TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbi 100 persona, duke përfshirë të paktën 12 azilkërkues nga Eritrea, u plagosën sot në përleshjet e dhunshme në Tel Aviv midis mbështetësve të qeverisë Eritreane dhe kundërshtarëve të presidentit Isaiah Afwerki. Policia izraelite përdori gaz lotsjellës për të shuar trazirat, ndërsa disa nga protestuesit hodhën gurë ndaj oficerëve të policisë dhe u vunë flakën koshave të plehrave, raportoi Reuters. Në videot e postuara në faqet e rrjeteve sociale, mbështetësit e qeverisë së Eritresë u përleshën me protestuesit antiqeveritar.
Sipas burimeve spitalore, ndihma e parë iu dha më shumë se 114 personave. Rreth 30 policë ishin në mesin e të plagosurve. Spitali Itchilov raportoi se 38 persona të plagosur u dërguan atje, dhe rreth dhjetë prej tyre kishin plagë nga plumbat. Policia njoftoi se janë arrestuar 39 të dyshuar për “sulm ndaj policëve dhe gjuajtje me gurë”. Incidentet e dhunshme shpërthyen në periferi të një aktiviteti të organizuar nga ambasada e Eritresë për të shënuar Ditën e Revolucionit, përvjetori i fillimit të luftës për pavarësi të vitit 1961 nga Etiopia.
Afuerki ka sunduar Eritrenë që kur vendi fitoi pavarësinë në 1993. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar qeverinë e tij për dhunë. Për këtë arsye, SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë vendosur sanksione. Gazetarët thanë se panë burra me lëndime në kokë të shtrirë në tokë në një shesh lojërash. Rreth 25,500 eritreanë që kanë kërkuar azil jetojnë sot në Izrael, sipas Assaf, një organizatë që ndihmon refugjatët. Shumë thonë se do të ndiqen penalisht në vendin e tyre nëse riatdhesohen. Eritrea kërkon që qytetarët e saj të marrin një leje daljeje për t’u larguar nga vendi. Ky vend është një nga më të izoluarit në botë dhe renditet i fundit në nivel global për sa i përket lirisë së shtypit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik.