BOTA, 20 Nëntor 2021, 20:39

Kundër vaksinimit dhe kufizimeve anti-covid, qindra protestues marshojnë në Romë

Kundër vaksinimit dhe kufizimeve anti-covid, qindra protestues

Një numër i madh protestuesish janë mbledhur mbrëmjen e së shtunës në Milano dhe Romë për të kundërshtar vendosjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit në Itali. Në Itali, për t’u futur në ambiente të mbyllura siç mund të jenë kinematë duhet të paraqitësh një “Green Pass”.

Protestat në vend vijojnë në javën e 18-të radhazi. Me qindra protestues, që janë kryesisht edhe kundër vaksinimit, u mblodhën në Circo Massimo, Romë. Mediat në vend raportojnë se të paktën tre protestues janë ndaluar në Milano. Në Piazza Duomo situata paraqitet e tensionuar, por të lënduar nuk ka.

Protesta kundër kufizimeve anti-covid si dhe vaksinave ka pasur edhe në Pragë dhe Amsterdam. Kujtojmë se të premten mbrëma, policia holandeze hapi zjarr ndaj protestuesve dhe shtatë persona mbetën të plagosur në trazirat që shpërthyen në qendër të Roterdamit.