TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
-Katër vite pune si drejtor, në Uzinën e Përpunimit të Naftës në “Qytetin Stalin”-
Përpunimi i naftës bruto, për nxjerrjen prej saj të nën-produkteve si karburantet, lëndët djegëse, bitumin, etj., aq të çmuara për zhvillimin e ekonomisë së një vendi, edhe tek ne është i hershëm. Rafineria e parë në vendin tonë (distileria), me kapacitet të vogël përpunues, u ngrit nga shoqëria koncesionare AIPA, që me zbulimin prej saj të vendburimit të parë të naftës në Kuçovë, në vitin 1935. Një tjetër rafineri ishte ngritur në Kuçovë edhe nga pushtuesit gjerman në vitin 1944, por në kohën që ajo po vihej në punë, u sulmua dhe shkatërrua nga bombardimet e aviacionit anglez.
Pas çlirimit të vendit, me rivënien në shfrytëzim të vendburimit të naftës të shkatërruar gjatë luftës, në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, në Qytetin Stalin u ngrit edhe rafineria e parë e re e përpunimit të naftës, me kapacitet 200 mijë ton në vit, me vendndodhje në shpatin e kodrave në veri-perëndim të qytetit. Me ngritjen dhe vënien në punë të kësaj rafinerie të emërtuar më pas Uzina e Përpunimit të Naftës “UPN”, kishte spikatur puna e përkushtuar e inxhinierëve rusë dhe një grupi inxhinierësh shqiptarë, që kishin kryer studimet në Rusi e Rumani dhe, në veçanti, ajo e punëtorëve shqiptarë, të cilët kishin punuar bashkë me specialistët italianë në rafinerinë e ngritur nga shoqëria AIPA.
Ishte po ky grup inxhinierësh shqiptarë e specialistësh të vjetër e të rinj që punonin ne UPN që, më pas, në fund të viteve 1950, ngritën dhe vunë në shfrytëzim Uzinën e Përpunimit të Naftës në Cërrik, në vitin 1960, atë në Fier si dhe në 1975, bashkë me specialistët kinezë, Kombinatin e Përpunimit të thellë të Naftës në Ballsh. Të gjitha këto uzina në vitin 1976, kishin një kapacitet përpunimi të naftës deri në masën dy milion ton në vit, aq sa ishte dhe nxjerrja e saj në vendburimet tona të naftës. Megjithëse emërimin tim në detyrën e Drejtorit të Uzinës së Përpunimit të Naftës, nuk e kundërshtova, brenda vetes, në ditët e para të punës, gjendesha në dilemë e jo pak i shqetësuar.
Kjo, së pari, se shkollimi imi nuk ishte ai i profilit teknolog përpunimi nafte dhe, së dyti, për këtë uzinë, sidomos në dy vitet e fundit, dëgjoja shpesh kritika publike nga organet e partisë në rajon dhe ato ekzekutive në Berat, për mosplotësimin e detyrave të planit të përpunimit të naftës. Kur fillova punë në shtator të vitit 1972, të gjithë punonjësit i gjeta tërësisht të angazhuar e të përqendruar në dy fronte: në atë të plotësimit të detyrave të përpunimit të naftës në impiantet e repartet ekzistuese dhe në atë të punimeve ndërtimore për rritjen e kapacitetit përpunues të uzinës, nga 200 mijë në 500 mijë ton në vit. Punimet ndërtimore ishin përqendruar në ngritjen e një impianti të ri të përpunimit të naftës, në ngritjen e një fabrike të re për prodhimin e fuçive të ambalazhit të bitumit, në shtesën e depozitave në parqet e depozitimit të naftës bruto dhe karburanteve, si dhe në zgjerimin dhe përmirësimin e kushteve të punës në ambientet e repartit të bitumit.
