TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

I dyshuari kryesor i hetuesve gjermanë për zhdukjen e Madeleine McCann, një rast i bujshëm që tronditi botën në vitin 2007, do të lirohet nga burgu brenda pak javësh, kanë konfirmuar autoritetet lokale.
Christian Brückner, i cili po vuan një dënim në Gjermaninë veriore për një akuzë përdhunimi, do të lirohet brenda datës 17 shtator, ka thënë për BBC prokurori kryesor që po heton zhdukjen e vajzës së vogël.
Hans Christian Wolters gjithashtu tha se besonte se 48-vjeçari gjerman është i rrezikshëm, por se situata ligjore aktuale nënkuptonte që ai duhet të lirohet menjëherë nga burgu.
Brückner nuk është akuzuar kurrë për ndonjë krim në lidhje me zhdukjen e Madeleine dhe ai mohon çdo përfshirje.
Vajza trevjeçare në atë kohë u zhduk nga një kompleks apartamentesh në Praia da Luz, në Algarve, më 3 maj 2007, duke nxitur një hetim në mbarë Evropën, që është bërë një nga rastet më të përfolura të personave të zhdukur.
Prindërit e Madeleine po darkonin me miq në një restorant disa minuta larg, ndërsa vajza e tyre dhe vëllai binjak, po flinin në apartamentin në katin përdhes.
Ata kishin kontrolluar fëmijët herë pas here, derisa nëna e saj, Kate, zbuloi se vajza mungonte rreth orës 22:00 me orën lokale.
Rasti mbetet i pazgjidhur, por prokurorët gjermanë kanë treguar prova që sugjerojnë se Brückner mund të ketë qenë në zonë kur Madeleine u zhduk.
Z. Wolters tha se, edhe pse ai dhe prokurorë të tjerë nuk besonin se kishin prova të mjaftueshme për ta akuzuar zyrtarisht Brückner në lidhje me rastin McCann, përpjekjet e tyre do të vazhdonin.
Brückner “nuk është vetëm i dyshuari ynë numër një, ai është i vetmi i dyshuar,” tha ai. “Nuk ka askënd tjetër.”
“Ne kemi prova që flasin kundër tij, që tregojnë se ai është përgjegjës për zhdukjen dhe vdekjen e Madeleine McCann,” tha ai.
“Nuk kemi gjetur asgjë gjatë pesë viteve të fundit që ta përjashtojë [atë]. Përkundrazi, kemi gjetur prova që forcojnë çështjen tonë. Por, sipas mendimit tonë, nuk janë prova aq të forta sa të sigurojnë një vendim fajësie, dhe kjo është arsyeja pse deri tani nuk kemi mundur ta akuzojmë apo të kërkojmë urdhër arresti.”
Për shkak të dallimeve në sistemet ligjore, autoritetet gjermane e dyshojnë Brückner për vrasje në lidhje me Madeleine McCann, ndërsa policia britanike vazhdon ta trajtojë zhdukjen e saj si rast personi të zhdukur.