TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pasi prokuroria ka mbaruar hetimin dhe gjykata e shkallës së parë e ka dhënë verdiktin, ish ministri i brendëshëm Fatmir Xhafaj ka dhënë një intervistë të gjatë në Gazeta Dita, ku ai tregon se si edhe drejtësia vërtetoi pretendimin e mbrojtur prej tij se dosja Babale ishte një manipulim, dhe se zëri i ëllait të tij Agron Xhafaj ishte luajtur nga një aktor me pagesë.
Pra pretendimi është i qartë, se ashtu sikurse u tha që në fillim, gjithçka ishte gatuar në selinë e PD-së së kthyer në kinostudio. E për këtë version provat janë të shumta. Ish ministri Xhafaj sjell në vëmendje se nuk ka asnjë fakt që ai, si anëtar i qeverisë të ketë mbrojtur një aktivitet të paligjshëm të një vëllai trafikant. Se nuk ka asnjë provë, që ky vëlla, Agron Xhafaj, të jetë takuar vërtet me “Babalen” ashtu siç pretendohet në përgjim. Se shqyrtimi i lëvizjeve përmes qelizave të celularëve vërteton që kjo nuk ka ndodhur (shiko poshtë pjesët kryesore të intervistës së Xhafajt). Se jo vetëm takimi ku vëllai i ministrit do ndihmonte Babalen për të trafikuar hashash nuk ka ndodhur, porse edhe paisja origjinale e regjistrimit të “takimit” mes tyre u ka humbur përgjuesve.
Fakte kuptimplota si këto të shoqëruara edhe me mospërputhjet e versioneve të vetë denoncuesve e bëjnë ish ministrin Xhafaj të dalë në konkluzionin se e gjitha është organizuar për të goditur politikisht ministrin e brendëshëm dhe hartuesin e reformës në drejtësi.
Në fakt, për hir të së vërtetës, PD as njëherë nuk dha prova 100% bindëse për akuzat që ngrinte. Ne nuk kemi deri më sot qoftë edhe një fakt të pakundërshtueshëm se vëllai i ministrit të brendëshëm dhe Babalja janë takuar me njëri – tjetrin, e aq më shumë që ata kanë bërë një plan trafiku së bashku.
Por thënë këtë gjë, që duket sikur e zbardh përfundimisht Fatmir Xhafën, ne nuk kemi marrë përgjigje për të gjitha dilemat e ësaj historie. Në ato që thotë në pjesën e parë të intervistës (shiko poshtë) dhe në ato që premton të zbulojë në të dytën ish ministri duhet të zbardhë edhe një sërë dilemash në të cilat qeveria, kryeministri, prokuroria dhe policia dalin të impikuara.
Pse Agron Xhafaj që i ishte fshehur burgut Italian për një dekadë e gjysëm porsa shpërtheu kjo aferë, nuk iu nënshtrua hetimit, por preferoi të shkojë të bëjë menjëherë burg?
Pse prokuroria dhe policia e lejuan të largohej dhe në dosje mungon hetimi për të? Apo se duhet të përqëndroheshin vetëm tek pista tjetër hetimore, ajo që e gjitha është inskenuar nga babalja dhe kunati?
Përse Edi Rama menjëherë sapo ndodhi ngjarja, tha se ai kishte në dorë provën e një laboratori të njohur ndërkombëtar që vërtetonte se ajo ishte e manipuluar. Edhe sot e kësaj ditë kjo provë nuk është bërë publike. Një laborator i policisë italiane rrefuzoi të jepte konkluzionin në të cilin kishte dalë kryeministri ynë, ndërsa një tjetër laborator privat britanik, “JP French Associates”, shpalli paaftësinë për të konfirmuar qoftë nnjërin version, Pra se zëri qe i agron Xhafajt, apo qoftë tjetrin se ai ishte zëri i dublantit me pagesë, Fredi Alizoti. Pra deri më tani ne nuk kemi asnjë provë se kryeministri n aka thënë të vërtetën.
Dyshimet nuk përfundojnë këtu. Mbi mënyrën si u veprua nga policia me atë që u konsiderua si aktor me pagesë, pra me Fredi Alizotin, lindin dilema të mëdha.
Në ne duhet të besojmë se ai u paraqit vetë si vullnetar për të bërë burg, pasi i telefonoi vetë policisë për tu dorëzuar dhe për të thënë “të vëretën”.
Në plot 9 përgjime të bëra publike del se drejtori i Policisë së Fierit, Berti Nushi dhe nëndrejtori Andon Marko, janë angzhuar me mish e me shpirt për të manipuluar këtë dshmitar vullnetar. Këto përgjime tregojnë se ata e mbikqyrin dëshmitarin e rremë Alizoti, i thonë se do shkoj dikush ti japë paratë, se do ti vijë një njeri “ta qerasi me birrë” dhe se ndahen në fund me “pezmin” se ai për paratë që ka marë do të duhet të bëjë pak burg.