Në ditët e para të punës, u fokusova kryesisht në ndjekjen e ecurisë së problemeve ndërtimore që i kryente Ndërmarrja e Ndërtim Montimeve të Naftës. Objektivi ishte që këto punime të përfundonin brenda muajit dhjetor. Çdo mbrëmje, bashkë me drejtuesit e kantierit mblidheshim në objekt. Diskutonim për ecurinë e punimeve ditore, sipas grafikut të miratuar dhe evidentonim gjendjen e bazës materiale. Drejtoria e Përgjithshme e Naftës në Fier, na kishte hapur dyert e magazinave të saj në Patos, si dhe atë të rezervave në Karnicë të Fierit. Në takimet e përditshme me kryetarët e degëve të administratës çdo mëngjes në zyrën time dhe gjatë ditës me teknologët, operatorët e turneve të impianteve dhe shefat e reparteve në vendet e tyre të punës, ndjehesha mirë kur më raportonin se punët në uzinë shkonin mirë e, për çdo ditë detyrat realizoheshin sipas planit.
Kur i pyesja se përse kur punët shkonin aq mirë, plani nuk realizohej, më përgjigjeshin se gjatë vitit impianti kryesor, ai i përpunimit të naftës, shpesh ndalej dhe se këto ndalesa të detyruara bëheshin nga mos-evadimi ritmik i nën- produkteve të gatshme nga uzina dhe për mungesë të llamarinës që përdorej për ambalazhimin e bitumit. Jo se nuk i besoja ato që më thoshin, por për të ditur sa ishte i vërtetë ndikimi i këtyre ndalesave në mos-realizimin e përpunimit të naftës, iu ngarkova detyrë kryetarëve të degëve të administratës që të nxirrnin nga blloqet të dhënat operative që evidentonin në çdo turn operatorët e impiantit, si dhe orët e ditët e ndalesave në dy vitet e fundit 1971 e 1972. Nga verifikimi i këtyre të dhënave, rezultoi se gjatë vitit 1971, për këto dy shkaqe impianti ishte ndalur tetë herë, që llogariteshin në 18 ditë pune të humbura. Për periudhën gjashtëmujore të vitit 1972, impianti ishte ndalur pesë herë, e llogaritur në 12 ditë pune të humbura. Nëse nuk do të kishin ndodhur këto ndalesa, plani i përpunimit të naftës në uzinë në të dy vitet do ishte realizuar në masën mbi 100%.
Mbështetur në këto të dhëna, në këndvështrimin tim, gjykova që përgjegjësia për mosplotësimin e planit nuk binte mbi kolektivin punonjës të uzinës, as mbi personelin inxhiniero-teknik e shefat e reparteve. E gjitha binte mbi administratën e uzinës e sidomos, mbi ish-drejtorin e larguar dhe kryetarët e degëve të planit, furnizim-shpërndarjes dhe financës. Në takimin që bëra me punonjësit e administratës për këtë problem, më rezultoi nga zyra e arkivit se nuk ishte bërë asnjë analizë dhe nxjerrë kurrfarë përgjegjësie për këto ndalesa e nuk kishte asnjë korrespondencë me ndërmarrjet kontraktore: parkun e transporteve në Urën Vajgurore, degën e karburanteve po në Urën Vajgurore apo bazën e furnizimit materialo-teknik të naftës në Patos. Asnjë akt-padi në arbitrazhin e lartë shtetëror, apo ndonjë shkresë zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Fier, si dhe ato të rrethit në Berat.
I bindur se me ata kryetarë dege të hershëm në ato detyra e të ambientuar me atë situatë do e ishte e vështirë 89 Rrëfime dhe mbresa të përballoheshin detyrat e planit të vitit 1973 e të viteve më pas, kur në uzinë nuk do të përpunoheshin më 200 mijë ton në vit, por 500 mijë ton, të treve u kërkova të jepnin dorëheqjen. Me miratimin e Komitetit të Partisë për lirimin e tyre dhe emërimin e tre ekonomistëve, djem të rinj, njëri punonjës në uzinë e dy të tjerët me punë në institucionet e pushtetit lokal në Berat, m’u ngjallën shpresat që administrata e uzinës do të ngrihej në nivelin që duhej, për të qenë në ballë të punëve. Pa lënë mënjanë punët në uzinë e, në veçanti, ecurinë për përfundimin e punimeve të ndërtimit në objektet e reja shtesë, i shqetësuar për fillimin e mbarë të punëve në muajin janar të vitit 1973, shkova e kontaktova drejtuesit e ndërmarrjeve që ishin të lidhura me ne si çdo vit, me detyrime kontraktore për evadimin nga uzina të karburanteve, lëndëve djegëse, bitumit dhe sigurimin nga importi të llamarinës për ambalazhimin e bitumit.
Jo për të debatuar me ta për pengesat që na kishin shkaktuar gjatë vitit 1972, por sidomos për të ditur mbi përgatitjet që kishin bërë për detyrat e tremujorit të parë të vitit 1973, të cilat ishin 2.5 herë më të larta se ato të vitit 1972. Në parkun e transportit të mallrave me vendndodhje në Urën Vajgurore, që ishte në varësi të Ministrisë së Transporteve, e dinin se kuotat do qenë me rritje, por me sa ishin në dijeni, automjetet shtesë do të vinin nga importi gjatë tremujorit të parë të vitit tjetër. Në degën e parkut të karburanteve, me vendndodhje po në Urën Vajgurore, në varësi të Ministrisë së Tregtisë së Brendshme, nuk dinin gjë për kuotat e karburanteve që do merrnin nga ne gjatë vitit 1973. Për shtimin në numër të depozitave nuk u ishte dhënë investim.
Depot i kishin plot me karburant dhe plot do të ishin edhe në janar, sepse në periudhë dimri veçanërisht bujqësia harxhonte më pak. Në Ndërmarrjen e Metal-Importit në Tiranë, në varësi të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, më thanë që llamarina për ambalazhimin e bitumit e planifikuar për tremujorin e parë, do të mbërrinte në Shqipëri në muajin shkurt të vitit 1973. I shqetësuar pa masë për këtë situatë, me t’u kthyer në uzinë, i nisa një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës në Fier, Komitetit Ekzekutiv të rrethit Berat dhe një informacion të shkurtër Komitetit të Partisë së Rajonit, ku i vija në dijeni për gjendjen e rëndë dhe vështirësitë që do të krijoheshin në uzinë për nisjen e mbarë të punës në muajin janar. I rrëfeva hollësisht këto probleme më sipër për të dalë diku tjetër, se si ato morën zgjidhje.
Nëpërmjet një bisede telefonike një javë më pas, nga letra që i kisha dërguar Lipe Nashit, Drejtor i Përgjithshëm i Naftës në Fier, ai më njoftoi: “Analizën e fundvitit në ndërmarrje do ta bëni në datë 20 dhjetor. Në atë takim do të flasim edhe për shqetësimet që më ke ngritur në letër. Përgatitu mirë se ka mundësi që në atë takim të marrë pjesë edhe një nga shokët e Byrosë Politike”. Vërtetë kështu ndodhi. Në atë analizë erdhi në uzinë Anëtari i Byrosë Politike dhe Kryetari i Komisionit të Planit të Shetit, Avdyl Këllezi, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Naftës, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe Sekretarja e Parë e Komitetit të Partisë se Rajonit Emine Guri. Për t’i pritur në orën e caktuar, u mblodhën në këndin e kuq të uzinës punonjësit e administratës, personeli inxhiniero-teknik, shefat e reparteve e shumë punëtorë të dalluar. Në fjalën time të hapjes, pasi e falënderova Avdylin për pjesëmarrjen e tij për herë të parë në atë uzinë, nëpërmjet një raporti të shkurtër, e informova për ecurinë e punës gjatë vitit.
Me frymë autokritike në emër të të gjithë punonjësve të uzinës, mora përsipër të gjithë përgjegjësinë për mos plotësimin e detyrave të planit të vitit 1972. Më pas, u ndala në punën përgatitore dhe masat që kishim marrë për të filluar mbarë punën për detyrat e vitit 1973. I bëra me dije se kishim përfunduar në kohë e me sukses punimet ndërtimore për ngritjen e impianteve të reja dhe zgjerimin e aktivitetit në repartet ekzistuese, për rritjen e kapacitetit të uzinës nga 200 mijë në 500 mijë ton në vitin 1973, se në ato impiante kishim kryer të gjitha provat e kolaudimit dhe ishim bërë gati për të filluar në datë 1 janar. Para se të ulesha, i kërkova Avdylit të më lejonte ta informoja edhe për disa vështirësi që do na krijonin ndërmarrjet e lidhura me ne, për evadimin e nën-produkteve të gatshme dhe sigurimin e llamarinës për ambalazhimin e bitumit.
