TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbretëria e Bashkuar ka një kryeministër të ri. Laburistët kanë siguruar një mazhorancë historike, duke e ngjitur Sir Keir Starmer, jo vetëm në “fronin” e pushtetit, por duke e pajisur atë me një shumicë "të frikshme".
Në skenën politike britanike, pak vetë e kanë patur shasin të ngjiten në fronin e pushtetit kaq vrullshëm, sa 61 vjeçari Keir Starmer. Një avokat i shndërruar në politikan, ai nuk ngjan aspak me paraardhësin, socialistin Jeremy Corbyn. Sir Keir nuk ka ideologji, apo siç e thotë vetë, nuk është peng i doktrinës. Starmer ka vetëm nëntë vite në politikë, pesë prej të cilave, ka shërbyer si kryetar i opozitës. Kritikët e shohin si pa eksperiencë dhe pa bindje të forta, një politikan që thotë gjithçka që është në modë, gjithçka që tërheq votues.
Të shumtë janë ata që nuk e shohin triumfin e laburistëve si ndonjë arritje personale të Starmer apo të partisë që udhëheq, por si një gërryerje të pushtetit të gjatë konservator, të krizave dhe ekseseve të së djathtës, papërgjegjshmërisë kronike të liderëve të tyre që festonin në mes të pandemisë, apo të rrethanave jo të volitshme kur u zhvilluan këto zgjedhje.
Por, kush është Keir Starmer dhe si mendon ai ta sjellë ndryshimin?
I lindur në një familje punëtorësh, me babain prodhues veglash dhe nënën infermiere, Starmer e mori emrin nga Keir Hardie, një prej figurave themeluese të partisë laburiste. Ai shkëlqeu në të gjithë nivelet e shkollimit, duke u diplomuar në Universitetin e Leeds për Ligj dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Oksfordit në vitin 1986.
Karriera e Starmer në botën e ligjit nuk ka të sharë. Ai i ngjiti shkallët duke nisur nga puna si avokat (Barrister), duke fituar më pas titullin Këshilltar i Mbretëreshës (QC), më i larti në detyrën që kryente, deri në emërimin si Drejtues i Prokurorisë Publike dhe Kreu i Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës nga viti 2008 deri në 2013.
Në vitin 2015 ai vendos të hyjë në politikë, duke u zgjedhur deputet i Holborn dhe St Pancras. Në vitin 2019, pas një humbje dërrmuese të laburistëve, kur partia dukej më e "lodhur" se kurrë, Starmer vendosë të hyjë në garë për kreun e saj. Ai e shfrytëzoi këtë mundësi, duke kandiduar për udhëheqës me një mesazh të unitetit dhe rinovimit. Fushata e tij pati jehonë në bazën e partisë, duke i siguruar fitoren dhe duke e ngjitur në majë. Një politikan me vetëm katër vite eksperiencë, papritur e pa veten lider i opozitës dhe kandidat për kryeministër.
Reformimi i partisë laburiste ishte i imtë, shumë do ta quanin edhe "të hekurt". Një nga prioritetet fillestare të Starmer ishte të distanconte Laburistët nga elementët më radikalë të lidhur me paraardhësin e tij, Jeremy Corbyn, duke e spostuar kështu partinë në qendër.
Duke u paraqitur si një udhëheqës i moderuar dhe pragmatik, Starmer synonte të tërhiqte një gamë më të gjerë votuesish. Ky ndryshim përfshinte një fokus në politikat centriste dhe një angazhim për të adresuar pabarazinë ekonomike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe mbështetjen e të drejtave të punëtorëve, të gjitha këto duke ruajtur bazën tradicionale të partisë.
Adresimi i çështjes së anti-Semitizmit në parti, e cila kishte dëmtuar laburistët nën Corbyn, ishte një tjetër pikë kritike në reformën e Starmer. Duke theksuar një politikë të tolerancës zero ndaj anti-Semitizmit dhe duke përjashtuar anëtarët që shkelën këtë qëndrim, Starmer demonstroi përkushtimin e tij për krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse dhe respektuese brenda partisë.
Në terma të reformave politike, Starmer është përqendruar te ekonomia, shërbimet publike, të drejtat e punëtorëve dhe ndryshimet klimatike. Ai ka propozuar plane për të rindërtuar ekonominë pas Brexit dhe pandemisë, duke përfshirë investime në vende pune të gjelbra dhe infrastrukturë.
Ekziston një konsensus se reformimi i Partisë Laburiste dhe përgatitja e saj për zgjedhjet, është një punë e lavdërueshme e Starmer dhe ekipit të tij.
Nëse do të gjejmë një pikë ku Sir Keir çalon, është ajo që britanikët e quajnë "U-turns", kthesat e forta dhe ndryshimi i mendjes, gjëra krejt normale për njerëzit e zakonshëm, por jo edhe aq kur je lideri i opozitës, aq më tepër kur bëhet fjalë për politika me të cilat e ka identifikuar partinë, si çështja e klimës, të drejtat e punëtorëve, etj. Tërheqja nga disa premtime, apo ndryshimi gjatë rrugës, e kanë bërë atë të duket si një lider më i dobët, i interesuar vetëm në përkthimin e politikave të tij në vota. Çfarë është popullore dhe rezonin me votuesin mbetet, gjithçka tjetër nuk na duhet...
Por pavarësisht kësaj, Starmer është përpjekur gjithmonë të injektojë një "optimizëm të kujdesshëm" te votuesit. Edhe teksa ngjiste shkallët e Downing Street, nuk harroi të nënvizojë se ndryshimi i vendit nuk bëhet me "shkrepjen e një çelësi". "Puna jonë është urgjente dhe duhet ta nisim tani", u shpreh ai. "Do të dojë kohë, por do të nisim tani", shtoi Starmer.
Partia Laburiste ka zhvilluar fushatën e saj në bazë të një manifesti që bazohet te rritja e ekonomisë britanike, e cila sot duket e ngadaltë. Ajo ka premtuar të bëjë këtë kryesisht përmes ndryshimeve në sistemin e planifikimit dhe duke bërë vendin më tërheqës për investime të huaja. Por në një kontekst ekonomik të vështirë vendas dhe global, figurat e partisë kanë pranuar se përballen me sfida të mëdha. Partia gjithashtu ka premtuar reformimin e ligjit të punës në Mbretërinë e Bashkuar, shtetëzimin e pothuajse të gjithë linjave të trenave për pasagjerë dhe krijimin e një kompanie investimesh dhe prodhimi të energjisë në pronësi shtetërore, së bashku me nxitjen e investimeve në fushën e gjelbër, një politikë dhe qasje të arsyeshme ndaj emigrantëve dhe një përmirësim rrënjësor të sistemit shëndetësor, një "përbindësh" që sot vetëm shton rradhët e pritjes për takime me doktorët dhe "ha" para publike pa ndonjë rezultat.
Tashmë gjithçka është në dorë të laburistëve, në plotë kuptimin e fjalës. Me një shumicë dërrmuese në Parlament dhe me shpresën e një kombi të tërë mbi supe, detyra e Starmer dhe e partisë, është e një përmase historike. Mbetet për t'u parë se si do ta përdorin këtë besim dhe përgjegjësi.