Takimet mes policëve të rilindjes dhe dëshmitarit të penduar janë të shumta. Por nëndrejtori Andon Marko kur është dashur të deponojë në prokurori ka kryer krim duke gënjyer se ishte takuar vetëm njëherë. Dhe për këtë krim, në vend që të procedohej penalisht është ngritur në detyrë duke u emëruar drejtor policie e Fierit. Pra në këtë pikë besueshmëria e e njeriut të paguar për të pohuar se rrolin e Agron Xhafajt e ka luajtur ai është tejet e diskutueshme. Dhë ne këtë pikë në intervistën e tij Fatmir Xhafaj nuk jep argumente bindëse.
Prandaj versioni më i bindës i kësaj historie është se opozita dhe PD ose i ka manipuluar provat, ose i ka pasur ato të pamjaftueshme për atë që pretendonte. Ndërsa qeveria, Rilindja, Rama dhe Xhafa, kanë tentuar ti përgjigjen një manipulimi të mundshëm me një tjetër manipulim, duke gënjyer publikisht, duke përpunuar dëshmitarët dhe duke përdorur policinë si mjet kriminal propagande për ti treguar opinionit se kishin të drejtë.
/Lapsi.al
Intervista e Xhafës, pikat kryesore (lexo këtu)
“Ata thonë (denoncuesit) “kemi një audio-përgjim të cilit i mungon pajisja origjinale e incizimit”. Pretendohet që është përgjuar me një pajisje në formë stilolapsi dhe prokurorisë i thuhet se ky stilolaps ka humbur. Po si mund të mos ruhet pajisja themelore në një përgjim, që është siguria e provës që ti pretendon se është shkatërruese për kundërshtarin?! Përgjigja është e thjeshtë: Nëse dorëzohej ajo kuptohej lehtë që s’ka asnjë bisedë, s’ka asnjë audio-përgjim sikundër u shit në publik, por thjesht një auto-regjistrim të inskenuar siç është në fakt”.
“Ndërkohë, siç ka rezultuar nga tabulatet telefonike të administruara në dosjen hetimore gjatë gjithë vitit 2017, midis tyre ka vetëm 4 thirrje telefonike të matura me sekonda (përkatësisht 69, 121, 20, dhe 29 sekonda). Të gjitha janë thirrje të bëra nga Albert Veliu dhe që të katërta të bëra në muajin tetor dhe jo rastësisht. Ishin në përgatitje të këtij skenari, për inskenimin e audio-regjistrimit. Ndërsa gjatë vitit 2018, asnjë komunikim midis tyre. Si mund të kesh lidhje, komunikim, bashkëpunim dhe për më tepër veprimtari kriminale të këtij niveli, me dikë që nuk ke pothuajse asnjë lloj kontakti?!”
“Një gënjeshtër e madhe është pretendimi i ngritur se më datën 24 tetor 2017, ka ndodhur një takim midis Albert Veliut dhe Agronit në lokalin e këtij të fundit dhe aty qenka bërë dhe regjistrimi. Provat dhe faktet e administruara në dosjen hetimore të prezantuara në gjykim, provojnë të kundërtën dhe për mua ato vlejnë më shumë se deklaratat politike të kuzhinës së SHQUP-it.
Në dosjen gjyqësore, nga analiza e qelizave telefonike të asaj dite (24 tetor 2017), kur është pretenduar për takimin dhe regjistrimin e bisedës, rezulton qartazi se në asnjë moment të asaj dite, telefonat e këtyre dy personave nuk kanë loguar njëkohësisht në të njëjtin orar dhe në të njëjtin vend. Katërcipërisht është e provuar me fakte konkrete se ky takim, nuk është zhvilluar. Mjaft të shohësh skemën e lëvizjes së këtyre personave sipas antenave telefonike të botuara edhe nga ju si media, dhe e kuptoni lehtësisht këtë gjë.
“Vetë “Babalja”, personi që na paska bërë regjistrimin, në deklarimin e tij në prokurori, në një ndër versionet e paraqitura ka pohuar se takimi na qenka bërë në orën 17:30, te lokali i tim vëllai në Vlorë. Ndërkohë që sipas qelizave telefonike në këtë orë, “Babale” me “Olldashin” janë rrugës duke u kthyer nga Vlora për në Tiranë dhe pikërisht në atë orë kanë qenë në unazën e madhe të Tiranës, ndërsa im vëlla gjendej në Lushnjë!!”
“Nga ana tjetër, vetë Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi por edhe avokatët e tyre, kanë deklaruar në gjyq krejt të kundërtën duke pretenduar se takimi na qenka zhvilluar në orarin 12:30 – 13.45, te lokali i vëllait tim në qytetin e Vlorës. Kësaj i thonë “I zoti se jep, tellalli e shet”. Gjithësesi edhe nëse do duam të pranojmë versionin e tyre dhe jo të mikut të tyre Babale, tabulatet dhe qelizat telefonike provojnë krejt të kundërtën. Në të njëjtin orar që vetë pretendojnë se është kryer takimi dhe regjistrimi, rezulton se sipas qelizave telefonike, antenave ku telefonat e tyre kanë loguar, vendndodhja e Babales dhe Olldashit është shumë larg nga ky vend. Konkretisht ata të dy në orën 12:46 gjenden në Orikum, në orën 13:47 kanë mbërritur te Marina në Lungomare dhe në orën 14:22 gjenden rrugës në Mifol, në dalje të Vlorës.
