IDE, 22 Shtator 2023, 23:00

Një propozim i Ben Blushit, i përkryer për qeverinë, por jo për njeriun

Një propozim i Ben Blushit, i përkryer për qeverinë, por jo

Ben Blushi,  përshkroi sot me ngjyra të rënda emocionale, vetëvrasjen e një miku. Sipas tij, ish-polici me sëmundje të rëndë dhe pa asnjë shpresë për jetën, për të mos u bërë barrë për familjen dhe për të mos u zhburrëruar, qëlloi veten me pistoletën e profesionit dhe bashkë me të shpëtuan të gjithë.

Duke marrë shkas nga kjo humbje e rëndë për familjen e mikut, Blushi hedh idenë e pranimit të eutanazisë edhe nga Shqipëria.

“Vdekja e mirë”, siç quhet nga greqishtja, është një debat botëror, edhe mes vendeve më liberale dhe të pasura të botës, sepse ende kjo “vrasje e mëshirmshe” konsiderohet si krim, edhe pse me vullnet të pacientit ose të familjarëve që u dhemb shpirti nga ferri jetësor ku ka përfunduar njeriu i tyre, pa asnjë shpresë për rikthimin në jetën normale.

Eutanazia është një nga çështjet më intriguese etike, mjekësore dhe juridike të shekullit XX dhe në këtë fillimshekulli, duke e ndarë ashpër publikun shkencor dhe joshkencor me përkrahësit dhe kundërshtarët e tij, ku fetë kryesore janë fuqimisht kundër legalizimit të vrasjeve me dëshirë, duke theksuar shenjtërinë e jetës si kriterin parësor.

Sot, kemi vende ku eutanazia është vrasje si çdo vrasje tjetër nga kodet penale, në shumë është vrasje e kryer në rrethana privilegji, ndërsa në Evropën Perëndimore kemi vende ku eutanazia është një procedurë mjekësore e ligjshme, sipas kërkesave të përcaktuara me ligj.

Shikimi i eutanazisë si një vrasje e thjeshtë, siç përpiqet ta sjellë Blushi, në disa vende u mori jetën shumë shtetasve të Britanisë së Madhe, që udhëtojnë drejt Zvicrës në spitalet dhe institucionet speciale për t’u eutanizuar apo vetëvrarë. Edhe në SHBA eutanazia ndalohet dhe barazohet me vrasje, edhe pse pak shtete kanë dekriminalizuar vetëvrasjen e asistuar nga mjeku, si një procedurë që është shumë e ngjashme me eutanazinë.

Për të ardhur në afër në Evropë ku Holanda e shënoi rastin e parë të eutanazisë në vitet ’50, ndërsa Belgjika  e nisi në vitet ’80 pas kërkesës së dy shoqatave për të “vdekur me dinjitet”.

Parë në këtë gjeografi, kërkesa e Blushit, nën tronditjen shpirtërore që i ka dhënë vdekja e mikut, që, po perifrazoj: “Meqë Shqipëria po kthehet gradualisht në një Republikë Ultraliberale, e cila lejon me ligj shumicën e veseve njerëzore, përfshi tymosjen, bastet dhe lojërat e fatit, pa folur për veset që toleron pa ligj, atëherë pse mos e lejojë dhe vdekjen e ëmbël? A duhet të kenë të drejtë pacientët e pashpresë t’i kërkojnë shtetit t’i vrasë, atëherë kur nuk munden më? Pse duhet që njerëzit të vrasin veten kur mund t’ia kërkojnë këtë shërbim shtetit, të cilit i paguajnë taksa për të jetuar më mirë, por edhe për të vdekur më mirë?”, rrezikon të rrëmbehet nga qeveria si ato “propozimet e pakërkuara” me të cilat kanë nisur koncesionet dhe PPP-të e Berishës dhe të Ramës prej vitit 2005 dhe që kanë pirë gjakun dhe lëngun e jetës ekonomisë kombëtare dhe asaj personale.

Qeveria do t’ia shohë hajrin edhe më tej asaj që ka mbjellë me shërbimin kriminal të “shëndetësisë falas”, ku nuk merr asgjë në sistemin shtetëror dhe vdes po nuk pate shukat e parave për mjekimin në privat.

Do të dalë ndonjë Beqja, apo Rrapaj që do të marrë koncesionin e lëngjeve apo me kapsulat e vdekjes që të japin “vdekjen e mëshirshme” të qindra e qindra njerëzve që janë në fazë terminale më shumë nga mosmjekimi për shkak të mungesës së trajtimit dhe ilaçeve që duhet t’i ofronte shteti.

Do të bëjnë festë oligarkët e rinj të eutanazisë, më shumë se agjencitë e funeraleve që u shkon goja lëng për çdo ambulancë që vjen me fenelinë ndezur në qendrat spitalore.

Por përpara se të shkojmë të “vdekja e mirë”, të cilën çdo qeveri në Shqipëri, ta jep me krahët hapur, nuk duhet të presim atë që të pranohet ajo që thotë Blushi i dorëzuar që “Shteti të lejon dhe të ndihmon të vdesësh... Mund të vdesësh me lejen dhe me ndihmën e shtetit. Mjafton një shiringë e mbushur me lëng që të ve në gjumë për të mos u zgjuar më...”.

Duhet luftuar që shteti të mbulojë me shërbim shëndetësor falas, çdo individ që ka kontribuar në skemën e sigurimeve shëndetësore, t’i sigurojë atij një shërbim dinjitoz, me ilaçe të patentuara dhe jo xhenerikë skarco nga India që s’vlejnë për individin, por vetëm për grosistët e ilaçeve.

Rasti i një aktori të njohur që shpëtoi vetëm pse u mblodhën donacionet bujare për ta operuar në një spital privat, ndërsa shteti e la me barrelë jashtë, si dhe qindra raste të çdo moshe që shpresojnë të solidariteti njerëzor, janë tregues që kjo qeveri është si një mjek i asistuar që të jep vdekjen e dhimbshme, por jo shpresën për jetën. Ndaj çdo ide për të futur eutanazinë në sistemin shëndetësor në koma, është një koncesion tjetër vdekjeprurës për pacientët shqiptarë. Dekriminalizimi i eutanazisë do të ishte licensë për vrasje në masë të shqiptarëve, pa asnjë shpresë për jetën, që për fat të keq janë gjithnjë e më të shumtë, falë keqqeverisjes gjatë tranzicionit pa fund në Shqipëri.