AKTUALITET, 18 Janar 2020, 14:44

Kundër reformës së pensioneve, manifestuesit në Francë tentojnë të hyjnë në një teatër ku ndodhej Macron

Kundër reformës së pensioneve, manifestuesit në Francë

Disa dhjetëra kundërshtarë të presidentit francez, Emmanuel Macron, u mblodhën dje para teatrit parizien, ku ai po kalonte mbrëmjen, dhe kanë tentuar të hyjnë, por janë ndaluar nga forcat e sigurisë, sipas disa burimeve.

“Rreth 30 persona kanë tentuar të hyjnë në teatrin e “Bouffes du Nord”, theksoi rrethi i çiftit presidencial.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili së bashku me bashkëshorten ndoqën një shfaqje, u sigurua për disa minuta dhe më pas u kthye për të parë shfaqjen deri në fund. “Manifestuesit nuk arritën të hyjnë”, konfirmoi Prefektura e policisë në Paris.

Gjithsesi, policisë iu desh t’i vinte në ndihmë presidentit dhe gruas së tij nga dhjetëra protestues të zemëruar për reformat e tij të pensioneve.

Pati përleshje ndërsa demonstruesit hodhën parulla kundër reformave të presidentit dhe kërkuan dorëheqjen e tij.