NË FOKUS, 29 Prill 2024, 23:18

Neritan Sejamini: Çështja Veliaj, pasqyrë e shëmtisë së mediave, intelektualëve dhe shoqërisë sonë!

Neritan Sejamini: Çështja Veliaj, pasqyrë e shëmtisë

Neritan Sejamini thotë se aferat në Bashkinë e Tiranës dhe çështja Veliaj, janë pasqyrë e shëmtisë së shoqërisë sonë. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se kjo çështje tregoi se sa të kapura janë mediat, intelektualët, organizatat jofitimprurëse, administrata dhe sa indiferente është e gjithë shoqëria ndaj korrupsionit. 

"Çështja Veliaj është pasqyra e shoqërisë shqiptare, ku ka dalë e gjithë shëmtia.

Shiko mediat, u përmend dhe është përmendur kapja e mediave, nuk jepet asgjë. Jo nuk hetohet, por nuk japin as lajme dhe raportime minimale. Mediat shqiptare kanë dalë të kapura, për dy lekë bllokojnë çdo gjë.

Shoqëria civile, ka dalë njëlloj si media, marrin lekë për projekte, bëjnë ca shkresa dhe e qepin fare. Ke NGO që harxhojnë milionë euro për demokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit, me dhjetëra miliona, financuar nga të gjithë, OKB, Antarktida, Amerika dhe sot nuk flet asnjeri. Bëjnë seminare në hotele luksoze, bëjnë letrat, të tregojnë si luftohet korrupsioni, të trajnojnë si luftohet korrupsioni dhe për një rast të tillë flagrant, ka dalë e shëmtuar siç është.

Gjëja më e rëndëishsme që ne kemi është administrate publike, është e aftësuar të bëjë letra për të vjedhur, mediokre, e pamoralshme, ka humbur sensin e interesit publik. Nuk flet askush për admnistratën shqiptare. Me dhjetëra milionë harxhohen për administratën dhe kjo është administrate që kemi.

Në këtë pasqyrë intelektualët shqiptarët, kanë dalë të vegjël dhe interesaxhinj. Duhet të ngrinin zërin.

Si nuk ndihen të ofenduar në inteligjencën e tyre, në sensin e tyre për t’i shërbyer dijes, si nuk ndihen të dhunuar? Në këtë pasqyrë edhe drejtësia ka dalë e shëmtuar. Prokurorët tanë kanë frikë ti vendosin edhe emrin zotit Veliaj. Veliaj doli dhe tha po shkoj vetë, ata duhet të dilnin dhe të thoshin e kemi thirrur ne, jo të duket sikur SPAK bashkëpunon me Veliajn.

Në këtë pasqyrë të Erion Veliajt, edhe morali ynë shoqëror dhe individual ka dalë i përçudnuar, nuk ka fare revoltë. Është fundi i fundit të fundit, kjo që kanë bërë këta.

Mund ti themi Arlindit, Panos dhe Agronit, pse nuk shkoni në protestë, por duhet të çohen qytetarët e Tiranës. Ku janë NGO? Ku janë intelektualët? Ku janë qytetarët e Tiranës? Unë nuk dua të shkojnë partitë politike, por qytetarët e Tiranës, të kërkojnë një nivel pak më të pastër, pak të virtytshëm të administratës", tha Sejamini.