AKTUALITET, 21 Qershor 2020, 19:02

Ndahet nga jeta kreu i degës së PD Krujë, Basha: Humbëm një nga drejtuesit më të shquar

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një statusi në rrjetet sociale shkruan se, sot është ndarë nga jeta kreu i degës së PD në Krujë, Reshit Merlika.

Basha nënvizon se, Merlika ishte një person me integritet, duke shtuar se PD humbi një nga drejtuesit më të shquar të saj.

Postimi i Lulzim Bashës:

Sot u nda nga jeta Reshit Merlika, kryetari i Degës së Partisë Demokratike Krujë. Mendimet dhe lutjet e mija dhe të familjes time si dhe të mbarë demokratëve shkojnë tek bashkëshortja e tij Majlinda dhe dy djemtë e tij Arbisi dhe Eraldi si dhe tek nëna e tij znj. Shpëtime dhe vëllezërit e të afërmit, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë.

Pinjoll i një prej familjeve më të shquara të Krujës, Reshit Merlika spikati me integritetin, qëndresën dhe dhembshurinë e tij për Krujën dhe bashkqytetarët e tij.

Si pas tërmetit të 26 Nëntorit ashtu edhe gjatë pandemisë ai ishte ditë e natë pranë njerëzve në nevojë, duke mobilizuar ndihma, fashitur plagët e dhimbjeve dhe dhënë forcë e kurajo atyre që kishin humbur gjithçka.

Partia Demokratike humbi sot një nga drejtuesit e saj më të përkushtuar dhe unë një bashkëpunëtor të vyer. U prehtë në paqe!