BOTA, 22 Qershor 2022, 23:23

Sullivan: Sulmi i Rusisë në Ukrainë, një akt agresioni masiv

Sullivan: Sulmi i Rusisë në Ukrainë, një akt agresioni masiv

Ambasadori amerikan në Moskë thotë se sulmi i Rusisë në Ukrainë ishte një "akt agresioni masiv". I sapoardhur nga Moska në Uashington për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, Ambasadori John Sullivan tha në një intervistë për shërbimin në gjuhën ruse të Zërit të Amerikës se gjithçka i atribuohet vendimit të një personi, Presidentit rus Putin, për të filluar këtë luftë.

"Sapo u ktheva javën e kaluar nga Moska për këtë konferencë dhe është e habitshme se si bota është përmbysur që nga lufta e Rusisë, agresionit që filloi në fund të muajit shkurt. Është subjekti i kësaj konference të ambasadorëve amerikanë nga e gjithë bota, për t'u siguruar se bota e di dhe i përgjigjet këtij akti agresioni masiv dhe lufte të dhunshme në kontinentin evropian, me predha artilerie dhe raketa që bien mbi qytete të lashta në Evropë, pamje që menduam se i lamë pas në shekullin e 20-të, me të pafajshëm që vriten, gra dhe fëmijë, spitale dhe shkolla. Të gjitha këto për shkak se qeveria ruse dhe Presidenti Putin vendosën të fillonin një luftë agresioni, në përpjekje për të pushtuar një vend të pavarur dhe sovran, ose pjesë të tij, një vend anëtar të OKB-së", tha Ambasadori Sullivan.

Ndërsa në Rusi vazhdon shtypja ndaj aktivistëve opozitarë dhe mediave të pavarura, Ambasadori Sullivan u takua rishtazi në ministrinë e jashtme ruse për të protestuar ndaj kërcënimeve për gazetarët që punojnë në agjencitë amerikane të lajmeve në Rusi.

"Kam qenë në Moskë për mbi dy vite e gjysëm tashmë, dhe që nga dita kur mbërrita, ka qenë një ortek i pandalshëm shtypje graduale ndaj të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, gazetarëve, shoqatave joqeveritare. U miratua një ligj, për individë dhe organizata, që përcaktohen si agjentë të huaj, apo ekstremistë dhe njerëzit janë shtrënguar të largohen nga vendi. Këta janë rusë besnikë, që kanë jetuar në atdhe gjatë gjithë jetës së tyre, që e duan vendin e tyre dhe që nuk janë dakord me veprimet, që ka ndërmarrë qeveria e tyre. Detyrohen të largohen nga vendi, nëse janë me fat. Nëse jo, i dërgojnë në kampe pune për ca kohë", tha Ambasadori Sullivan.

Për të diskutuar situatën me aleatët, Presidenti Joe Biden do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Gjermanisë për takimin e G-7ës dhe në vazhdim drejt Madridit për takimin e NATO-s. Ambasadori Sullivan thotë se pritshmëritë janë të larta.

"...në çdo moment, Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët, kanë demonstruar unitet të jashtëzakonshëm. Kam besim tek rezultati i takimit të G-7ës dhe i takimit të udhëheqësve të NATO-s. Ishte gabimi i qeverisë ruse dhe i Presidentit Putin që nënvlerësoi unitetin e aleancës së NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë në BE. Ishte një gabim, pasi ne jemi të bashkuar, dhe do t'i rezistojmë këtij agresioni", tha ai.

Ambasadori Sullivan është optimist edhe për sa i përket debatit për të ulur ndërvarësinë e Evropës nga furnizimi me karburant dhe gaz nga Rusia.

"Është një problem afatshkurtër që do ta zgjidhim së bashku, dhe nuk do të gabojmë sërish duke u mbështetur më shumë se ç'duhet tek një vend kaq i paqëndrueshëm, agresiv dhe armiqësor si Rusia", thotë ai.

Megjithëse Ambasadori Sullivan është i shqetësuar prej faktit se propaganda në Rusi i ka paraqitur popullit një pamje krejt të ndryshme të luftës në Ukrainë, ai ka ndjesinë se diçka po fillon të ndryshojë.

"Mendoj se ekziston një ndjesi jo shumë e dukshme në Rusi, se diçka nuk shkon dhe se ajo që po ndodh në Ukrainë është gabim. Ata e mbështesin vendin e tyre. E duan ushtrinë e tyre. Por diçka nuk shkon, dhe ata e dinë këtë gjë; mund ta ndjesh këtë ndjesi të fshehtë. Njerëzit duan të dinë: Kur do të ndalet? Kur do të rikthehen gjërat siç ishin më parë? Dhe mesazhi është se, fatkeqësisht, nuk do të ndodhë së afërmi", thotë Ambasadori Sullivan. /VOA