BLOG, 30 Gusht 2023, 08:51

“Pasi më torturuan barbarisht, hetuesit më thanë se do të më sillnin djalin ta shikoja nga dritarja”/ Dëshmitë tronditëse të inxhinierit të naftës: Befas fillova të dëgjoj të qarat e një fëmije…

“Pasi më torturuan barbarisht, hetuesit më thanë se do

Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, ështe të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtëdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut.

Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfardo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë.

Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për-zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

Trupi i im tani vente e vinte në rrethin e formuar prej këtyre katër “fajkonjve” të diktaturës komuniste, që vetëm e vetëm qëllonin duke më përplasur sa në një anë në tjetrën. Kur trupin tim të pa mbrojtur goditja e përcillte në drejtim të njërit hetues, ky nuk e kursente grushtin apo shqelmin për të më kthyer andej nga kisha ardhur, pra tek hetuesi i mëparshëm. Të bërtiturave të Rustemit, se do të m’i shkulte ato shtatë lëkurat, unë i përgjigjesha me buzët e mija të ënjtura nga goditjet, se dhe njëqind lëkura të më hiqte, unë nuk do të pranoja atë që nuk i kisha bërë dhe që as e pata menduar ta bëja.

Të lodhur nga goditjet që më dhanë për orë të tëra, si dhe të tërbuar që po ua flakja tutje skenarin që me kërkonin të pranoj, kaluan në një egërsi të një shkalle më të lartë. Rustemi më shtriu përtokë me duart e prangosura pas shpine dhe i ftoi shokët të më godisnin me shqelma. Më godisnin pa u merakosur në se shqelmi i tyre zinte kurrizin, barkun apo kokën.

Ata më godisnin me aq tërbim, sa unë vura re i tmerruar se ata më urrenin. Unë kisha dëgjuar që njerëzit torturohen, por mendoja se ata që bëjnë këtë punë, e bëjnë thjesht se ajo është puna e tyre, si puna e tyre që rrahin lëkurët, dyshekët apo misrin në vrah. Mirë, le të bënin punën, po përse më urrenin?! Mua nuk më hiqej dot nga mendja se ata e dinin fare mirë që unë isha i pafajshëm!

Në mes të këtyre torturave antinjerëzore, për herë të parë ndjeva tek lindte për këta njerëz edhe urrejtja ime. Urreja udhëheqjen e Partisë e të shtetit, që po inskenonte një vepër të tillë, që po sakrifikonte kuadro të larta shkencorë për interesa personash e klanesh. Urreja diktaturën komuniste. Urreja sistemin komunist, të cilin ngaqë deri atë ditë nuk më pat shkelur në kallo, padrejtësisht, nuk pata marrë mundimin ta gjykoja.

Pas një torture të tillë, që dukej sikur nuk do të rreshtëte, erdhën dy policë të burgut e duke më mbajtur për krahu, ngaqë nuk isha në gjendje të ecja për shkak të dhimbjeve që kisha në trup, me çuan në banesën time të re, në birucën numër 8.

Kur më hoqën prangat unë isha tërësisht i telikosur, i rraskapitur, i ënjtur, i nxirë dhe i përgjakur nga të rrahurat, Aty në një qoshe me vështirësi pashë enën prej llamarine me çajin e darkës. Ishte e pamundur të haja e të pija gjësendi. E vura atë farë darke në një qoshe, që mos la trazoja me këmbë. Në këtë gjendje desha vetëm të shtrihesha për të marrë pak forca. Tërhoqa batanijen e qelbur, por që tashmë nuk i ndjeja as erën e keqe e as të gërvishturat që pata përbuzur më parë dhe e shtrova në katërsh, përdhe. Vura dorën nën kokë në vend të jastëkut dhe ashtu mendova se do të fle.

Mëndja pa dashur më shkoi tek banori i mëparshëm i kësaj qelie, Xhavit Sallaku, pjesëtar i asaj familje militante në Tiranën e Luftës. Atë e kishin pushkatuar. Edhe mua ma paralajmëruan disa herë këtë, teksa më torturonin. Thua ta mbanin fjalën e të më pushkatonin edhe mua?!

Me sytë e mbërthyer në tavan, kurrsesi nuk e largoja dot Xhavit Sallakun që pat kaluar nga kjo birucë. Unë e pata njohur atë. Ai ishte prej një familje të respektuar tiranase, me një kontribut të shquar gjatë luftës partizane dhe më vonë gjatë periudhës së pas çlirimit. Sallaku qe dënuar me vdekje, se; “pat sabotuar në ndërtimin e murit rrethues të Uzinës se Përpunimit të Naftës”!

