LIFESTYLE, 3 August 2026, 21:42

“Nuk ka fjalë për gëzimin dhe krenarinë”, Dua Lipa përmbyll Sunny Hill Festival me emocione pas një tjetër edicioni të suksesshëm

Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit disa momente nga nata e tretë dhe përmbyllëse e Sunny Hill Festival, duke sjellë pamje nga atmosfera e festivalit dhe emocionet e përjetuara gjatë këtij edicioni.

Në fotografitë e publikuara, këngëtarja shihet duke shijuar muzikën dhe momentet e veçanta së bashku me familjen e saj, përfshirë babanë e saj, Dukagjin Lipa, motrën Rina Lipa dhe vëllanë Gjin Lipa.

Krahas postimit, Dua ka shprehur krenarinë dhe mirënjohjen për realizimin e festivalit në qytetin e saj, duke thënë se puna pas organizimit të tij është e madhe, por çdo përpjekje ia vlen kur sheh publikun të bashkuar në atë skenë.

“Vërtet nuk ka fjalë për gëzimin, krenarinë dhe mirënjohjen që ndiejmë duke arritur ta organizojmë këtë festival për qytetin tonë me familjen tonë”, ka shkruar ajo.

Ajo shtoi se ka provuar të gjejë disa momente të qeta për ta përjetuar atmosferën dhe kuptoi edhe një herë se sa i veçantë është bërë Sunny Hill Festival ndër vite.

Dua falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë edicion, duke theksuar se mezi pret të rikthehen sërish vitin e ardhshëm në atë që ajo e quajti “kodrën” e Sunny Hill.

Sunny Hill Festival ndër vite është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të vendit, duke vendosur Kosovën në hartën ndërkombëtare të festivaleve muzikore dhe duke sjellë vëmendje globale për Prishtinën.