TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Të gjithë jemi Erjon Vishkulli”. Ky është mesazhi që të rinjtë kanë zgjedhur të përcjellin përmes bluzave të tyre gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë në Tiranë, në shenjë solidariteti me 28-vjeçarin që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë demonstratës së një dite më parë.
Në ditën e 13-të të revoltës studentore, protestuesit kanë vendosur të sjellin në vëmendje rastin e Erjon Vishkullit, i cili është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar mjekësor, me shpresën për të shpëtuar shikimin.
Përmes mbishkrimit “Të gjithë jemi Erjon”, të rinjtë kanë shprehur mbështetjen për bashkëmoshatarin e tyre, ndërsa kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave.
Rasti i 28-vjeçarit ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ishte angazhuar për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të tij jashtë vendit.
Motra e Erjon Vishkullit reagoi publikisht, duke deklaruar se dërgimi i të riut në Itali ishte mundësuar nga familjarët, miqtë dhe mbështetësit e tyre, dhe jo nga shteti. Ajo kërkoi gjithashtu që rasti i vëllait të saj të mos përdoret për propagandë politike.
Ndërkohë, protesta studentore vijon përpara Kryeministrisë, ku të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe kundërshtojnë masat e reja ligjore të paralajmëruara për tubimet e dhunshme.