BOTA, 23 Shtator 2022, 23:06

Fundosja e anijes në brigjet e Sirisë, 71 persona humbin jetën! Autoritetet në kërkim të të mbijetuarve

Fundosja e anijes në brigjet e Sirisë, 71 persona humbin jetën!

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në brigjet e Sirisë ku një anije është mbytur, e për pasojë 71 persona kanë humbur jetën.

Sipas BBC, autoritetet vendase kanë arritur sot të shpëtojnë 20 persona, të cilët po marrin trajtim mjekësor në qytetin e Tartus në Siri.

Zyrtarët thanë se shtetas libanezë, sirianë dhe palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, besohet të jenë në mesin e 120-150 personave që ishin në bord kur anija u mbyt të enjten.

Nuk dihet se çfarë e shkaktoi aksidentin ndërkohë që vijojnë kërkimet për personat e tjerë që rezultojnë të humbur. Zyrtarët shtuan se anija ishte nisur nga Minyeh, një qytet pranë qytetit port libanez të Tripolit.

Varka besohet se ishte nisur drejt Evropës kur u fundos. Tartus, ku janë transportuar të mbijetuarit, është rreth 30 milje (50 km) në veri të Tripolit.