Vetë Drejtori i Ndërtimit të Uzinës së Përpunimit, kish sabotuar?! E pabesueshme! Ata që e kanë njohur Xhavitin, kurrë nuk mund të besojnë që ai të ketë kryer ndonjë vepër në dëm të ekonomisë së vendit. Ishte ai vend nën atë regjim, për të cilin pat luftuar ai dhe familja e tij! Ndofta fatkeqësia Sallakut i pat ardhur nga që, kur pat kryer studimet në Rusi, pat sjellë me vete një shoqe jete, një femër sovjetike, me të cilën edhe lindi dy vajza.

Unë e pata njohur familjen Sallaku në fëmijërinë time, kur banonin në “Rrugën e Saraçëve”, afër ‘Pazarit të Ri’. Familjet tona kishin luftuar shumë për idealet e reja të lirisë e demokracisë, për një rend pa shtrytëzues. Ky i sotmi, ishte pushteti që deshëm ne, pushteti ynë. Unë dhe Xhaviti ishim kuadro të lartë të rrahur nga shqotat e ndërtimit të një jete të re. Ne të dy kishim studiuar në Bashkimin Sovjetik. Ne ishim rritur të dy rrugicave të Tiranës…! Ne të dy ishim angazhuar që fëmijë në aksionet kundër okupatorit. Për të ardhur tek kjo ditë…!

Duhet të ishte afërsisht mezi i natës. Me gjithë dhimbjet e tmerrshme dhe stuhitë e mendimeve që nuk kishin të qetësuar, kur pata mbetur vetëm në birucë, pas disa orësh unë e zura veten të zhytur në një gjumë të rëndë. Dhe kushedi kur do të zgjohesha po të mos kisha ndjerë përsëri zhurmën e llozit të hekurt në derë. Ata dy policët që më patën sjellë në të ndarën time, më ngritën nga krahët, më vunë përsëri prangat dhe ashtu, gjysëm të përgjumur e pothuaj zvarrë, më çuan përsëri në dhomën e hetuesisë.

Aty ri gjeta po ata persona që po më hetonin pak më parë, nëse rrahjes së pamëshirshme, këtej e tutje do të vendosim t’i themi hetim. E kështu duhet të ketë qenë hetimi edhe më parë, që prej dekadash të tëra. Ky farë procesi hetimor, nuk ishte gjë tjetër veçse periudhë pa fund dhune e rëndë fizike, torturash antinjerëzore, me metoda të ndryshme si mbas rastit, për të mposhtur të arrestuarin të pranonte atë çka i duhej atyre, atë çka i duhej shtetit dhe shtabeve të diktaturës.

Kështu rifilloi edhe njëherë ajo peripeci e tmerrshme për çdo njeri që ka bërë një jetë të ndershme dhe kërkon së paku një thërrime respekt. Në të njëjtën kohë, kjo dukej si lojë argëtuese për këta punëtor të çuditshëm të turnit të natës, që kishin marrë përsipër të më bënin të pranoja se komplotoja kundër shtetit. Tani unë isha tërësisht i dërmuar dhe nuk isha në gjendje të dalloja mirë fytyrat e tyre, e bile as po i numëroja dot se sa vetë merrnin pjesë në këtë takim në mesnatë, ku porsi ujqër të uritur, ata qëndronin para një njeriu e bëheshin gati ta shqyenin, ta copëtonin atë.

Në fillim e nisën me përpjekjet për të më bindur se isha në rrugë të gabuar, se kokë-ngjeshja do të më dilte mua më keq, se e vetmja rrugë për të mbijetuar ishte të pranoja fajësinë dhe të lija që plumbin ta hanin ata, të mëdhenjtë e Byrosë Politike. Hetuesit përsërisnin me ngulm pothuaj të njëjtin avaz, të njëjtën kërkesë që unë të flisja; “për atë anëtarin e shkurtër të Byrosë, që pat punuar dikur në sektorët e naftës”, e të tjera. Ata kurrë nuk më parashtruan dot një fakt që të mbështeste akuzat e bëra. Më shpesh se të tjerët, hetues Rustemi, e bënte të qartë se unë kisha vetëm dy rrugë:

-Ti Xhaçka, – thosh ai, – ose do t’i pranosh këto dhe të shpëtosh jetën tënde, ose ne do të t’i rrjepim ato të shtatë lëkurët e famshme, që këtu në hetuesi! Do të të vdesim me duart tona e do të përpilojmë një vërtetim mjekësor, sikur gjoja ke vdekur nga një sëmundje e zemrës. Ne kemi në dorë dhe arrën dhe çekiçin, a e kupton?!