I thashë se, ndërsa tek ne në uzinë gjatë viteve 1971-1972, ishin bërë investime e ishte punuar me aksion për ndërtimin e objekteve shtesë për rritjen e kapacitetit përpunues, në këto ndërmarrje të cilat kishin për detyrë tërheqjen nga uzina të karburanteve e bitumit, gjatë vitit 1972 nuk ishte bërë asnjë investim; se gjithashtu, me gjendjen që kishin aktualisht e 91 Rrëfime dhe mbresa pas bisedave me drejtuesit e tyre, e shikoja shumë të vështirë që ato të na mbështesnin për vënien në punë të dy impianteve në muajin janar. I thashë se në parkun e mallrave, mjetet shtesë do të mbërrinin nga importi gjatë tremujorit të parë, se në degën e karburanteve depozitat ishin plot dhe se llamarina do të sillej nga Metal-Importi në muajin shkurt. Për rrjedhojë, theksova se për mendimin tim, përgjegjësinë për këtë situatë e kishin ministritë përkatëse të cilat nuk kishin bashkërenduar mirë punën mes tyre, që po ashtu si ne, edhe ato ndërmarrje duhet të ishin bërë gati që në dhjetor për detyrat e muajit janar e në vazhdim.
Në fund i kërkova ndihmë për të ndrequr atë situatë. Me sa vura re kur u ula, këto shqetësime tonat nuk ja kishte ngritur Drejtori i Përgjithshëm i Naftës, sepse e pashë të befasuar, të shqetësuar e të nervozuar. “Nuk kam ardhur këtu të marr leksione nga ty, – më tha. – Ja ku e ke Drejtorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv. Angazhohuni së bashku për t’i zgjidhur këto probleme, se brenda rrethit i keni këto ndërmarrje”. Nervozizmi i tij arriti kulmin kur në daljen nga salla, s’e përmbajti dot veten dhe goditi me grusht derën. Pasi u ndava me të, isha disi i shqetësuar e ne dilemë me veten, nëse bëra mirë që i thashë pa hezituar e drejt e në sy përgjegjësinë e ministrive, që indirekt binte edhe mbi të, duke qenë se si Kryetar i Komisionit të Planit që ishte, e kishte për detyrë të bashkërendonte e kontrollonte punën e dikastereve për realizimin e planit të shtetit.
Shqetësimi im nuk vazhdoi gjatë. Krejt papritur, kur nuk po e besoja edhe syve të mi, tre ditë më pas, në uzinë mbërritën nga Rezervat e Shtetit, 100 ton llamarinë për ambalazhimin e bitumit, e mjaftueshme kjo deri në kohën që do të mbërrinte sasia e planifikuar nga importi. Me një urdhër të Ministrisë së Transporteve, parkut të mallrave në Urën Vajgurore, dy-tre ditë para vitit të ri, i erdhën nga parqet e rretheve të tjera 30 automjete me gjithë shoferë, të transferuar për një periudhe tre mujore, deri në mbërritjen e automjeteve të planifikuar në import. Ministria e Tregtisë së Brendshme, me aksion të përqendruar, evadoi nga dega e karburanteve në Urën Vajgurore të gjithë sasinë që ishte gjendje në depozita dhe e dërgoi në depot e rezervave të shtetit. Në datën 1 janar 1973, uzina u vu në punë me kapacitet të plotë. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Çdo gjë më pas në lidhje me ecurinë e punëve dhe realizmin e planit binte mbi ne, të gjithë punonjësit e uzinës e veçanërisht mbi mua si drejtor.
