AKTUALITET, 6 Gusht 2020, 13:11

“Qeveria dështoi në menaxhimin e situatës”, PD: Rama nuk i dëgjoi ekspertët për pandeminë

“Qeveria dështoi në menaxhimin e situatës”, PD: Rama


Partia Demokratike me anë të ekspertit për shëndetësinë, Gazmend Koduzit ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e situatës së COVID-19 në Shqipëri.

Sipas PD, në një kohë që qytetarëve u duhet shërbim mjekësor, një ndër spitalet, ai me emrin COVID-4, që u inaugurua nga Qeveria është jashtë funksionit.

Demokrati ishte sot pranë ish-Universitetit Kristal, i cili u shndërrua në Spitalin COVID-4 dhe ku sipas tij tashmë kjo godinë është e mbyllur.

“Qeveria dështoi me menaxhimin e situatës së Covid 19. Dështoi në marrjen e masave për mospërhapjen e këtij virusi në popullatë, por aq më tepër në institucionet shëndetësore.

Qeveria dështoi në rritjen e numrit të testimeve dhe në kohën e fundit rriti numrin e tyre tek 500 por pa plotësuar të gjithë nevojat që kanë qytetarët shqiptarë për t’u testuar dhe me këto masa qeveria tregoi që nuk ka një strategji, që e ka lëshuar situatën në rënie të lirë.

Qeveria në vend që sakrificën e njerëzve që bënë gjatë 3 muajve karantinim ta kthente në investim në sistemin shëndetësor për ta përballuar më mirë këtë situatë, qeveria u mor me propagandë, me tendera korruptivë dhe një nga veprat e propagandës së Edi Ramës është prapa meje, ish-Universiteti Kristal, i cili sipas Edi Ramës u kthye në Spitalin Covid 4 më 2 qershor dhe u inaugurua me propagandë të madhe por që ishte një mashtrim për shqiptarët.

Sot shqiptarët kanë nevojë për kujdes shëndetësor më të specializuar dhe më cilësor dhe kjo godinë është e mbyllur. Edi Rama nuk i ka dëgjuar këshillat e ekspertëve të Partisë Demokratike apo edhe të pavarur për masat që duhet të marrë për të përballuar këtë situatë, por vetëm është tallur me to.

Përgjegjësi kryesor i situatës në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë, është vetëm Edi Rama”, tha demokrati.