TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me datë 6 nëntor kryeministrat e Italisë dhe të Shqipërisë, znj. Meloni dhe z. Rama, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në lidhje me çështjen e migracionit. Sipas detajeve të protokollit (plus anekset 1 dhe 2) të publikuara nga Këshilli i Ministrave në Internet me datë 7 nëntor, dhe deklaratave për shtyp nga kryeministrat, Shqipëria parashikohet të presë një maksimum prej 3 mijë migrantësh në çdo kohë (neni 4), në zona (kampe) qëndrimi nën kontrollin e plotë të autoriteteve italiane, dosjet e të cilëve pritet të trajtohen nga autoritetet italiane brenda një periudhe katër-javore. Marrëveshje të tilla për procedimin e personave të ardhur në mënyrë të paligjshme në vend (kryesisht nga deti) kanë lidhur Mbretëria e Bashkuar me Ruandën dhe Australia me Naurun. Ky artikull analizon marrëveshjen nga pikëpamja politike dhe juridike dhe trason mundësitë që ajo ka që të rezultojë në shkeljen e të drejtave të njeriut të personave që do të transferohen nga Italia në Shqipëri.
Problemi me marrëveshjen nga ana politike
Nga ana politike, marrëveshja është problematike si nga perspektiva e politikës së brendshme ashtu edhe nga ajo e politikës së jashtme. Nga ana e politikës së brendshme, qeveria ka detyrimin e transparencës, të konsultimit, dhe njoftimit të parlamentit për marrëveshje të një natyre të tillë që përfshijnë çështje të sovranitetit shtetëror dhe respektimit të drejtave të njeriut. Reagimi i opozitës dhe kërkesa për interpelancë me kryeministrin Rama tregon mungesën e transparencës dhe konsultimit, sepse parlamenti nuk është njoftuar nga qeveria për qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje të tillë. Nga ana e politikës së jashtme, Shqipëria do të bëhet një vend pritës i shtetasve nga vende të treta, të cilët nuk mund të jenë të kënaqur që Shqipëria i pranon ata në territorin e vet kundër dëshirës së tyre. Shqipëria rrezikon potencialisht që të dëmtojë marrëdhëniet e veta ndërshtetërore me shumë shtete të tjera në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, por edhe në Azi. Disa shtete të tjera të BE-së kanë probleme të ngjashme me migracionin e paligjshëm përfshirë Greqinë, Maltën, dhe Qipron, por kryeministri Rama theksoi se një marrëveshje të tillë po e lidh vetëm me Italinë, për arsye mirënjohje ndaj saj. Kjo mënyrë të shprehuri mund të krijojë hatërmbetje nga ana e këtyre vendeve. Nga pikëpamja e anëtarësimit në BE, kjo marrëveshje nuk e sjell Shqipërinë më afër këtij qëllimi madhor.
Problemi me marrëveshjen nga ana juridike
Nga ana juridike, marrëveshja është problematike në tre nivele, atë të së drejtës kombëtare, të së drejtës të Bashkimit Evropian, dhe të drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Nga pikëpamja e të drejtës kombëtare, edhe pse dokumenti quhet protokoll dhe i referohet Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit (1995), natyra e detyrimeve juridike të marra nga shteti shqiptar, përfshirë ndër të tjera vënien e një pjese të territorit shqiptar nën kontrollin e shtetit italian (nenet 4, 5 dhe 6), imunitetin pothuajse të plotë penal të personelit italian (neni 7), dhe mbajtjen e armëve prej një pjese të tyre në territorin shqiptar (neni 7), e bëjnë këtë dokument një traktat të ri dypalësh. Për të negociuar një marrëveshje të tillë, fillimisht kryeministri Rama duhet të marrë plotfuqinë nga Presidenti Begaj. Nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur, dhe nqs kjo plotfuqi nuk është kërkuar dhe marrë paraprakisht, kjo do të ishte një skandal për qeverinë. Gjykata Kushtetuese e ka theksuar rëndësinë e plotfuqisë në rastin e detit me Greqinë, ku ndër të tjera, edhe për arsye të mungesës së saj, marrëveshja dypalëshe u deklarua e paligjshme. Nga ana e të drejtës kushtetuese, një marrëveshje që vendos pjesë të territorit shqiptar nën kontrollin e një shteti tjetër, duhet që të votohet nga shumica e parlamentit. Neni 121 i Kushtetutës kërkon që ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: a) territorin... dhe b) të drejtat dhe liritë e njeriut. Pra, edhe me plotfuqi, marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Rama në Itali nuk është e vlefshme pa pëlqimin e shumicës së parlamentit. Nga ana e të drejtave të njeriut, sipas nenit 16 të Kushtetutës, të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë. Edhe pse migrantët e sjellë nga Italia janë nën juridiksionin italian, ato do të jenë në territorin shqiptar dhe përfitojnë të drejtat e tyre sipas nenit 16 dhe të tjerë nën Kushtetutën tonë. Nisur nga të drejtat e njeriut të garantuara nën Kushtetutën shqiptare, përfshirë nenin 27, nuk është e qartë nëse këta persona mund të mbahen në ndalim në kampet e refugjatëve për periudhat e gjata kohore që merr procedimi i dokumenteve të tyre. Shpeshherë personat e ndaluar nuk kanë asnjë dokument dhe është shumë e vështirë që të bëhet edhe identifikimi i tyre.
Nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje është në përputhje me të drejtën evropiane. Direktiva e BE-së për kthimin (2008/115/KE) përfshin mbrojtje të rëndësishme të drejtave themelore për shtetasit e vendeve të treta që urdhërohen të largohen nga BE-ja, sepse ata nuk i plotësojnë më kushtet për hyrje ose qëndrim. Si vend kandidat për në BE, Shqipëria duhet t’i përmbahet standardeve evropiane, përfshirë këtë direktivë. Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore ka mbledhur rregullisht të dhëna për azilin dhe migracionin që nga shtatori 2015. Duke qenë se Shqipëria është vend vëzhgues tek kjo agjenci e rëndësishme, kjo e fundit mund dhe do të monitorojë nëse të drejtat e personave të transferuar në Shqipëri mbrohen sipas standardeve të së drejtës evropiane dhe do të bëjë rekomandimet përkatëse.
Nga ana e të drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut, Shqipëria është palë e traktateve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Komiteti i të Drejtave të Njeriut i OKB-së (Komiteti) i ka tërhequr vëmendjen disa shteteve, përfshirë Australinë për një situatë të ngjashme, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut të migrantëve që arrijnë nga deti. Me shumë gjasë, ai do të bëjë të njëjtën gjë me Italinë, por do të shqyrtojë edhe Shqipërinë në vitin 2024 kur Shqipëria do të raportojë para Komitetit. Po ashtu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka gjetur shumë shtete evropiane në shkelje të drejtave të migrantëve të ndaluar në kampe (shih fletën e jurisprudencës së Gjykatës këtu), përfshirë edhe Italinë në rastet Khlaifia dhe të tjerë k. Italisë (15 dhjetor 2016, Dhoma e Madhe) dhe J.A. dhe të tjerë k. Italisë (30 mars 2023). Shqipëria rrezikon të gjendet fajtore për shkeljen e të drejtave të njeriut nën këtë marrëveshje, edhe pse Italia merr përsipër të mbulojë shpenzimet për përfaqësimin ligjor dhe dëmshpërblimet lidhur me padi nga palë të treta kundër Shqipërisë lidhur me këtë protokoll (neni 12).
Si përfundim, kjo marrëveshje është shumë problematike si nga ana politike dhe nga ajo ligjore. Nga ana politike ajo mund ta ekspozojë Shqipërinë ndaj trysnive nga vende të tjera të BE-së që kanë probleme të ngjashme si Italia, dhe ta kthejnë Shqipërinë në një vend pritës të emigrantëve të paligjshëm, ndërkohë që solidariteti mes vetë vendeve të BE-së me burime financiare e njerëzore shumë herë më të mëdha se Shqipëria është në pikëpyetje. Më tej, ajo e vendos Shqipërinë në situatë të palakmueshme ndaj vendeve të treta nga vijnë migrantët. Në këtë formë, në vend që vëmë vetulla, mund të nxjerrim sytë.
Nga ana ligjore, ka shumë pikëpyetje dhe paqartësi në lidhje me procesin dhe ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje nga e drejta kombëtare, ajo evropiane dhe ajo ndërkombëtare. Marrëveshja nuk është e detyrueshme pa pëlqimin e parlamentit. Me shumë gjasë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të sjellë përgjegjësinë ligjore të Shqipërisë për shkeljen e të drejtave të njeriut të personave që do të transferohen në Shqipëri në padi të sjella para gjykatave shqiptare, GJEDNJ-së dhe Komitetit.
Së fundmi, arsyeja e dhënë nga kryeministri Rama, ajo e mirënjohjes ndaj Italisë, është e çuditshme, sepse ndërkohë që Italia ka pranuar një numër të madh shqiptarësh që janë integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë italiane, ndihma e Shqipërisë është kryesisht e fokusuar ndaj kthimit të personave që duan të gjejnë një jetë të mirë në Itali, si shqiptarët në vitet e 90-ta e më pas. Për të mos thënë se ajo bie përgjithësisht në kundërshtim me mendimin e forcave të majta politike lidhur me migracionin. Por, nga intervista e përbashkët e kryeministrave e datës 6 nëntor, duket se kryeministri Rama është më i shqetësuar që të mos i prishet rehatia e pushimeve kryeministres Meloni, sesa nga rënia e reputacionit ndërkombëtar dhe rritja e përgjegjësisë ligjore të shtetit shqiptar.
*Autori është Profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut tek Universiteti i Oslos