BOTA, 21 September 2026, 17:53

Erëra deri në 194 km/h dhe reshje intensive/ Tajfuni “Dujuan” godet Japoninë, afro 2 milionë persona urdhërohen të evakuohen

Afro 2 milionë persona në Japoni janë urdhëruar të evakuohen, pasi tajfuni i fuqishëm “Dujuan” ka goditur disa prefektura të vendit, duke sjellë erëra të forta, reshje intensive dhe rrëshqitje dherash.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë kishte paralajmëruar për një “kërcënim të menjëhershëm për jetën”, ndërsa shumica e paralajmërimeve janë tashmë ulur në nivel ose janë hequr. Paralajmërimi për rrezik ndaj jetës së banorëve mbetet në fuqi në qytetin Oshima.

Tajfuni “Dujuan” ka sjellë erëra të qëndrueshme me shpejtësi deri në 130 km/h, ndërsa shpërthimet e erës kanë arritur deri në 194 km/h. Mbi 50 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore janë pezulluar në disa zona.

Ndërkohë, në disa zona, përfshirë ishujt Izu, kanë rënë më shumë se 300 milimetra reshje që prej së shtunës. Në Oshima është dhënë niveli më i lartë i alarmit për rrëshqitje dherash, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet mund të intensifikohen më tej.

Paralajmërimet për reshje të dendura dhe rrëshqitje dherash janë ulur ose hequr në pjesën më të madhe të zonave të prekura, por niveli i katërt i alarmit mbetet në fuqi në Shinagaua, Toshima dhe Niijima. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me kujdes informacionet zyrtare për motin dhe të shmangin zonat e rrezikuara.

Sipas parashikimeve, tajfuni pritet të sjellë reshje të tjera intensive në rajonin Kanto, ku përfshihet edhe Tokio. Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar edhe për mundësinë e formimit të brezave linearë të reshjeve, të cilët mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe të rrisin ndjeshëm rrezikun e rrëshqitjeve të dherave.

Anulohen fluturimet dhe aktivitetet

Tajfuni, i 25-ti që godet Japoninë këtë vit, ka mbërritur gjatë një periudhe pesëditore pushimesh dhe ka detyruar anulimin e disa aktiviteteve.

Koncertet e planifikuara për të hënën në festivalin “Rock in Japan” janë anuluar, ndërsa edhe “Tokyo Game Shou”, një nga aktivitetet më të mëdha të industrisë së videolojërave, ka anuluar programin e së hënës.

Stuhia ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të transportit. Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa shërbimet hekurudhore janë pezulluar ose kanë pësuar vonesa në disa zona.

Tajfuni ka ndikuar edhe në zhvillimin e Lojërave Aziatike në Aichi, ku gara e eventingut në hipizëm është shtyrë për të martën për shkak të kushteve të motit.

Rrëshqitjet e dherave shkaktojnë incidente të rënda

Në disa zona janë raportuar edhe incidente të rënda.

Shërbimi zjarrfikës i qytetit Yokosuka njoftoi se një grua rreth të 60-ave, e cila jetonte në një banesë të goditur nga rrëshqitja e dheut, dyshohet se është marrë nga dherat dhe mund të jetë varrosur e gjallë.

Në prefekturën Chiba, një burrë rreth të 50-ave u shpëtua pasi mbeti i bllokuar gjatë punës për pastrimin e mbetjeve në një zonë të prekur nga rrëshqitjet e dheut. Sipas autoriteteve, ai ra në një zonë me bambu së bashku me makineritë e rënda me të cilat po punonte dhe më pas u transportua në spital.

Ndërkohë, zjarrfikësit në prefekturën Kanagaua morën një telefonatë nga një burrë, i cili raportoi se banesa e tij ishte shkatërruar nga një rrëshqitje dheu.

Shtyhet edhe udhëtimi i kryeministres

Për shkak të tajfunit është shtyrë edhe udhëtimi i kryeministres japoneze Sanae Takaichi drejt Nju Jorkut, ku ajo pritej të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nisja e saj është shtyrë me katër orë për shkak të stuhisë.

Ndërkohë, “Dujuan” po vijon të lëvizë përgjatë bregdetit të Paqësorit në drejtim të veriut. Autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet dhe erërat e fuqishme mund të vazhdojnë të krijojnë rrezik në disa zona, ndërsa përmasat e plota të dëmeve pritet të bëhen më të qarta gjatë ditës së martë.

Ekspertët: Tajfunet mund të bëhen më intensive

Ekspertët kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike mund t’i bëjnë tajfunet që formohen më intensive. Temperaturat më të larta të oqeaneve u japin stuhive më shumë energji, duke favorizuar erëra më të fuqishme, ndërsa një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi dhe të sjellë reshje më të dendura.

Një faktor tjetër këtë vit është fenomeni natyror “El Niño”, i cili lidhet me ngrohjen e ujërave në pjesë të Paqësorit tropikal. Ai nuk ka një ndikim të qartë në numrin e përgjithshëm të tajfuneve, por mund të ndikojë në vendin ku formohen, fuqinë e tyre dhe zonat që godasin. Disa episode të “El Niño” mund ta ekspozojnë Japoninë ndaj tajfuneve më të fuqishme.

Ndërsa “Dujuan” vijon rrugëtimin përgjatë bregut të Paqësorit, autoritetet japoneze u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin zonat e prekura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.