Repartet, impiantet dhe aktiviteti i tyre: – Reparti kryesor i përpunimit të naftës bruto në uzinë kishte dy impiante AVT-1, AVT-2 (AVT= Atmosfere-Vakum-Temperaturë, në gjuhën e përdorur nga specialistët). Teknologjia e përdorur në to për përpunimin e naftës ishte ajo klasike, që ka si parim procesin e distilimit, të ndarjes gjatë vlimit të naftës bruto në temperatura 330-360°C, të gazrave të kondensuara sipas peshës specifike që rrjedhin nga kolona atmosferike në gjendje gjysëm të gatshme, të emërtuara benzinë, vajgur për djegie e ndriçim, vajgur për avionët dhe gazoil (në gjuhën e shoferëve naftë). Mazuti, që merret nga fundi i kolonës atmosferike, dërgohet në kolonën e vakumit, nga ku përftohet solari, vajrat lubrifikantë, valvolina për automjete dhe tipe të ndryshëm bitumi. Kapaciteti përpunues i të dy kolonave ishte 500 mijë ton në vit, aq sa ishte dhe plani i përpunimit të naftës. – Reparti i dytë, po aq i rëndësishëm sa i pari, ishte ai i rafinerisë. Detyra e këtij reparti ishte që nëpërmjet impianteve e pajisjeve teknologjike, atyre të më parme e të shtuara gjatë rikonstruksionit të uzinës, nënproduktet gjysëm të gatshme që merreshin nga dy AVT-të, pas procesit të rafinimit dhe çertifikimit nga laboratori kimik, t’i dërgonte të gatshme për përdorim në parkun e depozitave të shitjes.
Nga impiantet e këtij reparti, përveç karburanteve, në bashkëpunim edhe me specialistët e laboratorit të uzinës, e në veçanti me specialistët e Laboratorit Qendror të Industrisë së Naftës, u shtua gama e nënprodukteve: vajra lubrifikantë, graso solidal e kostalinë, dinaftanati, nepalmi për nevojat e ushtrisë, sulfate për injektim në puset e naftës, acidet naftanike, sapuni naftanik për eksport. Një impiant i veçantë në varësi të këtij reparti ishte edhe ai i pastrimit të gazit metan, që përdorej për nevojat komunale e shërbimin familjar të qytetit. – Reparti i bitumit, me vendndodhje midis dy impianteve të përpunimit të naftës bruto, kishte për detyrë të përgatiste në llojin dhe cilësinë e përcaktuar bitumin e lëngshëm e të ambalazhuar në fuçi për nevojat e vendit dhe eksport. Me investimet që u bënë në uzinë për rritjen e kapacitetit përpunues në repartin e bitumit, jo vetëm që u zgjeruan ambientet ekzistuese (sallat e mbushjes së fuçive e të shesheve të stokimit të tyre), por nëpërmjet vendosjes së katër vinçave urë (dy brenda sallës e dy të tjerë në sheshet e depozitimit të tyre), u lehtësua shumë puna me krahë e punëtorëve, që bëhej më parë për nxjerrjen e fuçive nga salla dhe ngarkimin e tyre në automjet.
– Fabrika e prodhimit të fuçive për ambalazhimin e bitumit u ndërtua e re gjatë rikonstruksionit të uzinës. Linja e makinerive që u morën nga Kina ishte e tëra e mekanizuar. Për kryerjen e çdo procesi në linjë ishte makineria përkatëse. Cilësia e prodhimit të tyre plotësonte standardet e përcaktuara për eksporte në rrugë shumë të gjata, deri në Kinën e largët. – Fabrika e kartonit katrama ishte me teknologji bashkëkohore dhe e prodhonte atë në tipe të ndryshme, sipas kërkesave të përdoruesve. Me lëndë të parë karton vendi ose importi, prodhimi dilte cilësor dhe pëlqehej nga përdoruesit për ndërtimin e banesave e objekteve industriale. – Fabrika e pluhurave larës, po ashtu e ndërtuar në ato vite, u vu shpejt në punë, duke prodhuar pluhur larës të disa llojeve. Shumica e lëndëve të para për të ishin nga prodhimet brenda vendit. Tipi dhe ambalazhi bëhej sipas kërkesave të konsumatorëve. – Laboratori kimik i cilësisë vlerësohej si një nga njësitë më të rëndësishme në aktivitetin e uzinës.
