BOTA, 1 Shtator 2025, 17:02

Pas incidentit me avionin që po udhëtonte Von der Leyen, BE vendos të forcojë mbrojtjen satelitore kundër bllokimit të GPS

Pas incidentit me avionin që po udhëtonte Von der Leyen, BE vendos

Bashkimi Evropian do të vendosë satelitë shtesë në orbitën e ulët të Tokës për të forcuar sistemin e navigimit dhe për të mbrojtur infrastrukturën e saj kundër ndërhyrjeve të huaja.

Lajmi është konfirmuar nga Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, një ditë pas një incidenti që ka shkaktuar shqetësim të madh në Bruksel. Incidenti ndodhi dje, kur avioni i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, humbi aksesin në shërbimin GPS teksa po afrohej në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.

“Ne mund të konfirmojmë me të vërtetë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul në mënyrë të sigurt”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podesta, raporton Reuters.

Sipas saj, autoritetet bullgare kanë informuar Brukselin se dyshojnë për ndërhyrje të qëllimshme nga Rusia, duke ngritur alarmin për cenueshmërinë e sigurisë së sistemit të navigimit satelitor të BE-së.

Si përgjigje ndaj këtij incidenti, Komisioneri Kubilius njoftoi se Bashkimi Evropian do të forcojë kapacitetet satelitore në orbitën e ulët të Tokës, me qëllim që të:

• rrisë rezistencën ndaj ndërhyrjeve elektronike,
• përmirësojë zbulimin e sinjaleve të paligjshme,
• dhe të mbrojë sigurinë e transportit ajror dhe infrastrukturave kritike në të gjithë territorin e BE-së.

“Ne nuk mund të lejojmë që sinjalet tona të manipulohen apo të bëhen të papërdorshme në mënyrë të qëllimshme. Kjo është çështje sigurie kombëtare për të gjitha vendet anëtare”, u shpreh Kubilius.