Këto ishin alternativa të vërteta. Unë krijova, brenda pak kohësh, bindjen e plotë se hetuesia, mund të bënte gjithçka dëshironte e, nuk përgjigjej para askujt për këto krime, sepse ato bëheshin me qëllime të caktuara, në shërbim të atyre që kishin fuqinë në udhëheqje. Ishte mburrje shpesh me përsëriste thelbin e drejtësisë socialiste, që sipas tij ishte kjo:

– Është më demokratikja në botë, sepse ne po të duam të dënojmë me pushkatim. Kurse po të sillesh mirë e, të pranosh ato që themi ne, atëhere ke vetëm dhjetë vjet burg!

Dhe me një paturpësi të madhe, ai i lëvdonte këto shfaqje çnjerëzore, në të cilat dënimi bëhej jo në bazë të fakteve, por të pranimit apo jo të atyre çka dëshironin ata. Në atë terren ku sundonte gënjeshtra, ku nuk gjeje as elementin më të natyrshëm fillestar të mbrojtjes, avokatin, ku prokuroria shkelte katërcipërisht ligjet në vend që t’i mbronte ato, ku hetuesia ishte vetëm një instrument i diktaturës, hetues Rustemi, më tregonte se cila ishte filozofia e organeve të drejtësisë komuniste shqiptare. Ai më theksoi disa herë se tek organet e tyre, ishte ky kriter, të cilin unë duhej ta kisha parasysh mirë e, të nxirrja mësimet se si të veproja:

-Hetuesia ta pret kostumin, – theksonte ai. – Prokurori ta qep atë kostum ashtu si e ka prerë hetuesia, dhe gykata të thotë: mbaje me shëndet!

Avokatë, për të mbrojtur të arrestuarit në vendin tonë, në këto kohëra nuk ekzistonin. Ata ishin hequr para shumë vitesh nga Enver Hoxha, i cili e shtjellon vetë arsyetimin e kësaj heqjeje të paturpshme, në të ashtuquajturat “veprat” e tij, në bisedën me ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Aranit Çelën. Prijësi i madh i komunistëve shqiptarë, e arsyeton me atë, që ndryshe nga vendet kapitaliste, për të mbrojtur të pandehurin, avokatët tek ne, sipas tij, ishin të pa nevojshëm, ngaqë vetë hetuesi, vetë prokurori, vetë gjykata, në vendet e komunizmit, kanë një nivel të tillë edukimi human e qytetar, saqë vetë ata e mbrojnë të burgosurin. Kjo logjikë ishte aq absurde sa dhe antinjerëzore. Si ka mundësi që ai që të fajëson, të vrasë mendjen edhe të mbrojë?!

Është fare lehtë e kuptueshme, se Enver Hoxha, nuk e bëri këtë për të mbrojtur njeriun apo të vërtetën. Me këtë ai deshi t’i hapte tërësisht rrugën terrorit komunist, që organet e Hetuesisë, Prokurorisë e të Gjykatës, të vepronin si të dëshironin me dhunë të verbër ndaj të burgosurve, në mënyrë që këta të fundit, këto qenie të pafajshme e të pambrojtura, të pranonin akuzat e rrema që u viheshin përpara.

Diktatura nuk desh pengesa në rrugën e saj të krimeve. Ajo desh që dosjet në arshivat e saj t’i kish brenda normave e rregullit: të dënuarit të kishin pranuar fajësimin dhe bile të kishin nisur pendimin! Edhe kur ishin ende të pa hequr, avokatët kryenin ca detyra pothuaj formale, sepse ata ishin nëpunës shtetërorë. Ata përveçse vetë kishin frikë, as nuk u lejohej prania në seancat, ku të pandehurit merreshin në pyetje.

Vetëm, formalisht, në fund të proçesit gjyqësor, ata mbanin një fjalim mbrojtës, por ama me tërë respektet ndaj materialit që fatkeqët patën firmosur në hetuesi. Pra një avokat nuk kishte kontakte personale me të burgosurin, nga i cili të mësonte të vërtetën e gjithë proçesit hetimor: Megjithatë, sado pengesë e vogël në bulevardet e padrejtësisë edhe terrorit, gjeniu i diktaturës komuniste, na e kish hequr dhe atë, avokatin.

– Siç e shikon, – vazhdonte me cinizëm shefi i hetuesisë si rrethit, – është fare e thjeshtë. Ne kemi në dorë rrjedhën e jetës tënde.

