AKTUALITET, 14 October 2026, 21:55

Gazment Bardhi denoncon dhunën ndaj deputetëve gjatë protestës në Tiranë: Akt i padenjë për njerëz që mbajnë uniformën e shtetit

Gazment Bardhi denoncon dhunën ndaj deputetëve gjatë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përplasjeve gjatë protestës në Tiranë, duke denoncuar atë që e cilëson si dhunë të ushtruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës.

Bardhi e konsideroi këtë veprim shkelje të ligjit dhe cenim të funksionimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se deputetët kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve shtetërore.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit: 

Pas dhunës kriminale ndaj të rinjve dhe të rejave që protestojnë, tani radha i erdhi deputetëve të opozitës.

Dhuna e ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është një akt banditesk, i padenjë për njerëz që mbajnë uniformën e shtetit. Çdo punonjës policie që ushtron dhunë ndaj një deputeti gjatë ushtrimit të detyrës së tij, shkel rëndë ligjin dhe cenon funksionimin e institucioneve demokratike.

Statusi i deputetit dhe kompetencat që burojnë nga legjislacioni në fuqi u njohin deputetëve të drejtën të ushtrojnë kontroll parlamentar, të verifikojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve shtetërore, në përputhje me ligjin. Ata kanë të drejtë të hyjnë në çdo institucion shtetëror.

Uniforma e policisë nuk mund të jetë mburojë për paligjshmërinë dhe as justifikim për dhunën. Kjo nuk është Policia e Shtetit, por Policia e Pushtetit të korruptuar dhe kriminalizuar të Edi Ramës.