të komentuara të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.
Agjencia Associated Press (AP) publikoi videon e incidentit me titullin: “Ligjvënësja opozitare hedh vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
Edhe agjencia Reuters u ofroi mediave fotografi dhe video nga zhvillimet në Kuvend, ndërsa The Guardian publikoi videon duke e titulluar: “Ligjvënësja kosovare i hedh vezë kryeministrit”.
Incidenti u pasqyrua gjithashtu nga BBC dhe Sky News, të cilat publikuan pamjet e momentit kur deputetja opozitare hodhi vezët në drejtim të Albin Kurtit gjatë seancës parlamentare.
Hedhja e vezëve ndodhi në një moment tensioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte kërkuar më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke argumentuar se dialogu mes partive mund të shmangë zgjedhjet e reja.
Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi ndërhyrjen e sigurimit, ndërsa zhvillimet në Kuvend u shoqëruan me përplasje dhe akuza mes pozitës dhe opozitës.
Incidenti, i cili ndodhi në sallën e Kuvendit të Kosovës, ka marrë kështu jehonë edhe jashtë vendit, pasi pamjet e përplasjes politike janë shpërndarë nga disa prej mediave dhe agjencive më të mëdha ndërkombëtare.