Në qoftë se ti do të veprosh sikurse të themi ne, jetën do ta kesh të falur. Ne të japim fjalën për këtë. Ama, po vazhdove kështu si ke nisur, do të të shpiem prapa ndonjë mullari me bar, do të të futim një plumb prapa veshit e, mirë u pjekshim në atë botë!

Nganjëherë, duke pritur përgjigjen nga unë, si për t’u engledisur nxinte revolverin, hiqte karikatorin ia nxirrte fishekët dhe i numëronte ata me zë të lartë: një, dy, tri, katër…!

Mua ende vazhdonte të më dukej poshtërim, të pranoja akuza të tilla, për vepra që jo vetëm nuk i kisha kryer, por bile as edhe menduar. Ende më dukej e domosdoshme mbrojtja e dinjitetit. Ata përsëri më shtynin duke thëne se shokët e arrestuar njëherësh me mua, i kishin mbushur dingas dosjet dhe kishin pranuar të bashkëpunonin duke folur e rrëfyer gjithçka.

Grupi hetimor iu kthye përsëri torturave, si më parë, bile më egër se më parë. Njëri nga ata, mori prangat e m’i vuri ato në kyçet e duarve dhe nisi të shtrëngojë vidhat fortë më fort, pa u merakosur se duart po më bëheshin plagë e copë. Ishte një torturë e tmerrshme. Ishte e pamundur të mos ulërije nga dhimbjet. Unë gradualisht po humbisja ndjenjat, po humbisja kontrollin mbi veten, por ama vazhdoja të mos u bindesha. Edhe duke u çmendur nga dhimbjet, më dukej detyrë e shenjtë të mbroja pafajësinë time, njeriun e pafajshëm, Petraq Xhaçkën, si e pata njohur tërë jetën.

Kjo ndeshje zgjati disa orë, deri afër në të gdhirë. Më çuan përsëri në birucë, duke më tërhequr si thes nëpër korridorin e burgut. Dhimbjet e kyçeve të duarve ishin jashtëzakonisht të forta. Ata më ishin nxirë e në mishrat e ënjtur dukeshin qartë shenjat e thella të prangave.

Në birucë ndjeva se kishte filluar të zbardhte. Ishte një zbardhëtirë e ftohtë dhe e egër marsi. Nëpërmjet dritares pa xhama frynte atë ditë një erë e ftohtë e plot lagështi. Trupi i im kërkonte një pushim, deshte qoftë dhe pak orë gjumë, pak orë të qeta nën një mbulesë të ngrohtë, e cila mungonte. Mungonte shtresa, mungonte mbulesa, mungonte vetë koha: përsëri erdhën policët, përsëri tortura, përsëri prehja, përsëri përplasje të kokës mbas murrit, përsëri kërkesa këmbëngulëse të hetuesve dhe përsëri unë, i mbërthyer fort pas heshtjes sime.

Këto tortura të gjata e të rënda, që zgjatnin katërmbëdhjetë deri gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, ma kishin bërë trupin tërë plagë. Nuk i çoja dot duart prapa, që të m’i lidhnin me pranga, prandaj mbas disa ditësh, me kërkesën time, ata bënë një lëshim, duke m’i lidhur duart vetëm përpara. Më vonë për gjendjen time jo të mirë shëndetësore, nga që dhimbjet në trup më ishin shtuar, dërguan disa herë mjekë nga të spitalit të Fierit, për të më parë.

Në seancat e tjera që vazhduan për disa ditë, me po këtë regjim të egër, ata filluan të ma shtojnë ndrydhjen psikologjike, duke provuar të më atakojnë dobësinë time ndaj familjes, me shpresën se në atë anë do të gjendej rruga për të më mposhtur.

Kryehetuesi, Rustem Ajazi, zuri të më thoshte gjithnjë e më shpesh, se po të mos pranoja, time shoqe, Zhanin, së bashku me Hildën e Gencin, do të m’i çonin në disa zona të thella malore, ku të mos gjendej asnjë këmbë njeriu, ku të jetonin si qenër e të mos shikonin diell me sy.

– Ti je i zgjuar, – më thosh ai. – Kuptoje pra situatën, se këto që themi, ne i bëjmë dhe nuk na ndalon njeri.

Unë e vështroja gojëkyçur duke shpresuar shumë që këto të gjitha, të ishin kërcënime e aq.

– Ne, – më tha një ditë, – ta kemi dosjen gati, të mbushur me ato që duhet të thuash. Prandaj, vëre logjikën në punë, e pranoi ato.

Unë ua hodha vështrimin të tjerëve. Ata pohuan me kokë, se e vërteta ishte ashtu siç e tregonte Rustemi. – Kur ju i paskeni gati, atëhere përse më mundoni?! M’i jepni që t’i firmos, të marr dënimin e të përfundojë kjo punë…!

