TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Biznesmeni Mirel Mërtiri ka reaguar për herë të parë, pas lajmeve në mediat e huaja se ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është përfshirë në skandalin e tenderave në Zimbabve.
Mirel Mërtiri, thotë se nuk ka asnjë lidhje me kontratën e firmosur me autoritetet e Zimbabve, ngjarje për të cilën u shkarkua dhe ministri i Shëndetësisë së këtij shteti.
Në një reagim publik biznesmeni Mërtiri, i cili sipas mediave të huaja përdorte identitetin, “Ilir Dedja”, mohon pretendimet dhe thekson se “unë nuk jam Ilir Dedja”.
Ndërkohë që lidhur me fotografitë që kanë qarkulluar, ku ai është në prani të autoriteteve të Zimbabve, Mirel Mërtiri shprehet se nuk ka asnjë lidhje me kontratën në fjalë dhe imazhi i tij është përdorur qëllimisht për të krijuar një skandal.
“Duke marrë shkas nga shumë publikime të bëra së fundmi në portale, media të shkruara dhe vizive, lidhur me emrin tim, unë Mirel Mertiri i datëlindjes 08/08/1978 deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, se të gjitha spekullimet lidhur me implikimin tim në kontraten e përfolur në Zimbabëe mes kompanisë Zviceriane Drax Consult Sagl dhe Natpharm janë të pavërteta.
Fotografitë e mia të publikuara gjerësisht në media, nuk kanë asnjë lidhje me kontratën në fjalë, por është përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin tim.
Unë nuk jam Ilir Dedja. Ditën e sotme kam ngritur Padi Penale per disa nga mediat të cilat kanë cenuar me dashakeqësi dinjitetin dhe integritetin tim me publikimet e tyre krejtësisht të pabaza., thekson Mirel Mërtiri.
AKUZAT E PD
Duke theksuar se Shqipëria nuk lufton dot korrupsionin as sa Zimbabve, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu thotë se qeveria shqiptare vazhdon të paguajë miliona euro Klodian Mërtirin i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.
Sipas tij, Mërtiri mbron interesat e Edi Ramës, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliaj tek “kryevepra 400 milionë euro e korrupsionit të Ramës, inceneratori dhe landfilli në PPP në Sharrë”.
Balliu thotë se biznesi i tij vazhdon i pa cenuar pavarësisht se i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në emër të PD-së, Balliu shprehet se opozita ka faktuar shumë se çështja e inceneratorëve është një aferë korruptive, ndërsa i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ta hetojë këtë “korrupsion që të çon jo vetëm në zyrën e një ministri, por në zyrën e vetë kryeministrit të Shqipërisë”.
Reagimi i plotë i Klevis Balliut, PD:
Shqipëria nuk është as në nivelin e Zimbabves, kur bëhet fjalë për të luftuar korrupsionin.
Në zemër të Afrikës, ministri i shëndetësisë dhe një biznesmen vendas u arrestuan, pasi u verifikuan të përfshirë në një skandal korrupsioni 60 milionë dollarë me shqiptarin e inceneratorit të Tiranës, Klodian Mërtiri. Ky është njeriu që mbron interesat e Edi Ramës, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliaj tek kryevepra 400 milionë euro e korrupsionit të Ramës, inceneratori dhe landfilli në PPP në Sharrë.
Mediat raportojnë se Klodian Mërtiri, i cili mban më shumë se 1 identitet, është shpallur në kërkim ndërkombëtar për skandalin e korrupsionit në Zimbabve, por në Shqipëri biznesi i tij, vazhdon i pacënuar. Inceneratori i Tiranës merr çdo muaj nga buxheti i shtetit rreth 1 milionë euro, ndërsa landfilli fiton disa miliona të tjerë nga depozitimi i çdo lloj mbetjeje të qarkut të Tiranës.
Të pangopur dhe të babëzitur për pasuri, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Vangjush Dako po bëjnë gati që t’i sigurojnë biznesit të tyre korruptiv, edhe 100-150 milionë euro përmes depozitimit të plehrave të Durrësit.
Së shpejti Partia Demokratike, do të bëjë publike fakte të reja sesi qeveria dhe bashkia punuan për këtë projekt, që furnizon landfillin e Sharrës, duke mbyllur çdo mundësi për trajtimin e plehrave me çmim shumë më të lirë në qarkun e Durrësit.
Derisa të vijmë tek kjo dosje, Policia duhet të japë shpjegime publike, nëse një nga pronarët me letra i inceneratorit dhe landfillit të Tiranës është apo jo në kërkim ndërkombëtar, siç raportojnë mediat dhe çfarë ka bërë policia për ta arrestuar?
Nëse ajo që raportojnë mediat është e vërtetë, pse prokuroria në Shqipëri nuk nis asnjë hetim për aktivitetin në Shqipëri të biznesmenit të dyshimtë? Kur ai ka mundur të korruptojë Ministrin e Shëndetësisë në Zimbabve, janë të gjitha shanset që edhe firma e Edi Ramës, Arben Ahmetajt apo Erion Veliajt për inceneratorin e Tiranës të jetë e blerë me korrupsion.
Partia Demokratike ka dhënë shumë prova gjatë këtyre viteve se inceneratorët si në Tiranë, Elbasan dhe Fier janë superafera korruptive, që mbajnë emrin e Edi Ramës. Në inceneratorin e Tiranës është e përfshirë direkt edhe banda e Lushnjës.
Është në detyrën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ta hetojë këtë korrupsion që të çon jo vetëm në zyrën e një ministri, por në zyrën e vetë kryeministrit të Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të paktën një drejtësi sa e Zimbabves.