TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pret që javën e ardhshme të përcaktohet kuadri i garancive të sigurisë për Ukrainën, ndërsa Kievi vazhdon bisedimet me aleatët për të siguruar një mekanizëm të fuqishëm mbështetjeje ndaj agresionit të mëtejshëm rus.
Zelensky bëri të ditur se ka diskutuar “gjithëpërfshirësisht” këtë çështje me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë një bisede telefonike që pasoi një sulm masiv rus gjatë natës në Kiev, ku humbën jetën 19 persona.
“Këshilltarët për çështjet e sigurisë kombëtare po punojnë aktualisht mbi secilin element specifik dhe i gjithë kuadri pritet të jetë gati me shkrim javën e ardhshme”, deklaroi Zelensky pas bisedës me liderin turk.
Ai shtoi gjithashtu se gjatë sulmit të natës u godit edhe një kompani turke. Presidenti ukrainas njoftoi se ministri i Jashtëm i Turqisë do të marrë pjesë në bisedimet për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së Ankarasë në ofrimin e garancive të sigurisë, veçanërisht në Detin e Zi.
Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, ndodhej sot për vizitë në Turqi për të diskutuar këtë çështje, si dhe bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes. Lajmin e bëri të ditur vetë Umerov përmes një postimi në Facebook.
Nga ana tjetër, Turqia ka përshëndetur diskutimet për garancitë e sigurisë dhe ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në çdo nismë që synon sigurimin e paqes së qëndrueshme në Ukrainë.
Ankaraja ka theksuar më herët se mund të shqyrtojë pjesëmarrjen në nisma paqësore në terren, nëse përcaktohet një metodologji dhe kuadër i qartë, por deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë angazhim të hapur.