Natyrisht, ata e dinin se unë e kuptoja që kjo rrugë kishte mjaft dobësira formale, ngaqë unë vetë duhej të flisja, e jo vetëm mekanikisht, t’i firmosja, Atëhere m’u vërsulën duke më rrahur përsëri, me të gjitha fuqitë që ende u kishin mbetur në krahët e tyre. Mbas kësaj shprehie; “dosjet i kemi gati”, ata nuk më thanë më.

Mundohesha më kot t’i bindja, me arsyen se unë nuk mund te isha sabotator dhe armik, kur, më propozim të kolektivit dhe me aprovim të Kuvendit Popullor, mbaja gjithë ato dekorata e urdhra pune, për kontribut të shquar, dhënë në fushën e kërkimeve të naftës e të gazit e në zhvillimin e industrisë së naftës.

Si tani, befas, dola armik e sabotator?! Dy vlerësime të kundërta për të njëjtën periudhë, për të njëjtën jetë njeriu?! Unë jam thjesht një viktimë e këtij sistemi, për të cilin punova për 30 vjet, në ballë të vështirësive. Tani që po më afron koha e pensionit, ju doni të më përdorni ashtu si shtrydhet një limon e hidhet në kosh, për të gjetur ca dëshmi në favor apo kundra, në konflikte që mund të jenë! Kur u shtroja këto pandehma dhe ankesa, të cilave hetuesit nuk mund t’u gjenin logjikë për t’i kundërshtuar, ata futnin në lojë të vetmen logjikë, ku ishin vërtet zotër: më suleshin me një egërsi të madhe, për të më rrahur e poshtëruar.

Në një seancë më pas, më thanë se në oborrin e burgut, do të më sillnin Gencin, të cilin do ta shikoja nga dritarja! Këtë nuk e bënë, por nga ajo ditë, në birucën përballë times, befas fillova të dëgjoj të qarat e një fëmije, djaloshi të vogël, i cili kërkonte ndihmën e se ëmës. E dëgjohej qartë tek thoshte me ngashërim:

– Moj, mamkë moj…! Nuk kam bërë gjë moj…! Po kush do të më puthë, para se të fle moj…?!. Cili do të të ndihmojë ty që je e sëmurë, mamkë moj…?! Çfarë do të bëjë tani motra ime moj?!

Kur isha në birucë, këto qarje i dëgjoja me orë të tëra. Qëndroj me veshin ngjitur pas derës së hekurt, që të mund të dalloja më mirë këtë të qarë fëmije. Ishte i Gencit, apo jo?! Tepër vështirë, ta dalloje saktë! Zëri vinte i prerë, nga mure e dyer të hekurta, nga biruca përballë dhe për pasojë, ai nuk më dukej i qartë.

Arrita në përfundimin se; fëmija që qante, duhej të ishte djali i im. Po, po! Shprehjet ishin tamam nga ato që Genci i përdorte gjithnjë, kur i drejtohej së ëmës. Unë nuk kisha dëgjuar fëmijë rreth nesh, e ndoshta në tërë zonën e Fierit, që të përdornin për nënat thirrjen korçare; “mamkë!” Së dyti, puthja para gjumit…!

Ishte një gjest që Zhaneta e bënte çdo natë me fëmijët, para se të flinin. Më tej, zihej në gojë një nënë e sëmurë: në të vërtetë Zhaneta, ishte duke u kuruar. Ne bile, para ca kohësh, e patëm shtruar në spital, në gjendje mjaftë të rëndë…! Së fundi, në qarjet, përmendej një motër!

Dhe e fundit fare, ai fëmijë, çuditërisht, kurrë nuk zinte në gojë babanë! Tani, kur i dëgjoja këto të qara me ngashërim, fillova të qaja me dënesë, duke qëndruar orë të tëra në këmbë prapa derës, për t’u siguruar akoma më mire, në ishte ky zëri i Gencit tim, apo jo?! Ajo ishte një torturë e tmerrshme për mua. Ajo më tërhiqte në përfytyrime të pa durueshme: djali im në burg, bashke me mua, për arsye se unë nuk pranoja akuzat! Përfytyroja se si ma rrihnin edhe Gencin aty në hetuesi.

E lotët më rridhnin rrëke, nga sytë e mi të pagjumë e të lodhur. Fillova të mendoj dhe Hildën, ashtu të vetmuar, pa babanë dhe vëllanë, pa asnjë mbrojtje, në atë mjedis, ku askush nuk i fliste…!