I kompletuar me të gjitha aparaturat e kohës dhe me personel të kualifikuar, inxhinierë e teknikë të mesëm, me punë të pandërprerë 24 orë në 24 orë, kontrollonte në ecuri cilësinë e lëndëve të para, të përpunimit paraprak e atij përfundimtar, duke shoqëruar me çertifikatën e cilësisë, çdo nënprodukt që plotësonte kërkesat e përcaktuara në standardet shtetërore. – Reparti i mirëmbajtjes (ofiçina), njësia kyçe që siguronte ecurinë pa ndërprerje të punës së makinerive dhe pajisjeve të impianteve të shumta në repartet e uzinës. Kryerja në kohë e shërbimeve profilaktike, riparimet e mesme e ato kapitale, në kohë e me cilësi, siguronin gatishmëri të lartë teknike e kohë më të gjatë shfrytëzimi. Impiantet dhe pajisjet për mbrojtjen nga zjarri. Rrezikshmëria nga zjarret gjatë punës për përpunimin e naftës, prodhimin e karburanteve dhe të lëndëve djegëse në uzinë ishte shumë e madhe.
Për të shmangur e shuar zjarret gjatë punimeve për rikonstruksionin e uzinës, veç atyre ekzistuese, ishin vendosur edhe sisteme të reja mbrojtëse nga zjarri, të alternuara stacionare dhe të lëvizshme. Ato ishin vendosur në impiantet AVT1-1, AVT-2, të rafinimit, parqet e naftës bruto dhe depozitat e karburanteve. Në të gjithë uzinën shtrihej rrjeti i ujësjellësit dhe hidrantët qarkore për çdo objekt. Administrata qendrore dhe ajo e drejtimit të punëve nëpër reparte, për vetë specifikën e punës së uzinave të përpunimit të naftës me impiante e linja teknologjike me cikël të mbyllur, ishte ngritur dhe funksiononte me një numër të vogël punonjësish. Në drejtori punonin vetëm 15 vetë me strukturën tip: drejtori, kryeinxhinieri, dega e planit, ajo e financës, dega teknike, dega e furnizim-shpërndarjes dhe ajo e kuadër-arshivës. Organika për çdo repart ishte: shefi i repartit, inxhinieri teknolog, ekonomisti i paga-normës. Numri gjithsej i punonjësve të uzinës ishte 980 vetë. Puna në ekip e punonjësve të administratës dhe e shefave të reparteve, me aftësi të vlerësuara profesionale dhe organizuese, të përkushtuar në detyrat e ngarkuara, duke filluar nga muaji janari i vitit 1973 e në vazhdim, i dha frytet e veta, duke e vënë uzinën në krye të ndërmarrjeve të rajonit, që realizonte e tejkalonte planin çdo muaj.
Edhe sot i kam në mendje bashkëpunëtorët e mi të administratës: kryeinxhinierin Ing. E. Karapici, kryetarët e degëve I. Munxura, A. Selmani, P. Vogli, E. Shahu, K. Janidhi, shefat e reparteve I. Binishi, Sh. Roka, L. Ballabani, S. Rrumbullaku, F. Agolli, V. Kurrizo, K. Prifti, inxhinierët Dh. Sauli, V. Zylyftari, Sh. Nishani, A. Mimani, A. Zajmi, V. Hysi, J. Xhako, N. Halilaj. Në takimet e përditshme me shefat e reparteve në vendet e tyre të punës si dhe me punëtorët gjatë ndërrimit të turneve, veç problemeve të punës, evidentova edhe disa probleme e shqetësime që ishin lënë pas dore, megjithëse ishin shumë të rëndësishme, jo vetëm për mbarëvajtjen e punës në uzinë, por edhe për vetë ata, për plotësimin më të mirë të kushteve të punës dhe mirëqenies familjare. Midis tyre më kujtohen disa. Megjithëse ishte objekt i rëndësisë së veçantë e me rrezikshmëri të madhe nga zjarret, në uzinë dilnin e hynin mjete apo kalimtarë të rastit që u binte rruga më shkurt për të zbritur në qytet, pa u kontrolluar. Memorie.al