Ndërkohë që sipas skemës së publikuar edhe nga ju si media, qelizat telefonike për tim vëlla, vërtetojnë krejt të kundërtën. Ai në orën 12:45 gjendet në Vlorë (konkretisht te ish-fabrika e Orizit), në orën 13:45 në dalje të qytetit dhe në orën 14:27, antenat e telefonit e tregojnë në qytetin e Fierit, d.m.th rreth 40 km larg nga vendtakimi i pretenduar.
“Më interesantja eshte se që të fiksohet një takim, normalisht duhet komunikuar paraprakisht me personin. Gazetari “i madh investigativ” në deklarimet e tij publike, por edhe në prokurori e gjykatë, ka pohuar se pasi Babalia ka komunikuar me Agronin, kanë caktuar një takim i cili sipas Olladshit, na qenka zhvilluar në orarin 12:30 – 13:45, te lokali i tij në qendër të Vlorës. Mirëpo siç rezultojnë nga tabulatet e administruara në dosjen hetimore dhe bërë publike në gjykatë, nuk ka asnjë komunikim midis Babale/Olldashit dhe Agronit para këtij orari. Kjo telefonatë ka ndodhur, por kur Babale ka telefonuar Agronin, ka qenë ora 14:27, pra shumë mbas orarit të pretenduar për një takim/regjistrim të mundshëm dhe qelizat telefonike tregojnë se këta dy njerëz ishin në pika lëvizjeje të ndryshme.
Njëri (Babale) sapo ishte larguar nga Vlora në Mifol, dhe tjetri (Agroni) në Mbrostar Ura në Fier duke shkuar në drejtim të Lushnjës. Pra asnjë fakt i pretenduar nuk lidhet fare me tjetrin. Mjaftojnë këto detaje për të kuptuar se është një gënjeshtër e madhe nga çdo anë. Siç shihet rezulton e provuar qartë, me fakte konkrete nga analizimi i të gjithë të dhënave, se më datën 24 tetor 2017, nuk ka pasur asnjë lloj takimi midis “agjentit” Babale dhe tim vëllai, siç është pretenduar në skenarin e SHQUP-it dhe është thënë e stërthënë nga papagallët e tyre publikisht, çka do të thotë se bie edhe vetë thelbi i “akuzës” së pretenduar përmes filmit montazh të tyre.
“Duke parë diskretitimin publik të akuzës së saj, PD-së padyshim i nevojitej një alibi publike për të rrëzuar një prej provave kyçe në këtë proces që ishte dëshmia e këtij personi që mori pjesë në fabrikimin e audio-montazhit duke imituar zërin e Agronit, duke pretenduar se: “Alizoti është dëshmitar i krijuar nga prokuroria, Xhafaj dhe Rama”.
“I kam ndjekur dhe lexuar me vëmendje këto gjysma komunikime që Salianji i tundte nga njëra studio në tjetrën, si “prova të arta” për të vërtetuar alibinë që tentonte ta zhvlerësonte dëshminë e bashkëpunëtorit të tij Fredi Alizoti dhe ta paraqiste atë si dëshmitar të sajuar nga policia. Natyrisht edhe këto përgjime janë dhënë të cunguara për aq dhe si ju ka interesuar atyre. Në disa raste edhe të deformuara. Nga pikëpamja policore veprimet e drejtuesve të policisë së Fierit, janë tërësisht të rregullta dhe pa asnjë ngarkesë.
Provohet qartazi që është Alizoti ai i cili i ka telefonuar policisë dhe ajo thjesht ka bërë shoqërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Me vendim gjykate është urdhëruar përgjimi dhe mbajtja në vëzhgim fizik të Fredi Alizotit. Këtë fakt policia e ka ditur, padyshim edhe drejtuesit e policisë së Fierit, pasi në territorin e tyre zhvillohej kjo gjë. Si mund t’i lejonin vetes që të flisnin për punë lekësh në telefon me Alizotin, siç pretendohet nga Salianji, në një përgjim të njohur si fakt prej tyre, por që realizohej dhe administrohej jo prej tyre, por prej prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda?!
Duhet të jem korrekt me të vërtetën dhe të pohoj se nga pikëpamja etike ka diçka që nuk shkon në ato komunikime. Një kujdes i tepruar komunikimi dhe një lloj tolerance prej dy drejtuesve besoj se ka ndodhur nga shqetësimi për ta pasur nën vëzhgim Alizotin, siç ishte urdhëruar nga prokuroria. Kjo pasi ky ishte banor i Fierit, por lëvizte shumë në drejtim të Tiranës dhe siç rezulton nga dosja hetimore ishte person i vështirë për t’u mbajtur nën vëzhgim. Natyrisht ka influencuar në këtë status të tij edhe presioni e frika mos i ndodhte gjë, ç’ka për vetë natyrën e çështjes, do ta rëndonte shumë situatën dhe përgjegjësinë e drejtuesve të policisë në këtë proces”.