AKTUALITET, 1 Qershor 2018, 23:22

Ermal Meta ndez Sheshin “Skënderbej”, ndiqet nga mijëra qytetarë

Ermal Meta ndez Sheshin “Skënderbej”, ndiqet nga mijëra

Qershori ka nisur me një super koncert në Sheshin “Skënderbej”. Këngëtari i famshëm shqiptar Ermal Meta erdhi mbrëmjen e kësaj të shtune me një koncert për të gjithë adhuruesit e tij të cilët kishin mbushur sheshin. Fillimisht ishin Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe Eugent Bushpepa që ndezën skenën duke kënduar disa prej hiteve të tyre dhe më pas e gjithë skena iu la fituesit të Sanremos, Ermal Meta që solli një eksperiencë të paharrueshme.

I pranishëm ishte dhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, i cili teksa falenderoi Ermal Metën, vlerësoi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si “Kryebashkiakun më simpatik të Europës”.

Këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore. Të dielën Sheshi “Skënderbej” do të digjet sërish nga energjia e Kidës dhe që do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora.