BOTA, 19 Gusht 2025, 11:04

Sky News: Putini nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë, por prezenca e tij ishte e dukshme! Tre momentet që tregojnë ndikimin e tij mbi Trump-in

Sky News: Putini nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë, por

Putin nuk ishte në Shtëpinë e Bardhë në takimin e Trump me Zelensky-n dhe liderët evropianë, por ndikimi i tij po.

Në disa momente dukej sikur e dominonte plotësisht sallën dhe sipas një analize të Sky News, tre episode kyçe treguan qartë sa i fortë është aktualisht ndikimi i presidentit rus mbi Donald Trump.

I pari ndodhi në Zyrën Ovale. Ulur pranë Volodymyr Zelenskyy, presidenti amerikan u tha gazetarëve: “Nuk mendoj se ju nevojitet një armëpushim.”

Ishte një kthesë e befasishme në qëndrimin e tij për paqen. Për gjashtë muaj me radhë, armëpushimi ka qenë prioriteti i Trump, por pas takimit me Putinin në Alaskë, papritmas nuk është më. Një konfirmim se tashmë e sheh luftën përmes syve të Moskës.

E dyta lidhej me formatin e konferencës. Trump iu rikthye stilit të tij të preferuar, pyetje të hapura, pa kufizim. Në Alaskë, Putin nuk mori asnjë pyetje, me gjasë sepse nuk donte.

Por Zelenskyy nuk pati të njëjtin privilegj: ai u përball me një breshëri pyetjesh, si për të testuar nëse kishte mësuar “leksionin” nga hera e kaluar. Ishte një tjetër tregues i statusit të veçantë që Trump i rezervon Putinit.

E treta lidhej me telefonatën mes dy liderëve. Fillimisht Trump tha se do të fliste me Putinin pas takimit me udhëheqësit evropianë. Por rezultoi se telefonata ndodhi gjatë tij.

Një takim ballë për ballë me shtatë liderë u ndërpre për një telefonatë me një të vetëm, si të duhej të merrte fillimisht miratimin e Putinit, përpara se të vazhdonte diskutimet.

Ende nuk dihen të gjitha detajet e propozimit të paqes që po hartohet, por gjithçka tregon se është një draft i skicuar nga Rusia. Shtëpia e Bardhë po ofron letrën, por Kremlini po mban lapsin.

Për Moskën, objektivi është që Trump të ecë në rrugën e saj drejt paqes: fillimisht marrëveshje, pastaj armëpushim. Kremlini beson se kjo është mënyra më e mirë për të siguruar interesat e veta, pasi ka më shumë levë ndikimi për sa kohë që lufta vazhdon.

Por Putini mbetet i kujdesshëm, ai e di se Trump është i lëkundshëm dhe mund ta ndryshojë qëndrimin lehtësisht, në varësi të personit të fundit me të cilin ka folur.

Prandaj, për të siguruar që simpatitë e Trump të mos devijojnë dhe vijat e kuqe të Rusisë të mbeten të paprekura, Moska po përpiqet me çdo kusht që zëri i saj të dëgjohet.

Kështu ndodhi edhe të hënën, kur ministria e Jashtme ruse reagoi menjëherë ndaj deklaratave të qeverisë britanike se do të ishte e gatshme të dërgonte trupa për të zbatuar një armëpushim. Moska e quajti idenë “provokuese” dhe “grabqare”.

Në këtë mënyrë, Kremlini përpiqet të zbehë shqetësimet evropiane duke u paraqitur si pala që dëshiron më shumë paqen, ndërsa Kievi dhe Evropa si pengesa kryesore.

Megjithëse Zelenskyy ka pranuar një takim trepalësh, Kremlini nuk ka bërë të njëjtën gjë. Pas telefonatës mes Putinit dhe Trump, Moska deklaroi vetëm se dy liderët kishin diskutuar “rritjen e nivelit të përfaqësuesve” në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, pa dhënë detaje mbi shkallën e këtij ndryshimi.